Bashkëbisedim për problematikat e Qarkut të Vlorës, për zhgënjimet e vlonjatëve, kërkesat dhe shqetësimet e tyre, papunësia në rritje, dhe dëmtimi i turizmit
Në ditën e 70-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme në Sheshin e Lirisë, qytetarë të Vlorës bashkëbiseduan me kryedemokratin Lulzim Basha për qeverisjen e rilindjes, në këto katër vjet.
Duke pasur kryeministrin e vendit si deputetin e parë të qarkut, vlonjatët i kërkuan dy herë llogari për atë që vetë qytetarët e quajnë si gangrenën e qytetit bregdetar, Lungomare-n.
Brikena Danaj dhe Ada folën për problemet e shumta që sjell Lungomare për qytetarët, bizneset dhe turistët. Prej dy vitesh, Lungomare ka paralizuar bizneset e ndodhura përgjatë rrugës ende të papërfunduar.
Pas pak ditësh në Vlorë do të çelet edhe sezoni turistik.
Por përpos problemit të shkaktuar nga Lungomare, qytetarët denoncuan mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike në Orikum, Zvërnec dhe zona të tjera me vlera turistike dhe arkeologjike. Mungesa e infrastrukturës rrugore, vështirëson edhe punën e agjensive turistike për të bërë të mundur turizmin kulturor dhe arkeologjik, të cilin, Vlora e ka pothuajse plotësisht të pashfrytëzuar.
Robert Bega nga Orikumi një pjesë të fajit për këtë e shpjegoi me reformën administrative të ndërmarrë nga Rilindja. Përpara saj Orikumi ishte bashki më vete me të ardhurat e saj të cilat në sezonin turistik arrinin shifrën 1 miliard lekë. Prej dy vitesh që Orikumi është përfshirë në Bashkinë e Vlorës, investimet janë zero.
Alketa Agolli, nënë e tre fëmijëve tha se këto katër vite qeverisje do të mbeten në mendjen e vlonjatëve si qeveria e varfërimit të shqiptarëve. Ajo foli për frikën që ndjen për vajzat e saj dhe të ardhmen e tyre.
Rikard Dervishalliaj, student nga qyteti i Vlorës tha se edhe pse është i ri, përsëri do një kryeminsitër që i vesh, arsimon, paguan dhe kuron më mirë gjatë qeverisjes së tij, sesa të pyesë qytetarët si janë me hashashin, si i kanë gratë apo në fund t’i quaj qenër apo dele.
Enida Cami, mbesa e një familje të persekutuarish në Tiranë gjatë periudhës së komunizmit, në emër të unionit kombëtar të të përndjekurve politik, në emër të unionit artistik kombëtar shqiptar dhe në emër të familjes së Skënder Camit, të persekutuar nga regjimi komunist, mbështetjen e solli nga një thënie e Aristotelit: Do e them të vërtetën troç, edhe sikur të jetë kundër meje, pasi koha do të vijë që edhe të tjerat ta përqafojnë.
Lulzim Basha i tha qytetarëve të Vlorës, se një pjesë e mirë e problemeve të tyre, ata i ndajmë me të gjithë shqiptarët kur vjen puna tek ekonomia dhe mbështetja sociale. Por vlonjatët kanë një lidhje edhe më të ngushtë me kryeminsitrin, i cili në 2013-ën i premtoi vlonjatëve se nuk do t’i braktiste kurrë.
“Si e thanë me të drejtë miqtë tanë nga Vlora sot, nëse ka një fjalë që përkufizon marrdhënien e këtij kryeministri në ikje, me qytetin e Vlorës dhe me Qarkun e Vlorës, ajo fjalë është tradhti. Tradhtia e Edi Ramës ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë nuk shpaloset në asnjë pjesë të territorit më brutalisht sesa në qytetin e Vlorës dhe në Qarkun e Vlorës. Edi Rama u vu në krye të listës së deputetëve të rilindjes dhe lidhi me ta një kontratë specifike, një kontratë morale me elektoratin shqiptar dhe një kontratë të veçantë me elektoratin vlonjat. Mos harroni, themeli i marrdhënies mes qytetarëve dhe pushtetit para se të jenë Kushtetuta dhe ligjet, është kontrata morale me elektoratin, kjo është një e vërtetë e lashtë sa vetë koncepti i demokracisë. Kjo do të thotë se nëse ai që shkel kontratën, që shkel pra zotimet morale me të cilat ka marrë votat, refuzon të përgjigjet përsëri, para votës së lirë dhe të ndershme, anës tjetër të kësaj kontrate, popullit, i lind e drejta e patjetërsueshme ta përmbysë”.
Zoti Basha tha se kryeministri Rama edhe pse gjen kohën të darkojë në vila qeveritare me klientët e tij, me të cilët ndan llokmat e pasurisë në kurriz të shqiptarëve, refuzon të presë në takim kreun e konfindustrisë italiane, për të diskutuar mbi problemet që po shtyjnë bizneset e vogla dhe të mesme drejt mbylljes së qepenave dhe shqiptarët gjithmonë e më shumë drejt papunësisë dhe varfërisë.
“Dje pata nderin të pres në zyrën time, presidentin e Konfindustria italiane , z.Paolo Agnelli, i cili përfaqëson 28 mijë kompani të mesme dhe të mëdha të Italisë fqinje. Me turp të madh konstatove se isha i vetmi ndër përfaqësuesit e lartë shqiptare që e prisja këtë personalitet, nga qeveria nuk i kishin kthyer fare përgjigje, fare.
Një njeri që përfaqëson 28 mijë investitorë të një vendi që tash 27 vjet është vendi me investimet e huaja më voluminoze në Shqipëri, që ka transferuar në Shqipëri kapital, vende pune dhe përvojë në të gjitha fushat, nga kuzhina deri tek teknologjia e informacionit dhe inovacionit.
Edi Rama nuk gjente kohë të diskutonte me kreun e Konfindustrias italiane problemet e mëdha që po shtyjnë dhjetëra investitorë italianë të mbyllin bizneset e tyre në Shqipëri duke larguar qindra-mijëra shqiptarë nga puna, duke i hedhur në mes të katër rrugëve për shkak të taksave të rritura, për shkak të çmimit jokonkurues të energjisë dhe të naftës në Shqipëri dhe rrethanave të tjera rënduese”.
Kreu demokrat Basha i tha qytetarëve se pazaret në kurriz të qytetarëve nuk janë në interes të republikës së re e cila po përgatitet me përgjegjshmëri për të hedhur themelet e drejtësisë.
“Ka nisur të sillet që tani si opozitë e papërgjegjshme ndërkohë që ne, opozita juaj, opozita e qytetarëve shqiptarë, që sot po marrim përgjegjësitë për qeverisjen e nesërme të Republikës së Re.
I shpjegova presidentit Agneli planin tonë ekonomik, që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, duke krijuar një klimë konkuruese për investitorët e huaj dhe biznesin shqiptar, me taksën e sheshtë 9%, me çmime konkuruese të komoditetit bazë, si energjia dhe nafta, të cilat në Shqipëri nën qeverisjen e re, të Republikës së Re, do të kenë çmimin më të ulët dhe konkurues në rajon.
Për vendosmërinë tonë, për të aplikuar metodat europiane të administrimit fiskal duke futur në kazerma ushtrinë abuzive të taksidarëve, duke i mundësuar biznesit të vogël që të vazhdojë aktivitetin i pashqetësuar vetëm me ekspozim të pullës së pagimit të detyrimeve vjetore me vetëdeklarim dhe duke garantuar në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme rend dhe siguri, në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë si një parakusht për klimën e biznesit”.
Lulzim Basha kujtoi se e hap i parë drejt arritjes së standarteve europiane të demokracisë dhe lirisë, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike.