Paraditen e 60-të në Sheshin e Lirisë kryetari Lulzim Basha bisedoi me student, artistë të rinj dhe pedagogë të arteve të bukura për kulturën dhe artin në vend. Artistët, sidomos ata të rinj, folën për nevojën për të shprehur mendimin edhe të vërtetën e tyre përmes krijimeve artistike.
Arti është i lidhur në mënyrë të pashmangshme me politikën për sa kohë politika vendos rregullat e lojës edhe për artistët. Por këta të fundit folën për nevojën e lirisë në të shprehur, në të vepruar dhe lirinë për të konkuruar si të barabartë mes njëri-tjetrit në konkurse ku sot, si tregojnë artistët, mungon plotësisht vlerësimi në bazë të meritokracisë.
Një studente e degës regji- teatër, Jonida Balaj kërkoi, përmes vargjeve të shkruara në prozë, të drejtën e saj për më shumë liri të fjalës dhe hapësirë për ta thënë atë. Këtë hapësirë Anisa, studente pikturë-grafike, tha se e gjen prej dy muajsh në Sheshin e Lirisë ku gjithkush mund të marrë mikrofonin për të thënë të vërtetat e tij. “Dikush mund të mendojë që stuentët e arteve apo artistët e kanë në terezi dhe nuk duan t’ia dinë fare se çfarë ndodh në Shqipëri në situatën politike apo për ç’do ndodhi, por është shumë e gabuar.”
 
Esmeralda Stafa, regjisore tha se kjo që ndodh prej tre vitesh tashmë është burgosja më e madhe që i është bërë ndonjëherë artistëve pasi ata nuk kanë as mbështetjen ligjore minimale që t’i mundësojë të drejtat e tyre krijuese. “Institucionet e artit sot janë plotësisht të kapura dhe klienteliste ndërkohë që artistët janë ata që shërojnë shpirtin e popullit dhe i bëjnë qytetarët që për një moment të harrojnë problemet e tyre”. Stafa tha se artistët sot kërkojnë vetëm një gjë, të shkëputen nga politika sepse artistët pa popullin, publikun e tyre, nuk mund të ekzistojë.
Aktor dhe gazetar, Eni Shehu, tregoi dhe ka treguar përmes kronikave të tij në media, vështirësitë për t’u bërë pjesë e projekteve vjetore përmes audicioneve. Këto të fundit, me ardhjen e Rilindjes në pushtet, u kthyen në audicione fiktive të dirigjuara dhe paracaktuara nga miqtë e drejtuesve të teatrit. “Rilindja kishte vetëm propagandën, audicionet ishin fiktive. Ky është nepotizmi ku miqtë e atyre që kanë pushtetin vendosin për gjithçka.”
Ai tha se kjo mënyrë përzgjedhje të artistëve, e cila varet nga njohjet dhe miqësitë personale, jo nga talenti dhe mundi i konkurrentëve, edhe pse dënohet nga ligjet shqiptare, nuk denoncohet mjaftueshëm nga artistët sepse ata kanë frikë të flasin. Eni Shehu solli në realitetin e sotëm eksperiencën e tij më të fundit në fushën e aktrimit me filmin “Ndërkombëtarët”, duke ilustruar faktin se arti është mënyra më krijuese e të shprehurit të së vërtetave që jetojmë.
Një arsye tjetër pse unë e ndjej edhe më afër kauzën e kësaj çadre është edhe një film i cili do të dalë së shpejti, ku unë luaj rolin kryesor  të personazhit i cili demaskon dhe nxjerr në shesh të palarat e ndërkombëtarëve. Unë si shqiptar dua miq të vërtetë jo nga ata që mbajnë njërin apo tjetrin krah, tha Eni Shehu.
Kladi Caca nga Fushë-Kruja i cili studion për pedagogji muzikore tha se problematikat më të mëdha të Universitetit të Arteve sot, është taksa e lartë e shkollimit dhe mungesa e plotë e infrastrukturës. Ai solli shembullin më të qartë të ‘politikës së fasadave’ të kësaj qeverie. “Në 4 vite kanë lyer vetëm universitetin dhe kanë rregulluar kafenenë e shkollës. Studentët që studiojnë pasdite detyrohen të marrin me vete batanije dhe ngrohëse nga shtëpitë sepse në shkollë nuk ka”.
 
Kryetari demokrat Lulzim Basha i tha studentëve të artit se duke vrarë frikën dhe ngritur zërin nga agora qytetare e 60 ditëve pa ndalim, ata bëhen pjesë e bashkimit qytetar që vjen duke u rritur dita ditës.
“E vërteta dhe e drejta si asnjëherë tjetër mbarten mbi shpatullat e njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm që vijnë ditë për ditë në këtë tempull të lirisë.  Në këtë tempull të lirisë, ku sot janë studentët e artit. Dje kishim njerëz nga fusha e ekonomisë, më përpara nga fusha të tjera, të biznesit, të shëndetit, të musuesisë, sot njerëzit e artit. Nga të gjithë fushat e jetës, nga çdo shtresë shoqërore, të gjithë janë këtu, të gjithë jemi këtu.Të vetmit që nuk vijnë dot këtu, janë trafikantët dhe kriminelët e bërë njësh me Edi Ramën. Si asnjëherë apo rrallëherë në historinë tone, kjo zgjidhje përbashkon të djathtë e të majtë. Mos e harroni këtë! Edhe ata që nuk kanë mundësinë të jenë këtu me ne, kanë pasur këtu zëdhënësit e tyre, i kanë pasur zëdhënësit e tyre kudo ku zëri i lirë akoma mund të dëgjohet”.
Lulzim Basha tha se prej dy muajsh i ofron vendit zgjidhjen për të mundësuar themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, jo për hir të rrotacionit politik dhe forcën politike që drejton, por për hir të demokracisë dhe vlerave europiane.
“Gjendja e vendit është kritike. Jemi këtu tash 60 ditë duke kërkuar dhe ofruar zgjidhje. Kjo zgjidhje, është për qyetarët shqiptarë, për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve, për atë që ne e quajmë Republika e Re dhe, që është shpresa e cdo prindi, nëne, e çdo babai, e çdo të riu, e të reje, se e nesërmja do të jetë e ndryshme nga e sotmja dhe në fakt e tillë do të jetë, sepse asgjë nuk do të jetë më si më pare. Që të jetë e tillë duhet ti kthejë pushtetin qytetarëve sepse pluralizmi, ndonëse ka arritjet e veta të padiskutueshme, asnjë ditë të vetme nuk ka arritur të kthehet në demokraci të vërtetë, që do të thotë sundimi i qytetarëve. Që do të thotë, pushteti politik gjithmonë në dorë të qytetarëve, pushteti ekonomik, gjithmonë në dorë të qytetarëve. Që të vijë kjo ditë, dita e standardit europian, nuk ka rrugë tjetër përvecse të ngremë themelin e bashkëjetesës evropiane, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që është kufizimi i pushtetit, që është balanca e kontrollit të pushtetit ku vendimet  janë përgjegjësi e shumicës, por kontrolli është përgjegjësi e opozitës”.
Lulzim Basha tha se rruga e ndërmarrë prej 18 shkurtit, që çon drejt një realiteti komplet të ndryshëm më atë që jetojmë sot, nuk është e thjeshtë, por është e vetmja mënyrë për ti dhënë fund teatrit që po luhet me të vërtetën dhe komplotit në kurriz të qytetarëve.
“Çdo padrejtësi eskpozon, në mënyrë më akute, më urgjente dhe më të qartë, drejtësinë e kauzës tonë, urgjencën e kauzës tonë, domosdoshmërinë e kauzës tonë. Çdo padrejtësi evidente, çdo mohim i problemeve reale të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk na dobëson por vetëm na bën më të fortë e të vendosur për ti shkuar të vërtetës dhe të drejtës deri në fund”.
Kryedemokrati Basha i tha qytetarëve se pavarësisht frikës dhe kërcënimeve me të cilat ata ndeshen prej katër vitesh tashmë, besimi tek e nesërmja dhe besimi tek vetëvetja është gëzimi dhe shpresa për një të nesërme më të mirë, të pushtetit të qytetarëve.
“Ne jemi sëbashku muratorët, arkitektët, inxhinierët e Republikës së Re që është e pandalshme, është e pashmangshme. Asnjë tërheqje! Qeveri teknike, kusht i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”


Njoftim per shtyp 18 Prill 2017