Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bashkëbisedoi sot me aleatët demokristianë në ditën e 61 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, të cilët shpallën bashkimin e tyre në Sheshin e Lirisë, si shenjë e fuqizimit dhe e mbështetjes së kauzës për votën e lirë. Partia Demokristiane e Nard Ndokës dhe Lëvizja Demokristiane e Mëhill Gecajt vendosën sot unifikimin e tyre. Në bashkëbisedim morën pjesë intelektualë si Frrok Cupi, aktivistë të demokristianëve, qytetarë të angazhuar dhe përfaqësuesit e demokristianëve të Kosovës, si dhe pjestari i koalicionit opozitar, z.Vangjel Dule.

Gecaj u shpreh se po ndërmerr hapin e bashkimit me Partinë Demokristine për të fuqizuar qëndresën dhe rezistencën ndaj qeverisë së inkriminuar, për të rritur forcën për zgjedhje të lira e të ndershme.

Nadr Ndoka ka vlerësuar diversitetin që ka sot opozita që është shumë plurale në forcat që janë bashkuar.

“Të gjithë ku që protestoni në cadrën e lirisë, sillni shpresë, guxim dhe kurajo për cdo njeri sot. Për Alternativën Demokristiane, kjo është një ngjarje e vecantë. Bashkimi ynë bashkë me z.Gecaj fuqizon alternativën tone, edhe si bashkëpunotëre e ngushtë me Partinë Demokratike. Eshtë meritë e Partisë Demokratike e cila ka ruajtur pluralizmin tek e djathta. Ka një mozaik vlerash dhe ngjyrash tek opozita e bashkuar sot, tek e djathta shqiptare.

Kjo është e vecanta e kësaj opozite, e këtij bashkimi. Kemi përballë një parti që nuk ka program, madje ata duan të nxjerrin njëri-tjetrin nga koalicioni.

Partia Socialiste thotë, të nxjerrim jashtë LSI-në që na bëri pis qeverisjen. LSI thotë të ndahemi nga Partia Socialiste sepse na turpëruan me keqqeverisjen e tyre, me koncensionet duke krijuar një klimë mosbesimi tek shqiptarët. Kemi një mazhorancë në agoni, dy parti që kacafyten me njëra-tjetrën, që janë problematike edhe për institucionet shqiptare.

Do t’i bëj thirrje kryeministrit Rama që të ikë, dhe kjo është më e pakta që ne kërkojmë. Për reformën zgjedhore, e vetmja kërkesë e Ramës në vitin 2009, ishte përjashtimi i LSI-së nga skena politike. Rama kërkoi ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit me këmbëngulje për ta bërë presidentin palë, jo një person mbi palët si garantues i Kushtetutës dhe unitetit kombëtar por i zgjedhur nga një palë. Sot ai nuk e njeh as këtë institucion. Sot kjo mazhorancë ka shpallur kapitullimin e vetë”, u shpreh Nard Ndoka.

Lulzim Basha përmendi vazhdimin e politikës së krimit të Ramës, sic po dëshmohet në Kavajë, dhe presionet e pashembullta ndaj administratës e qytetarëve për të mbajtur me cdo kusht pushtetin atje.

“Shikoni Kavajën sot. Ikën një kriminel, një përdhunues i dënuar në Itali, një trafikant i dëbuar nga Zvicra, dhe kë kandidon? Mëkëmbësin e kriminelit. Dhe në funksion të mëkëmbësit të kriminelit, cfarë bëjnë? Presion absolut, shkollave dhe gjimnazeve të Kavajë, presion absolut mësuesve, presion absolut prindërve. Pse? Sepse mëkëmbësi i kriminelit duhet të fitojë me cdo kusht, edhe kur nuk ka kundërshtarë përpara. Kjo është fytyra e vërtetë e republikës së vjetër, e qeverisë së inkriminuar që mundohet ta mbajë atë në këmbë.

Dhe, ndërkohë që hedh gjithë këto hapa, dhe investohet rëndë për të mbuluar të vërtetën, këtej na del si engjëll. Kërkon shtyrjen e datës së regjistrimit, për të mirën tonë. Për të mirën e shqiptarëve, jo për të mirën e partive, zgjedhje të lira dhe të ndershme do të ketë vetëm me një qeveri teknike e cila do të luftojë krimin, e cila do të uftojë drogën dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sa për atë thënien, ti me bukë e ne me gurë, po të them që nuk lahet mjalti me shëllirë. Këtë mjaltin që ke gatuar vetë, ke vetëm një rrugë që mos ta hash të gjithin vetë, duke iu bashkuar një pakti kombëtar politik i cili një herë e përgjithmonë do të braktisë projektet e republikës së vjetër, interesat e republikës së vjetër që janë një grusht njerëzish, një grusht pushtetarësh, një grusht oligarkësh dhe një grusht kriminelësh, dhe do të përqafojë vetëm axhendën e interesit publik të qytetarëve shqiptarë. Eshtë rrugë e ndershme, dhe ne nga ky shesh, e ofrojmë me fisnikëri, edhe pse ti nuk e meriton, sepse ke qenë shkaktari, arkitekti i republikës së vjetër, i republikës së krimit dhe korrupsionit.

Por harroje, se do të ketë tërheqje nga ky projekt. Republika e Re po vjen. Republika e Re është e pashmangshme, është një realitet që e do cdo shqiptar. Cfarë do të thotë Republikë e Re? Republika e Re do të thotë që në kushtet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, vetëm përmes një qeverie teknike që i garanton ato, në këto kushte, dhe vetëm në këto kushte, sovrani, qytetarët do të vendosin me votë të lire”, tha Basha.

Duke folur për Republikën e Re, Lulzim Basha u shpreh:

“Dhe me votë të lirë edhe qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë ajo, edhe opozita e ardhshme, nuk do të kenë asgjë të përbashkët me këto që kemi sot.

Përse e them këtë? Sepse në kushtet e Republikës së Re, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe institucionale, do të jetë e pamundur të kemi një qeveri arrogante me qytetarin. Të kemi një shtet arrogant me qytetarin dhe servil me pushtetarin.

Do të jetë e pamundur që një qeveritar apo një kryeqeveritar që guxon t’i kryejë vendit këto mënxyra që kjo qeveri i bëri për katër vite, të vazhdojë të qëndrojë në fron, sepse Republika e Re do të ketë të gjitha instrumentat për ta rrëzuar për 24 orë cdo qeveri që tenton të dalë mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin. Dhe një opozitë e cila do të ketë të drejtat e plota kushtetuese dhe ligjore për të bërë rolin pa të cilën nuk mund të ketë demokraci, kontrollin e plotë, kontrollin dhe balancën e pushtetit. Në këtë mënyrë, do të sigurojmë që kushdo që merr përsipër të shërbejë në politikë, kushdo që merr përsipër të kërkojë votën për të qenë në pushtet, apo për të përfaqësuar shqiptarët në opozitë, ta dijë se, nuk do të jetë një profesion për t’u pasuruar brenda natës, por do të jetë puna më e vështirë, më e sikletshme, më llogaridhënëse para sovranit dhe pronarit të vërtetë të këtij vendi, që janë qytetarët e Republikës së Re, janë shqiptaret dhe shqiptarët e ndershëm. Këto parime gjejnë përkthim në shprehjet e dokumentave moderne ku Shqipëria është palë dhe ku Shqipëria ka marrë tashmë angazhime para botës.

Nuk ka vende anëtare të BE-së, që nuk garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por këto parime kanë lindur me vetë identitetin europian, me konceptin e Republikës europiane. Res-publika europea, apo Respublica christiana, sic e njohin miqtë tanë demokristianë ku themelor është dhe mbetet dinjiteti i individit, i cili nuk mund të garantohet nga një shtet i fortë, por do të garantohet nga një qytetar i fortë dhe një shtet në shërbim të qytetarit.

Këto janë shinat mbi të cilat do të ecë ky projekt. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë investimi i parë në këtë drejtim”.


Njoftim per shtyp, 19 Prill 2017