Zonja dhe zotërinj, qytetare dhë qytetarë, patriote dhe patriotë, ushtarë të armatës dhe lëvizjes së madhe popullore për demokraci të vërtetë, për liri të vërtetë dhe për drejtësi të vërtetë.

Nën peshën e zullumeve të pafund, nën peshën e mëkatëve të panumërta në kurriz të shqiptarëve të ndershëm po shembet republika e vjetër, po shembet republika e krimit, po shembet republika e drogës, republika e korrupsionit, republika e mashtrimit, republika e hajdutërisë, republika e pafytyrësisë, republika e pashpirtësisë. Po shembet, sepse pesha e zullumeve dhe e mëkateve kundrejt shqiptarëve të ndershëm është e madhe, por po shembet sepse po e shembni ju, qytetarët e lirë, qytetarët dinjitozë të lëvizjes me dinjitoze, europiane, euratlantike që ka njohur Shqipëria në këto 100 vite.

Republika e vjetër, është mbi të gjitha, komploti më i madh kundër shqiptarëve. Eshtë një komplot politik, është një komplot ekonomik, është një komplot kundër lirive dhe të drejtave të çdo shqiptari të ndershëm.

Në këtë komplot përfitojnë një grusht njerëzish dhe pushtetarësh të cilët kanë bërë zap partitë e tyre përmes aleancës me krimin, kanë shndrruar territorin e Shqipërisë tonë të dashur në një hambar droge dhe një infrastrukturë për prodhimin, kultivimin dhe trafikimin e drogës drejt gjithë vendeve europiane.

Në këtë komplot, marrin pjesë një grusht kriminelësh në shërbim të këtij grushti politikanësh të korruptuar dhe një grushti oligarkësh që kanë shtënë në dorë të gjithë paratë e shtetit dhe buxhetit përmes tenderave korruptivë, të gjitha pasuritë e vendit përmes koncesioneve korruptive.

Një grusht politikanësh të korruptuar, një grusht kriminelësh që i mbajnë në këmbë, një grusht oligarkësh që vjelin ditë për ditë pasuritë e shqiptarëve, ky është komploti ekonomik kundër çdo shqiptari, kundër mirëqënies se çdo familje.

Asgjë nuk ka ndodhur vetëvetiu. Ekonomia jonë është shkatërruar nga autorët e këtij komploti. Papunësia është bërë përditshmëria e shqiptarëve të thjeshtë, çmimet janë rritur, taksat janë rritur, vuajtjet janë shtuar, faturat janë kripur jo vetvetiu por si pjesë e këtij komploti kundër shqiptarit të thjeshtë, kundër shumicës dërrmuese të shqiptarëve, demokratë dhe socialistë, nga një grusht banditësh me pushtet dhe pushtetarësh të bërë njësh me bandat e krimit.

Ky komplot po bën gjithçka që ka në dorë për të mbajtur në jetë republikën e vjetër, republikën e vjedhjes, republikën e krimit, republikën e pashpirtësisë, që është e shurdhët ndaj zërit qytetar e shurdhët ndaj vuajtjeve të shqiptarëve të thjeshtë.

Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e buxhetit të shtetit që kurrë nuk i dhanë për shqiptarët por i përvetësuan në xhepat e tyre dhe në llogaritë e tyre bankare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ata kanë shumë për të humbur, miliardat e drogës që i përfitojnë duke skllavëruar qindra e mijëra fermerë të pashpresë për bukën e tyre të gojës, dhe fëmijët e familjet e tyre.

Miliardat e nxjerra nga droga e narkomafies shqiptare paguajnë sot lobistë të korruptuar europianë dhe amerikanë për të mbajtur në këmbë republikën e vjetër në kurriz të shqiptarëve të ndershëm. Me miliardat dhe milionat e naftës shqiptare paguhen të tjerë lobistë amerikanë dhe ndoshta dhe të tjerë për të mbajtur në këmbë republikën e krimit, republikën e korrupsionit me petrodollarët e korrupsionit, duke shfrytëzuar pasuritë që duhet të shkonin për pensionistët shqiptarë, për ndihmën sociale, për investimet në gjithë pellgun naftëmbajtës dhe anembanë Shqipërisë.

Ky është komploti më i madh në histori dhe ky është komploti më i poshtër dhe më tinzar në histori sepse ka përpara maskën, fasadën e një pseudodemokracie. Një demokraci fasadë, me një parlament fasadë, me deputetë fasadë dhe kukulla, me një qeverisje fasadë, kjo është maska e republikës së vjetër dhe e komplotit të krimit dhe korrupsionit kundër shqiptarëve të thjeshtë, kundër shqiptarëve punëtorë, kundër shqiptarëve të ndershëm.

Lobistët e paguar me paratë e drogës, të narkomafies shqiptare dhe lobisti i paguar i paguar në Uashington me paratë që vidhen nga ARMO dhe nga nafta shqiptare, nuk duan tia dinë nëse ju keni bukë për të ngrenë, bukë për të ushqyer fëmijët tuaj, para për tu blerë atyre këpucë, libra apo lapsa për shkollën. Sepse për ata, Shqipëria nuk është një vend me qytetarë që vuajnë, nuk është një vend me peshën e madhe të padrejtësisë qeveritare, por është një bankë që nxjerr dhe pastron paratë e drogës, paratë e krimit, paratë e vjedhjes së pasurive të shqiptarëve, siç është nafta, siç është ARMO-ja pasuri kombëtare që sot financon lobingje të ndyra në Uashington, kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve.

Por Uashingtoni dhe Europa kanë qendruar jo sot, por tash 100 vjet e gjithmonë, jo në krah të hajdutëve, kriminelëve të korruptuar, por, në krah të shqiptarëve, në krah të Shqipërisë, në krah të kombit shqiptar, siç qendrojnë edhe sot në krah të kësaj lëvizje popullore, në krah të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në krah të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë së vërtetë.

Ora po vjen që do ti kthejne paratë e naftës shqiptare, që do të përgjigjen një më një për paratë e narkomafies shqiptare me të cilat kanë lobuar kundër demokracisë, kundër lirisë së zgjedhjeve, kundër të drejtave themelore të njeriut. Do të kthejnë paratë dhe do të mbajnë përgjegjësi përpara drejtësisë shqiptare, para drejtësisë amerikane dhe para drejtësisë së vendeve të Bashkimit Europian.

Ky komplot i madh, kjo republikë e vjetër ka bërë gjithçka që faktet e mjerimit të përditshëm të shqiptarëve dhe arsyet e thellimit të këtij mjerimi, të mbahen të fshehta apo të shtrembërohen sipas oreksit të qeverisë së inkriminuar të republikës së vjetër.

Do të doja shumë ta merrja unë kredinë që ua çorrëm këtë perde dezinformimi dhe propagande, por merita nuk është e imja, merita nuk është as e partisë sime, merita është e juaja qytetare dhe qytetarë të lirë shqiptarë, që në 47 ditë qëndrese të pashembullt, e paprecedent, i treguat miqve tanë se fytyra e vërtetë e Shqipërisë nuk janë kriminelët me të cilët qeveris Edi Rama, por jeni ju europianët, euroatlantikët, populli më fisnik, më kurajoz dhe më i vendosur për lirinë e tij dhe të drejtat e tij.

***

Republika e vjetër është në grahmat e saj të fundit, por ka shumë, shumë për të humbur dhe në këtë orë të vendimmarrjeve të mëdha, kërkon që dialogun politik, që kjo lëvizje e madhe popullore e parashtroi si zgjidhjen racionale të krizës së thellë politike, ekonomike dhe psikologjike ku ky kryeministër ka zhytur vendin, dialogun politik, si mënyra më e paqtë për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e zgjedhjeve të lira e të ndershme përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, ta kthejë në një pazar për mbijetesën e republikës së vjetër, në një pazar që komploti ekonomik, politik kundër shqiptarëve të vazhdojë.

Dhe për këtë pazar kanë hedhur gjithçka që kanë miliardat, pozicionet, pushtetin e tyre me një dhe një qëllim; të mbajnë në këmbë qeverinë e krimit, qeverinë që e shndërroi Shqipërinë në prodhuesin dhe shpërndarësin numër një të drogës në Europë, qeveri që i mbylli Shqipërisë rrugën e anëtarësimit në Europë dhe u rrezikon shqiptarëve heqjen e vizave.

Nuk duan një dialog ashtu siç e ka përcaktuar populli më 18 shkurt, ashtu siç ushton jehona e 18 shkurtit ditë për ditë në këtë shesh, por duan një dialog fasadë, një dialog me fjalime të parapërgatitura. Ju e mbani mend se për çfarë e kam fjalën, e kam fjalën për të ashtuquajturin dialog të 6 qershorit të vitit të kalur ku opozita shqiptare shkoi e gatshme, me vullnet dhe e përgatitur për të dhënë zgjidhjen e saj për një drejtësi të vërtetë e të pakapur, e cila nuk mbronte, por ndëshkonte korrupsionin dhe krimin. Ndërsa, pala qeveritare erdhi me të vetmin synim, të ruante projektin e kontrollit politik mbi drejtësinë dhe po me këtë qëllim erdhi me fjalim të parapërgatitur, pra qartësisht me objektivin për të refuzuar zgjidhje. Ky nuk është dialog, këto janë monologje, monologje shterpë nga ato që ju keni dëgjuar me shumicë në këto tri vite e gjysmë, në tribunën e Parlamentit, në fshatra dhe qytetet tona, të dielë për të dielë nga Facebook-u. Nëse për çdo monolog, qytetarët shqiptarë do të kishin përfituar një mijë lekë, sot do të ishin milionerë.

E pra, ky është vendi, dhe tani është moment t’iu them ju, miq të mi, dhe qindra mijëra, miliona shqiptarëve që na ndjekin, se monologje shterpë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj! Jemi të hapur siç e kemi thënë prej ditës së parë për një dialog të vërtetë politik me dy objektiva: ndërtimin e qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike dhe përcaktimin e mandatit të kësaj qeverie për; dekriminalizimin e plotë të institucioneve të shtetit shqiptar, luftën e vërtetë kundër drogës dhe parave të drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për dialog në funksion të zgjidhjes që i shërben çdo shqiptari, ftoj dhe mirëpres çdo faktor politik të përgjegjshëm dhe ky është momenti t’i bashkëngjis mirënjohjes sime, që besoj që është edhe çdo qytetari shqiptar pavarësisht bindjeve politike, për përgjegjshmërinë e treguar nga njëri prej partnerëve të koalicionit para tre ditësh, edhe përfaqësuesve politike të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, për qëndrimin e shfaqur.

***

Kjo është një lëvizje popullore. Prej ditës së parë kemi mirëpritur këtu jo vetëm ata që mendojnë si ne, por edhe ata që mendojnë krejt ndryshe nga ne.

Kjo është forca e kësaj lëvizje popullore. Kjo është forca e këtij fronti të madh e të bashkuar kundër krimit, kundër drogës, kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. E vetmja pengesë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sot, është frika e Edi Ramës për të lëshuar karriken e kryeministrit.

Kjo zbulon në të njëjtën kohë edhe planin ogurzi, personalisht të tij, që përmes pushtetit që mban si kreu i ekzekutivit  të ushtrojë një mijë e një të zeza për procesin zgjedhor në aleancë me krimin dhe në aleancë me falangat e drogës.

Prandaj e përjeton si dramë largimin nga posti i kryeministrit dhe është gati të sakrifikojë themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Eshtë gati të bëjë fli interesin e çdo shqiptari dhe interesat e Republikës së Re që po lind, interesat e Shqipërisë europiane, vetëm e vetëm për karriken dhe pushtetin e tij personal.

E pra, sot i themi se shqiptarët e kanë kuptuar lojën e pisët dhe të vjetër që e drejton tash katër vjet.

Se shqiptarët nuk do pranojnë më kurrë të jenë delet e një komploti politik dhe ekonomik drejtuar kundër të drejtave të tyre, kundër ekonomisë së tyre, kundër mirëqenies së tyre, dhe për këtë arsye, jemi sot këtu. Sepse në mënyrë që kjo të marrë fund, Shqipëria duhet të ketë jo vetëm këtë herë, por që nga kjo herë, çdo here, vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ne e dimë se nëse pranojmë kompromise dhe pazare në kurriz të këtij interesi të madh kombëtar, asgjë nuk do të ndryshojë në këtë vend. Asgjë nuk do të ndryshojë në institucionet e kalbura e të korruptuara të republikës së vjetër. Asgjë nuk do të ndryshojë në mirëqenien e shqiptarëve, në fuqinë e tyre blerëse, në nivelin e rrogave dhe pensioneve, në cilësinë e shëndetësisë dhe arsimit. E njëjta lojë, i njëjti teatër kukullash, e njëjta fasadë do të vazhdojë të shfaqet në sytë e shqiptarëve.

I njëjti monolog do t´u këndohet ditë për ditë e natë për natë. Asgjë nuk do të ndryshojë, po nuk shporrëm një herë e mirë krimin nga dhe po nuk i dhamë fund, problemit dhe kërcënimit të jashtëzakonshëm që droga paraqet:

Kërcënim për shëndetin e shqiptarëve, për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për ekonominë tonë dhe për sistemin tonë demokratik.

Por, ne jemi këtu jo vetëm sepse jemi të vendosur që mos ta lëmë më këtë gjendje, jo vetëm sepse besojmë se asgjë nuk do të ndryshojë nëse kjo betejë nuk fitohet e plotë me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me qeveri teknike. Ne jemi këtu, sepse ne të gjithë besojmë dhe së bashku punojmë, që asgjë të mos jetë më si më parë.

***

Republika e Re do të jetë pronë e qytetarëve shqiptarë. Pushteti politik do t’i takojë jo një herë në katër vite, por çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë vetëm qytetarëve shqiptarë. Në Republikën e Re, qytetarët shqiptarë do të jenë zotër të fateve të tyre. Do të jenë pushtetarët ata që do të ulin kokën para qytetarëve dhe jo anasjelltas. Arroganca do të marrë fund.

Në këtë komplot të madh ku janë përfshirë edhe ata që nuk kanë interesat e shqiptarëve dhe Shqipërisë në zemër, por interesa të xhepave që i kanë mbushur me paratë e drogës shqiptare dhe të naftës shqiptare, në këtë betejë ku hidhen miliarda nga krimi i organizuar, ku janë bërë njësh korporata e mediave të korruptuara të cilat mbushin xhepin me paratë e shqiptarëve për të treguar broçkulla dhe gënjeshtra në ekranet dhe gazetat e tyre nga mëngjesi deri në darkë, në këtë betejë, garancia, siguria për fitore jeni vetëm ju.

Ju jeni njerëzit që ndryshuat rrjedhën e historisë, që e nxorët Shqipërinë nga bataku i vjetër, që u përballët nga kjo çadër e lirisë me kërcënimet mashtrimet dhe presionet e komplotit të narkomafias shqiptare dhe politikanëve të korruptuar shqiptarë, dhe ju do të jeni që do ta çoni këtë betejë deri në fund me fitore, me fitore, me fitore.

E drejta e votës qendron mbi çdo të drejtë tjetër të shkruar në letrat e ligit. Gjithçka tjetër është në funksion të së drejtës së votës. Nëse nuk ka votë të lirë, nuk ka demokraci, nuk ka shtet ligjor, nuk ka ligj, nuk ka drejtësi, nuk ka liri.

Ja pse kjo nuk është një betejë në radhën e betejave, por beteja e betejave.

Ja pse as ju, as unë, nuk e përfundojmë dot këtë betejë dhe as nuk kthehemi dot nga kjo betejë përveçse me fitoren totale të kësaj beteje.

E  hapur mbetet ftesa për dialog, për qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie teknike.

Por nëse lojërat me cicmicet janë përgjigjia e vetme e republikës së vjetër, dhe atyre që kanë filluar të numërojnë mbrapsht orët e privilegjeve të pushtetit, atëherë nga ky shesh ju themi se përballja do të jetë përgjigja jonë deri në fitore.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 48 të protestës popullore për votën e lirë e të ndershme, 6 Prill 2017