Sot për mua është dita të përulem me respektin më të thellë historik ndaj 50 ditëve, 1200 orëve të kësaj qëndrese historike, që në fakt përfaqësojnë miliona orë të jetës së qindra-mijëra shqiptarëve në bashkimin më të madh popullor për liri dhe demokraci të vërtetë.

Nisi si domosdoshmëri, vazhdoi si sakrifice, dhe sot, siç e thanë të pranishmit në këtë agorë, përfaqësuesit e medias e në veçanti rinia shqiptare, është shpresa, ëndrra dhe e nesërmja e Shqipërisë së re. E një Shqipërie, e cila me të vërtetë u zhyt në dëshpërim, në varfëri, në mjerim, në depresion në këto katër vite të shartimit të pushtetit me krimin dhe krimit me pushtetin, por, përkundër ofshamave të prindërve, përkundër dëshpërimit të rinisë, nuk iu dorëzua këtij fati të keq, por duke marrë forcë nga geni më mbijetues i racave europiane dhe nga virtytet më të pastra të shqiptarit ndër shekuj, i dha zë shpresë dhe forcë një populli i cili nuk dorëzohet, një populli i cili nuk nëpërkëmbet nga e keqja por çohet, ngrihet së bashku për ta mposhtur të keqen.

Kush e përjetoi dhe e përjeton këtë qëndresë ka krenarinë e jashtëzakonshme, siç e kam edhe unë sot që ti them vetes bashkëqytetar i juaji, bashkëkombës i juaji, shqiptarë si shqiptarët e sheshit të lirisë, shqiptarë si shqiptarët e çadrës së lirisë, shqiptarë si shqiptarët e qëndresës së lirisë, shqiptarë dhe patriotë si anëtar i kësaj lëvizje të madhe, historike dhe transformuese.

Detyrat tona janë të qarta, ta ndalim tiraninë. Po, qeverisja jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjit, është tirani dhe tiranitë ndalen ose përmbysen.

Ky është mësimi i madh i demokracive të mëdha, është shkruar me germa të praruara në zemrën e demokracisë, në Uashingtonin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo thjesht si një nderim për popullin amerikan dhe luftën e tij për pavarësi dhe liri e dinjitet njerëzor, por si një kujtesë për pushtetarët vendas dhe ata të huaj që vizitojnë Uashingtonin. Një kujtesë e praruar në germa por e paguar me sakrificën e bijve dhe bijave të revolucionit amerikan, “Një qeveri jashtë ligjit është tirani dhe tirania përmbyset!”.

***

Ju thashë kur u ktheva nga Uashingtoni se gjërat po ndryshojnë dhe kanë ndryshuar. Dje e gjithë bota u bë dëshmitare e rindezjes së shpresës dhe konfirmimit të lidershipit moral të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përvëluan me 59 raketa tomahok bazat e një tirani që nuk kurseu fëmijët e popullit të tij nga sulmet genocidale me gaz helmues.

Kishin pritur prej muajsh dhe vitesh, miqtë dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që fjalët të bëheshin vendime, që Shtetet e Bashkuara të qëndronin siç kanë qëndruar fort, për parimet bazë të lirisë së kombeve që fillojnë me liritë dhe të drejtat e njeriut të cilat mund dhe garantohen vetëm nga demokracia dhe shteti ligjor, që mund, dhe bëhen realitet vetëm me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që mund të ndodhin vetëm me votën e lirë, me vullnetin e lirë të qytetarëve.

Ky është kuptimi, ky është mesazhi, kjo është deviza e betejës tonë tash 50 ditë dhe i tillë do të mbetet qëndrimi, e tillë do të mbetet qëndresa dhe vendosmëria e kësaj lëvizje popullore deri në fitoren totale të kësaj beteje.

Asgjë nuk ka për të ndryshuar, asgjë nuk ka për tu bërë më mirë nëse nuk mposhtim krimin e lidhur me pushtetin dhe pushtetin e lidhur me krimin. Asgjë nuk ka për të ndryshuar në jetët e shqiptarëve, në përditshmërinë tuaj nga orat e para të mëngjesit deri në orët e fundit të mbrëmjes, nga ajo që kemi hequr dhe po hiqni tash 4 vjet të shkatërrimit të Shqipërisë nga rilindja e kriminaliziuar dhe nga krimi i rilindur, nëse ne nuk e çojmë këtë betejë deri në fund me fitore pa pritur asnjë ditë, asnjë orë por tani këtu në këtë shesh deri në fitoren e kësaj kauze.

Asnjë vend i ri pune nuk do të hapet, por qindra vende pune do të shkatërrohen ditë për ditë nga një ekonomi e asfiksuar ku nuk konkurohet më as me ide, as me inovacion, as me punën e ndershme dhe as me djersën e ballit, por ku gjithçka vjen peshqesh nga lidhjet e korruptuara të një grushti oligarkësh me një grusht pushtetarësh që i ndajnë miliardat e taksave të shqiptarëve për 5 apo 10 xhepa miliarderësh që jetojnë në luks total dhe totalisht të shkëputur nga realiteti dhe nga varfëria e mjerimi i shqiptarëve.

Asgjë nuk ka për të ndryshuar në spitalet shqiptare, që janë shndërruar në një purgator për pacientët tanë, për të afërmit tanë, për prindërit tanë, për fëmijët tanë. Dhe janë shndërruar në një ferr të vërtetë edhe për ne, familjarët e tyre teksa shohim se, ato që duhet të jenë stacionet e shërimit, janë në fakt paradhomat e përcjelljes për në botën tjetër për shkak të korrupsionit që i ka shndërruar në kullesa nga ku vidhen dhe shpërdorohen miliardat e taksave të shqiptarëve që nuk kthehen as në paisje të reja, as në përgaditje më të mirë për mjekët, as në mjekë dhe infermierë të përgatitur, as në ilaçe të rimbursueshme, por vetëm në koncesione korruptive që i kanë marrë gjithsej 3 klientë të qeverisë. Tre klientë me qindra milionë euro të shqiptarëve në xhepat e tyre që në rastin e shëndetësisë nuk është thjesht korrupsion, por është krim kundër njerëzimit, është genocid kundër shqiptarëve.

Asgjë nuk do të ndryshojë për rininë shqiptare, asgjë nuk do të ndryshojë për studentët shqiptarë, përkundrazi, ligji aktual i Arsimit të Lartë e ka të shkruajtur të zezë mbi të bardhë, se tarifat do të rriten nga viti në vit, ndërkohë që cilësia e mësimdhënies në auditore do të bjerë nga viti në vit, duke rënë kështu edhe mundësia për të pasur një brez të ri të mirëarsimuar e të gatshëm t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës.

Asgjë nuk do të ndryshojë, por do të bëhet edhe më keq nëse ne nuk e ndalim marrëzinë e pushtetit  të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me pushtetin.

Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë që në këto katër vite kanë parë se si fuqia e tyre blerëse ka rënë, se si mundësitë për të blerë prodhimet dhe shërbimet të domosdoshme për jetën e tyre, për mbijetesën e tyre janë më të pakta se katër vite më parë dhe, sesi duke shkelur edhe parashikimet ligjore, rritjet simbolike janë më të vogla se inflacioni që gërryen xhepat e tyre për të mos folur për faturat e kripura të energjisë, faturat e ujit, faturat e ilaceve, taksat lokale dhe qendrore, dhe lloj-lloj faturash të tjera që e lanë pensionistin shqiptar me gisht në gojë.

Asgjë nuk do të ndryshojë për pensionistët shqiptarë po nuk e ndalëm këtu, po nuk e  mposhtëm këtu tiraninë e bërë njësh me krimin dhe krimin e bërë njësh me tiraninë. Asgjë nuk do të ndryshojë për intelektualët e përbuzur, të tallur, të diskriminuar nga një kryeministër arrogant, delirant dhe injorant që fshihet pas fasadës sipërfaqësore të kopertinave që ka lexuar.

***

Në jetën e tij, kurrë nuk është thelluar sepse kopertinat kanë qenë formimi i tij. Kopertinat dhe fasadat janë oferta e tij, është mundësia e tij e vetme për të qendruar në pushtet me një demokraci kopertinë, me një qeverisje kopertinë dhe një retorikë kopertinë. Asgjë nuk ka për të  ndryshuar , gjithcka do të jetë si në këto katër vite madje edhe me keq, për qindra mijëra njerëz që më kot presin zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune. Njerëzit do të përballen me një ekonomi që do të vazhdojë të lëngojë nën peshën e taksave të larta, nën mungesën e qartë të konkurrencës si motor i zhvillimit, në një ekonomi, që vetëm në letër është e tregut të lirë, sepse gjithcka kontrollohet si dikur nga komisioni qendror i planifikimit.

Tani nga byroja e pashpallur jopolitike, por mafioze, me në krye Edi Ramën dhe 40 hajdutët e tij në ministritë kryesore dhe institucionet e vendit, ky është dhe plani i republikës së vjetër, të ruajë me cdo kusht këtë status-quo. Sepse, me këtë gjendje, me këtë status-quo, ata janë zotër të vërtetë të parave të shqiptarëve, të pasurive të shqiptarëve, të mediave të shqiptarëve, të mendjeve të shqiptarëve, të fatit të shqiptarëve. Ata janë zotër të vërtetë dhe populli e qytetarët nuk janë asgjë, përvecse shërbëtorët e vërtetë, një tufë delesh që ushqehen me kashtë e me bar që u merret dhe pika e fundi e gjakut.

***

Por, për ta, stekat janë të larta. Vetëm nga buxheti i shtetit, vetëm vitin e kaluar dhe vetëm sipas raportimeve zyrtare të institucioneve të shtetit, vodhën 650 milion euro. Me paratë e mafias dhe të drogës sot e zhytën Shqipërinë si vendit e fundit ne Evropë, apo më mirë të themi të parin, për pastrimin e parave, ndaj dhe droga jo vetëm nuk do të zhduket, por do të mbulojë cdo cep të Shqipërisë,  sepse paratë e drogës dhe droga janë plani, kompromisi, projekti i Ramës dhe krimit për të qenë në pushtet, për të mbajtur pushtetin, për t’u pasuruar dhe për të ruajtur pasuritë kriminale, përmes pushtetit të korruptuar. Në funksion të saj dhe vetëm në funksion të pushtetit dhe parave, paguhen me paratë e drogës shqiptare lobistë evropianë dhe amerikanë, fundërrina morale, të cilët bëjnë duanë e krimit të organizuar shqiptar dhe qeverisë më të korruptuar të Evropës, vetëm e vetëm që të vjelin milionat e dollarëve dhe eurove që merren nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Evropës.

Milionat e drogës, milionat e koncesioneve, milionat e tenderave janë futur në lojë për ti mbyllur gojën edhe medias shqiptare. Jo gazetarët as analistët e ndershëm aq më pak punonjësit e ndershëm të medias, por një grusht pronarësh, të cilët e kanë lidhur fatin e tyre jo me të vërtetën, por me paratë e tenderave korruptive, të lejeve të dnërtimit dhe që kanë të njëjtin interes si Rama të mbajnë këtë gjendje në këmbë, të ruajnë këtë status-quo. Prandaj Henri Cili me shokë, thonë që po iku qeveria teknike, iku Rama, ikim dhe ne, sepse nuk duan dhe nuk luftojnë për interesin publik, por duan dhe luftojnë vetëm për interesat dhe xhepat e një grushti njerëzish që e kanë lidhur fatine tyre me fatin e Edi Ramës dhe përmes Edi Ramës, me fatin e krimit dhe korrupsionit.

***

Humbasin shumë, shumë humbasin dhe e thonë dhe me gojën e tyre. Kush humbet, kush humbet me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me të cilat populli do të gjykojë me votë të lirë qeverinë e mjerimit, shkatërrimit, mashtrimit , drogës dhe krimit? Humbasin oligarkët, humbasin kriminelët, humbet ceta e korrupsionit, por fiton një Shqipëri e tërë, fitojnë shqiptarët e ndershëm, të djathtë e të majtë, të gjithë së bashku.

***

Fabula e fundit është se, ne duam të pengojmë PS të marrë pjesë në zgjedhje dhe ti fitojë ato. Fabula e fundit është se, Edi Rama po e bën gjithë këtë qëndresë jo për të ruajtur karrigen dhe privilegjet e pushtetit, që ti përdorë për ti prishur e kapur zgjedhjet e shqiptarëve, po sepse ai do të bëjë drejtësinë, ai do të bëjë shtetin. Ka ngritur bashkë me një tufë të korruptuarish ndërkombëtarë mitin se,  Edi Rama donte drejtësinë dhe ne nuk e duam dhe për një kohë të gjatë. Se ne, këtu, hapim shpirtin apo jo.

Për një kohë të gjatë edhe na kanë kompleksuar duke thënë, jo ne nuk duam reformën. Por nuk është e vërtetë që nuk duam reformën.

Por kam kuptuar falë jush dhe kemi kuptuar sesa e kotë është të jesh civil dhe sa e dëmshme është të jesh defensiv përballë të keqes. Që ne duam reformën në drejtësi, këtë e kemi provuar me votën tonë të 22 Korrikut dhe nuk ka nevojë, as ta themi e as ta mbrojmë më, por sot, është dita ti them Edi Ramës dhe kujtdo që e mbështet në këtë komplot kundër lirive të shqiptarëve me cfarëdo pasaporte që të ketë se; kurrë, kurrë Edi Rama nuk do ta ketë në dorë drejtësinë shqiptare, se PD nuk do të jetë kurrë alibia që Edi Rama dhe kriminelët të shtijnë në dorë drejtësinë shqiptare. Reformë në drejtësi alla-Shullaz, nuk ka për të pasur kurrë.

Ne dhe qeveria e dalë me votë të lirë e ndershme do ta zbatojmë reformën në drejtësi jo sipas përcaktimeve Rama-Tahiri-Shullazi, para të cilave mbyllën sytë ata që nuk kanë interes reformën në drejtësi por karrigen e Edi Ramës, për arsyet që i dinë vetë dhe turp të kenë, por ne, do të zbatojmë reformën në drejtësi që votuam sipas formulës së rakorduar, SHBA-BE. Vetëm dhe vetëm pasi 6 ligjet të kenë vulën e konsensusit opozitar sipas marrëveshjes politike të 21 Korrikut. Kush nuk ka kohë për ti dëgjuar këto detaje bën mirë të hapë veshët se nuk janë detaje. Kush i dëgjon dhe i kupton ta dijë se shteg tjetër për reformën në drejtësi nuk ka dhe nuk mund të ketë. Drejtësi në duart e Edi Ramës, drejtësi në duart e kriminelëve me të cilët mbushi parlamentin dhe bashkitë, drejtësi në duart e kartelit të drogës, nuk dorëzojmë kurrë. Që të kemi drejtësi të vërtetë duhet të kemi demokraci të vërtetë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj, që të kemi një përfundim të suksesshëm të reformës në drejtësi që do ti hapë rrugën gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk mbrojnë, por luftojnë krimin dhe korrupsionin, duhet së pari të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

***

Tani, për tezën tjetër që do bëjë shtet. Shtetin, Edi Rama e ka bërë. Ky është shteti i Edi Ramës dhe siç e thamë dhe siç e dini fare mirë, asgjë nuk ka për të ndryshuar për këtë shtet, nëse ne e lejojmë tiraninë e krimit të vazhdojë të diktojë jetët e shqiptarëve. Ky është shteti i Edi Ramës. Kriminelë në parlament, kriminelë në krye të bashkive, eskobarë në krye të policisë, doganave, tatimeve. Këta kriminelë jo socialistë, por kriminelë, vendosin se kush merret në punë dhe kush hiqet nga puna. Këta kriminelë, vendosin se kush i fiton tenderat qendrore dhe lokale. Këta kriminelë, vendosin planet urbanistike ku do prishen lulishtet, ku do ndërtohen pallatet dhe kush do t’i ndërtojë. Këta kriminelë, e shndërruan Shqipërinë në hambarin më të madh të drogës. Por, e bënë këtë vetëm e vetëm sepse kishin mbështetjen, bekimin dhe mbrojtjen politike të kryetarit të tyre të krimit në pushtet, që është Edi Rama.

Ky shtet, jo vetëm që nuk do të qendrojë në këmbë, por nuk do ti mbijetojë as orës së parë të Republikës së Re që po vjen me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse, detyra e parë e Republikës së Re, është të shembë me themel, të shkallojë deri në gurin e fundit, shtetin kriminal, komplotin kundër shqiptarëve, republikën e vjetër të Edi Ramës dhe kriminelëve në pushtet. Këtë, e di fare mire, ndaj ka frikë të japë dorëheqjen. Ka frikë të vijë në sheshin e garës dhe betejës elektorale si palë e barabartë, sepse Edi Rama, pa krimin, pa drogën, pa paratë e krimit dhe drogës dhe koncensioneve dhe tenderave korruptivë, është jo i humbur por i shkatërruar para gjykimit popullor me votë. Por askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo. Opozitarët jo e jo. Bashkimi i madh popullor që ka brenda vetes edhe skeptikët e djeshëm ndaj synimeve dhe objektivave tona, po kështu, nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë keqardhje. Por edhe socialistët e ndershëm duhet ta dinë se skanë të ardhme me republikën e vjetër të krimit dhe korrupsionit, ata janë këtu me republikën e re të bashkimit popullor e do të jenë bashkë me shqiptarët në një stacion të ri të shpresës dhe mundësive për Shqipërinë dhe për Partinë Socialiste. Se Republika e Re, nuk është dhe nuk do të jetë republika e përjashtimit por republika e gjithpërfshirjes, të gjithë shqiptarëve pa dallim bindjesh politike. Themeli i Republikës së Re është barazia para ligjit. Themeli i Republikës së Re është konkurenca e lirë. Themeli i Republikës së Re janë mundësitë e barabarta për këdo dhe mundësia e madhe për të gjithë ne që në varësi të aftësive dhe talenteve ti kthejmë këto në mirëqënie për jetën e familjarëve.

Republika e Re është shansi, mundësia dhe garancia që jo vetëm pushteti politik por edhe pushteti ekonomik t’i takojë sovranit, pra qytetarëve. Ndaj vendimet e para të Republikës së Re, do të jenë çmontimi me themel i aleancës së krimit dhe politikës, por duke nxjerrë nga institucionet të gjithë personat me rekorde kriminale të cilët kurrë nuk erdhën për hallet e popullit por vetëm për hallet e tyre. Vendimet e para do të jenë anullimi i dhjetra dhe qindra kontrata korruptive që u kushtojë xhepave të shqiptarëve mbi 200 milionë euro vit për vit. Këto para do tua shkulim nga xhepat e korrupsionit dhe kontot bankare kudo që ti kenë, dhe që prej ditës së pare, do ti destinojmë për problemet, hallet dhe shpresat e shqiptarëve. Republika e Re, kësisoj, do të mund të mbajë premtimin tonë se në krye të katër vjetëve, pensioni minimal në Shqipëri nuk do të jetë më pak se 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Se pensionet në tërësi do të njohin një rritje prej 40%. Se rinia shqiptare që po mbaron universitetin do të ketë të paguar nga Republika e Re, me paratë e taksapaguesve shqiptarë 10 mijë stazhe në vit me pagesë minimale prej 200 mijë lekësh për ti mundësuar çdo të riu e të reje një urë material-financiare, një urë profesionele për të kaluar nga bankat e universitetit në tregun e punës, siç e bëjnë vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian.

Taksa e sheshtë 9%. Për bizneset e vogla, 1.5% e xhiros, dhe pulla ndalim-kalimi për hajdutët e zullumqarët e taksave dhe tatimeve. Ulje e kontributeve shoqërore në nivelin 9% do të formalizojnë ekonominë, do të sjellë mijëra operatorë ekonomikë në dritën e formalitetit duke rritur të ardhurat dhe mundësitë e shtetit për t’iu përgjigjur atyre dhe shtresave të tjera si pensionistëve, rinisë, të papunëve, njerëzve në ndihmë speciale për shkak të aftësive të kufizuara dhe çështjeve të tjera. Por premtimi më i madh i Republikës së Re, është që prej ditës së saj të parë e në përjetësi, kurrë më qytetarët nuk do të ulin kokën para pushtetarëve, por pushtetarët, do të ulin kokën para sovranit, para qytetarëve, pa arrogancë, por me besnikëri ndaj ligjit dhe interesit publiK do të kryejnë detyrën e tyre brenda kushtetutës dhe ligjit. Asgjë nuk do të ndryshojë, nëse kjo beteje nuk përfundon me fitore. Por ju e dini dhe unë e di, shqiptarët e dinë dhe e Edi Rama e di fare mirë se, fitorja e kësaj kauze është çështje ditësh, se republika e vjetër po vdes dhe e reja po lind.

Njëmijë e 200 orë qendresë. Miliona orë të qindra e mijëra protestuesve, është investimi më sublim, detyrimi më i madh për ata që me votë të lirë do të marrin peshën e rëndë të ndryshimit të madh përmes Republikës së Re. Sa për mua, i qendroj asaj që u kam thënë. Këtë ditë që po vjen, unë e kam parë dhe e kam jetuar dhe e kam gëzuar në Europë. Dhe e di, që po vjen dhe këtu që ta gëzojnë shqiptarët si europianë të vërtetë. Ju jap fjalën me mirënjohjen më të thellë për sakrificën tuaj se asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ndryshimi po vjen. Fitorja do të jetë e juaja, qytetarë të vendit tim. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët.


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 50 të protestës për votë të lirë e të ndershme, 8 Prill 2017