Mesazhi i Lulzim Bashës sot në ditën e 52 të qëndresës për zgjedhje të lira e të ndershme 

 

Më lejoni të falenderoj me mirënjohje miqtë tanë specialë në këtë ditë të 52-të të bashkimit më të madh popullor, të lëvizjes më kombëtare, më patriotike, më europiane, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Falenderoj ata që përfaqësojnë me veprën e tyre, me talentin e tyre, me thellësinë e mendimit dhe ndjenjës së tyre kombëtare, ndërgjegjen e kombit: shkrimtarët shqiptarë dhe përfaqësuesit e këtyre shkrimtarëve që na stolisën sot debatin e kësaj agore në këtë ditë të 52-të dhe të veçantë të protesës sonë.

I dëgjuam me vëmendje dhe respekt të thellë, sepse erdhën të ndajmë me ju, me të gjithë ata që na ndjekin, një pjesë të shpirtit të tyre. Jo thjesht mbështetje pa kushte për këtë lëvizje por edhe shqetësimin e thellë atdhetar dhe dëshirën për ta parë përfundimin e kësaj lëvizje jo thjesht dhe vetëm si fitore të burrave dhe grave që u ngritën dhe u bashkuan tash 52 ditë në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë, por si fitore të çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje të ndershme.

Prej ditës tonë të parë në këtë lëvizje kemi thënë se ngrihemi bashkë. Ngrihemi bashkë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ngrihemi bashkë për një Republikë të Re, e cila nuk do të jetë as vetëm e demokratëve, as vetëm e socialistëve, por e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Një Republikë të drejtësisë, të demokracisë dhe lirisë së vërtetë. Si ato që shohim, ëndërrojmë dhe drejt të cilave arratisen qindra mijëra shqiptarë në dëshpërimin dhe në mungesën e shpresës e mundësive, në vendin e tyre.

 

Që të jetë e tillë kjo Republikë, pushteti me të vërtetë duhet të burojë nga qytetarët me votë të lirë dhe të ndershme. Pushteti me të vërtetë duhet të jetë llogaridhënës dhe përgjegjës para qytetarëve jo një herë në katër vite, por katër herë në ditë, në mënyrë që fati i çdo politikani dhe i çdo pushtetari, pushtetar në qeverisje, apo pushtetar moral në opozitë, të jetë i lidhur pazgjithshmërisht  me një faktor sovran të Shqipërisë, që jeni ju, janë qytetarët shqiptarë.

 

Nuk ka asnjë mekanizëm tjetër për ta garantuar këtë, asnjë model, asnjë formulë, asnjë recetë, përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Asnjë reformë tjetër nuk garanton liritë tuaja. Asnjë reformë tjetër nuk garanton stabilitetin, demokracinë dhe shtetin ligjor.

 

E kam ndarë me miqtë e mi perëndimor dhe dua ta ndaj edhe sot këtu me ju, me dashurinë e madhe që kemi për një aleat strategjik, një populli mik, siç është Italia, dramën që ai vend përjetoi në fillim të viteve ’90, e mbani mend, në përpjekjen e madhe me mafian. Një përpjekje që ngjan në disa aspekte me sfidat që kemi ne si shoqëri karshi krimit të organizuar dhe drogës.

 

Ta zëmë për një moment se me të vërtetë reforma në drejtësi nuk ndodh ashtu siç e ka projektuar Edi Rama për pushtetin e tij dhe të kriminelëve që e rrethojnë, dhe ne ia dalim të zgjedhim gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm.

 

Çfarë do të ndodhë nëse nuk kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme? Nëse nuk e shkëpusim një herë e mirë lidhjen midis krimit dhe politikës, këta gjyqtarë dhe prokurorë në ndershëm, do të vihen menjëherë në shënjeshtrën e politikanëve të korruptuar dhe krimit të organizuar të lidhur me ta. Do të kenë fatin e Borselinos dhe Falcones e shumë të tjerëve të cilët në luftën e tyre të pakompromis me mafian gjetën vdekjen për shkak të një republike të korruptuar, e cila u përmbys në procesin e famshëm të duarve të pastra duke i hapur rrugën Italisë, të pastronte një herë e mirë sistemin politik si domosdoshmëri për t’i dhënë qytetarëve shtet ligjor dhe drejtësi të vërtetë.

 

Kjo është e vërteta e Shqipërisë sot. Nuk është drejtësia e korruptuar që polli politikën e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Jo. Eshtë politika e korruptuar dhe e lidhur me krimin që polli drejtësinë e korruptuar , që ka nevojë për drejtësinë e korruptuar, që është gati të shtrembërojë edhe vullnetin për një reformë në drejtësi që ta mbajë drejtësinë e korruptuar nën kontroll për hir të interesave të politikës së korruptuar të lidhur me krimin.

 

Për këtë, ka vetëm një ilaç. Vetëm një melhem. Zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk mund të jenë produkt i një here, i një kompromisi të arritur për hir të kompromisit. Që kjo çadër të mos ngrihet më në këtë shesh, siç e uron Zija Çela, siç e urojnë të gjithë shqiptarët e ndershëm, saga e zgjedhjeve të manipuluara dhe të diktuara nga krimi dhe droga, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

 

Ndaj, zgjidhjet që ne kemi parashtruar siç janë votimi biometrik elektronik që do të thotë automatikisht edhe numërim elektronik i votës, siç është kufizimi  i shpenzimeve në fushatë elektorale, kriminalizimi i shpenzimeve mbi këtë limit, financimi 100% publik i partive politike, dhe kriminalizimi i financimeve private, këto masa të forta dhe drastike janë të domosdoshme sepse e tillë është situata dhe të gjitha së bashku me zbatimin e plotë të Ligjit të Dekriminalizimit dhe luftën efektive kundër kultivimit të drogës dhe parave të drogës së vitit të kaluar, do të japin garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

***

Afërmendsh që autori politik i kriminalizimit të politikës së vjetër, i hashashizimit të republikës së vjetër, i asgjesimit të shanseve për reformë zgjedhore përmes zvarritjes, nuk mund të jetë edhe autori i zgjidhjes nga pozitat e kryeministrit.

 

Nuk jemi përjashtues, por kemi qenë dhe jemi, ftues, propozues, krijues për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë. E kemi ftuar prej ditës së parë për dialog, e tash e pesë ditë, negociatorët e Partisë Demokratike, janë gati të përgatisin dialogun.

 

Por, dialogun për zgjidhjen që presin shqiptarët, jo monologje shterpë, jo monologje fasadë sa për të kaluar radhën, sa për të bërë fotografitë e rradhës dhe për t’iu kthyer lojës së vjetër se kush e ka fajin. Kjo duhet të marrë fund. Kjo do të marrë fund.

 

Ne i jemi futur kësaj beteje me ndërgjegjien dhe vetëdijen e lartë se është një betejë që nuk i ndan, por i bashkon shqiptarët në domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. I bashkon me urgjencën e spastrimit të institucioneve shtetërore, e partive politike, nga krimi dhe influenca kriminale.

 

Ky është një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjmë qytetarëve shqiptarë dhe brezave që vijnë. Ky është një shërbim ndaj parimeve, vlerave  dhe i standardeve europiane, amerikane, i patriotizmit më të kulluar, atdhedashurisë më të sprovuar që qytetarët mund të dëshmojnë për vendin e tyre, për fatet e këtij vendi.

 

 

Eshtë një lëvizje madhështore, demokratike dhe paqësore. Jo vetëm një lule nuk është prishur, por lulet janë shtuar në këtë bulevard e kudo ku lulëzon një protestë europiane, demokratike, paqësore, por, e vendosur për të mos lejuar më asnjë hap prapa sepse prapa na pret një humnerë e tmerrshme, e zezë, nga e cila as vendi, as qytetarët, as demokratët, as socialistët nuk do të dalin dot. Humnera e një shteti të dështuar, të kapur tërësisht nga krimi dhe nga droga, i cili nuk është në gjendje t’i përgjigjet as nevojës më minimale të qytetarëve të vet, sepse është një shtet jo më në duart e politikës që zgjidhet nga qytetarët, por në duart e krimit që ka kapur politikën.

 

Ndaj, për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, fitorja me çdo kusht e kësaj beteje është një imperativ nga i cili nuk mund e nuk do të tërhiqemi derisa ta realizojmë. Në këto kushte dua të njoftoj të gjithë publikun në këtë çadër dhe shqiptarët kudo ku janë, se koalicioni opozitar i mbledhur në afatin e fundit të limiteve ligjore të regjistrimit, ka vendosur njëzëri, mosregjistrimin e opozitës deri në realizimin e një pakti kombëtar politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike, që do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë me efektivitet drogën dhe paratë e saj dhe do të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Forca jonë është tek bashkimi, forca jonë është tek vendosmëria, forca jonë është tek natyra paqësore, demokratike, por e vendosur dhe popullore e kësaj lëvizje.

 

Ndaj, vendimi i dytë i opozitës së bashkuar rreth kësaj axhende dhe objektivi të madh patriotik, është mbajtja më datë 7 maj, në qytetin kaq simbolizues për demokracinë, për lirinë, në qytetin e Kavajës, të një proteste të madhe kombëtare për të pamundësuar me forcën e bashkimit, përmes një levizje popullore, paqësore dhe demokratike, zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi. Sepse u kemi premtuar qytetarëve shqiptarë, u kemi premtuar qytetrarëve të Kavajës se, kurrë më nuk do ta lemë fatin e tyre në duart e krimit dhe zgjedhjeve të diktuara nga krimi.

Sot në orën 18.00, ju ftoj të bashkoheni të gjithë në këtë çadër, bashkë me krerët e 27 partive politike të opozitës, në këtë ditë të veçantë të qëndresës 52 ditore, për të ndarë bashkë me ju dhe qytetarëve shqiptarë, kudo ku janë, lajmin e mirë se koha e zgjedhjeve fasadë, e parlamentit fasadë, e qeverisjes fasadë, e ekonomisë fasadë, e shëndetësisë fasadë, e arsimit fasadë të republikës së vjetër po perëndon një herë e mirë. Se së bashku nga ky shesh lind dhe merr shtat Republika e Re, Republika juaj, Republika e qytetarëve shqiptarë.