Partia Demokratike u informua sot nga aleatët opozitarë për qendrimin e sotëm të ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, sikur Partia Demokratike gjatë pranisë së ndërmjetësuesve europianë në Tiranë ditën e martë, nuk pranoi propozimet e tyre dhe se nuk paraqiti kundërpropozime apo ofertë tjetër.
Partia Demokratike konstaton me keqardhje të thellë se ky është një shtrembërim total i të vërtetës, dhe fshehje e fakteve.
Pas paraqitjes të propozimit për zëvendësimin e 4 ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë dhe shtyrjen e zgjedhjeve për datën 16 korrik, Partia Demokratike në emër të Opozitës së Bashkuar paraqiti një kundër-propozim me 3 pika, me qëllim arritjen e një kompromisi mes palëve:
- Ofertën që kryeministri i qeverisë teknike të propozohej nga mazhoranca aktuale.
- Përsa i përket datës së zgjedhjeve, oferta e PD ishte që të eksplorohej nëse zgjedhjet me votim elektronik, biometrik dhe numërimi elektronik do të mund të realizoheshin brenda tetorit. Nëse kjo do të rezultonte teknikisht e pamundur, të punohej për identifikimin biometrik të votuesve dhe numërimin elektronik të votës.
- Partia Demokratike rikonfirmoi qendrimin e bërë publik prej 10 javësh se menjëherë pas formimit të qeverisë teknike, opozita do të kontribuonte në parlament për zbatimin e plotë të procesit të Vetingut dhe reformës në drejtësi.
Pas paraqitjes së kësaj oferte për kompromis, Partia Demokratike u informua se Edi Rama e refuzoi këtë ofertë, duke cuar në përfundimin pa sukses të përpjekjes për ndërmjetësim.
Partia Demokratike shpreh shqetësimin e thellë për dezinformimin e partive të vogla parlamentare nga ana e ambasadores Vlahutin dhe thekson se qëndrime të tilla qartazi të njëanshme dhe dezinformuese nuk i shërbejnë aspak zgjidhjes së krizës, por përkundrazi ndihmojnë në thellimin e saj.