Lulzim Basha bashkëbisedim me artistë dhe pedagogë për artin dhe kulturën në vend, dhe nevojën për një ndryshim rrënjësor të politikës që nis me votën e lirë e të ndershme
Paraditen e 51-të në Sheshin e Lirisë, kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me artistë dhe pedagogë për artin, kulturën dhe vendin që ato duhet të zënë në shoqëri. Pedagogët dhe artistët folën për vështirësitë e të bërit art në një vend ku ekonomia e rrënuar dhe mungesa e meritokracisë, i mbyllin dyert ideve dhe krijimtarisë së tyre.
Regjisore, aktore dhe pedagoge në Fakultetin e Arteve të Bukura, Taulantia Jupi, njëkohësisht edhe aktiviste e çështjeve të gruas, solli përmes aktrimit monodramën për dhimbjen e një nëne të sëmurë, për fatin e fëmijës së saj. Jupi tha se kësaj shfaqje iu mbyllën dyert e teatrit shqiptar, sepse sjellja në skenë e të vërtetave nuk i shkon për shtat propagandës qeveritare.
Dekani i fakultetit të Arteve të Bukura Ardian Isufi, tha se kur nje vend ushqen kulturën e tij, njëkohësisht zhvillon dhe ndërgjegjëson edhe qytetarët për liritë dhe të drejtat e tyre. E tillë është edhe vota e lirë. Edukimi artistik cilësor mungon që në arsimin fillor dhe atë të mesëm, duke i mohuar rinisë mundësinë e edukimit dhe zhvillimit përmes arteve të bukura dhe vlerave të tyre.
Artan Peqini, skulptor dhe pedagog, foli për vendin që arti dhe kultura duhet të zënë në Republikën e Re. Ai tha se kjo e fundit, nga një strukturë abstrakte e fjalimeve të zotit Basha, është kthyer në realitetin ku seicili ka kontribuar diçka.
“Politika dhe arti nuk janë shumë larg njëra-tjetrës sepse në thelb seicila kërkon të përçojë të vërtetën, por seicili nga ne gjatë këtij procesi duhet të udhëhiqet nga idealet”.
Hari Aleksi, artist vizual dhe pedagog, tha se nga kontaktet që ka me artistë të huaj të rajonit, kuptoi se sa i përket vlerave dhe kulturës Shqipëria nuk ka përse të ketë zili askënd. Ajo që këtij vendi i mungon është mbështetja dhe financimi shtetëror.
Kryetari Lulzim Basha tha se vendi është zhytur në mjerim për shkak të keqqeverisjes dhe vjedhjes së parave të taksapaguesve nga një grusht oligarkësh.
“Sot realiteti shtyp ëndrrat tuaja, shpresat, xhepat tuaj, dhe është në fakt e keqja që po ikën. Ajo që kemi në shpirt dhe në mendje së shpejti do të jetë realitet. Jemi në një moment të veçantë, të psikologjisë dhe mendimit që profesor Artan Peqini e shprehu fare bukur. Jemi në momentin kur të gjithë e kuptojnë që ajo që s’ka ardhur akoma, por që është nisur dhe do të vijë shpejt, është shpresa dhe ëndrra e gjithsecilit prej nesh, që ne e quajmë Republika e Re”.
Kryetari Basha tha se qendresa e qytetarëve është edhe garancia e fitores së kauzës për zjedhje të lira dhe të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që ka kohën e mjaftueshme për të pjekur kushtet e nevojshme.
“Përballja do të jetë fatale për krimin, por do të jetë përballje paqësore, demokratike dhe europiane. Ne jemi kudo, demokratë e socialistë, një gjë nuk durojmë dot dhe do ta shporrim, dhe kjo është qeveria e lidhur me krimin dhe krimi i bërë njësh me pushtetin. Kjo që po jeton orët e fundit, së shpejti do të jetë histori, asgjë nuk do të jetë si parë. Gjithçka do të ndryshojë, falë kësaj lëvizje, falë kësaj qendrese”.