Me urdhër të Edi Ramës, krerët e policisë që nuk luftojnë krimin, trafikantët, banditët, por bëhen palë me ta, kërcënuan sot qytetarët e lirë të vendit, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur popullin të shprehet.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, i bëjnë të qartë sot kupolës së policisë të heqin dorë nga keqpërdorimi politik dhe të mos pranojnë të dalin kundër popullit për interesat e Edi Ramës.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar i bën të ditur publikisht cdo punonjësi dhe funksionari të policisë, se do të filmohet e do të regjistrohet emër për emër kushdo që tenton të pengojë apo intimidojë qoftë dhe një qytetar të vetëm.
Do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit, dhe nesër do të përgjigjet deri më një, cdo drejtues, shef apo punonjës policie që do tentojë të cënojë të drejtën sovrane të qytetarëve për të protestuar paqësisht.
Protesta nesër do të jetë paqësore, por e vendosur dhe e pathyeshme.
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kanë 65 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Të gjitha veprimet kanë qenë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë europiane që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike.
Protesta e Opozitës së Bashkuar dhe qytetarëve do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojë qëndresën qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen masivisht nesër mes orës 11 dhe 12 paradite në këtë protestë kundër krimit dhe drogës me mbështetje qeveritare, për të ndalur krimin, për të ndalur pushtetin e lidhur me krimin dhe për të siguruar të drejtën themelore të qytetarëve në demokraci, të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Njoftim per shtyp, 23 Prill 2017