Bashkëbisedim në Sheshin e Lirisë për gjendjen e sotme në Qarkun e Fierit, shkatërrimin e ekonomisë, të arsimit, të shëndetësisë. Varfëria dhe ikja masive e të rinjve, shpërdorimi dhe pasurimi i oligarkëve me pasuritë e mëdha që ka ky qark, si nafta dhe bujqësia.
Paraditen e së martës në Sheshin e Lirisë, qytetarë të Fierit nga shtresa të ndryshme shoqërore, profesionale, ekonomike dhe sociale bashkëbiseduan me kryetarin demokrat Lulzim Basha lidhur me problematikat që ata dhe bashkëqytetarë të tyre hasin në qarkun e Fierit.
Emiljano Mone, me profesion inxhinier denoncoi planin e kësaj qeverie për ndërtimin e një inceneratori, për të cilin, qytetarët e Fierit kanë dalë në protestë. Ai tha se ndërtimi i këtij inceneratori, jo vetëm shkel kushtet bazë të nevojshme, si largësia nga vendet e banuara apo pikat e furnizimit me resurse natyrore (elektricitet, gaz etj.)por mbi të gjitha është vendosur të ndërtohet pa i pyetur fare banorët e zonës, si e kërkon edhe ligji. Emiljano Mone akuzoi qeverinë se po përdor resurset natyrore të Fierit dhe gjithë Shqipërisë vetëm për pasurimin e tij dhe të disa kompanive të lidhura me të.
Altin Malokaj, specialist bujqësie tha se fermerët fierakë përballen me faktin se nuk kanë treg ku të sheshin prodhimet e tyre, të cilët i lënë në ara, ku dhe i kalben duke çuar dëm punën dhe mundin e tyre. Mungesa e rrugëve e ndërthurur me rritjen e vazhdueshme të çmimit të naftës e bëjnë edhe më të pamundur transportin e mallit.
Ermal Stefa nga Lushnja tregoi për një studim të kryer me një kompani kosovare për bujqësinë dhe fermerët. Shqetësimi kryesor i tyre ishte mossubvencionimi, akciza e lartë dhe tregu i shitjes – tha ai – dhe fermerët thonë gjithashtu se po u kalben perimet dhe frutat në sera sepse prodhojnë por nuk kanë ku të shesin.
Erlind Kapllani, tregoi se sipërmarrësit fierakë, mes të cilëve edhe ai vetë, kanë mbyllur qepenat pasi nuk përballojnë dot taksimin e lartë dhe fuqinë blerëse të dërrmuar të qytetarëve fierak.
Financierja Luljeta Sejko tha se falimentimi i sipërmarrësve vjen jo vetëm si shkak i rritjes së taksave dhe tarifave vendore dhe qendrore, por edhe për shkak të investimeve selektive. Tenderat i marrin ato firma që janë pranë kryetarit të Bashkisë – tha Luljeta Sejko duke sjellë edhe disa shifra. Si mund të besohet, tha Sejko, se rritja ekonomike ka ardhur me 3.4% kur njëkohësisht shifra e papunësisë është rritur dhe pagat jo.
Ylli Salaj inxhinier nga Patosi, tha se i vetmi moment kur rilindja ka investuar për Fierin ishte për betonizimin e tij dhe projektin e Rilindjes Urbane. Investohet aty ku është investuar tre-katër herë më parë – tha inxhinieri duke akuzuar kryeministrin, se po shpërdoron pa përgjegjësi paratë e popullit në projekte fasada pa asnjë funksion lehtësues në jetën e qytetarëve.
E tillë ishte dhe dëshmia e Alban Ferros, mjekut i cili denoncoi falimentimin e shëndetësisë në spitalin e Fierit. Spitalit i ka bërë një fasadë të bukur, por pas saj ka vetëm skamje – tha mjeku duke vijuar më tej – salla operatore ishte bosh dhe për këtë arsye, shumë mjek të mirë reaguan dhe pezulluan operacionet në spitalin e Fierit. Ferro kërkoi që në Republikën e Re t’i kthehet dinjiteti bluzave të bardha sepse sipas tij, hajdutët e vërtetë fshihen pas koncesioneve, jo pas uniformave të bardha.
Në anën tjetër Zana Numani, me një eksperiencë mbi 25 vite në arsim në Fier, tha se kjo mungesë investimesh dhe infrastructure, rëndon edhe mbi supet e fëmijëve të tyre, të cilët duhet të përshkojnë kilometra të tëra për të mbërritur në shkolla që janë pa ngrohje, pa laboratorë apo mjete didaktike të nevojshme për edukimin e tyre. Numani e përshkroi situatën e mësuesve sot me një citim nga Pashko Vasa: Më thuaj tani mësues si je, si një lis i rrëzuem përdhe.
Kryetari Lulzim Basha i tha bashkëbiseduesve të Fierit, se gjendja e tyre e jetesës, jo vetëm nuk duhet të ishte ajo e varfërisë dhe skamjes, por duhet t’i përgjigjej gjithë këtyre pasurive dhe aseteve përmes investimeve në përmirësimin e jetës së qytetarëve të qarkut Fier.
“Një qark me pasuri të jashtëzakonshme natytore, siç është nafta, në këtë qark gjendet pellgu më i madh naftëmbajtës në Shqipëri, Ballkan dhe Europë. Në këtë qark ndodhet sasia më e madhe e tokës së punueshme bujqësore në Shqipëri. Në këtë qark kalon dhe një nga investimet kryesore të huaja në Shqipëri, gazsjellësit TAP, i kontraktuar gjatë qeverisjes së kaluar, me të cilën vetëmburret kryeministri i dështuar i këtyre 4 viteve, që nuk ka sjellë një investim të huaj, por ka larguar disa investime përmes pasigurisë, krimit dhe korrupsionit. E megjithë këto pasuri, resurse dhe asete, prapë se prapë, banorët e Qarkut të Fierit jetojnë në varfëri dhe një pjesë prej tyre në varfëri ekstreme. Numri i bizneseve që janë mbyllur në Qarkun e Fierit, është i dytë më i larti në Shqipëri. Numri i të rinjve që janë larguar në këto 4 vite nga Qarku i Fierit, është i dyti në Shqipëri, pas Qarkut të Kukësit. Sasia totale e taksave të rritura që qytetarët e Fierit paguajnë, përllogaritet në 250 milionë euro në vit më shumë”, tha Basha.
Lulzim Basha theksoi se e vërteta e fierakëve është bërë më e dhimbshme nga viti në vit duke vënë përballë tyre realitetin e shtetit të Edi Ramës.
“Dje është firmosur një koncension i ri plot 100 milionë euro për laboratorët e mjekësisë, një skemë e pastër vjedhje dhe korrupsioni e cila firmoset në prag të zgjedhjeve, si pjesë e pazareve të peshkut që është qelbur nga koka dhe si lajtmotiv i republikës së vjetër që është komploti ekonomik kundër xhepave, tryezave dhe fateve të çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje. 100 milionë euro do të mjaftonin që çdo vit çdo pensionist të kishte rritje 25% pensioni, por nuk ka rritje pensioni për pensionistët, sepse lekët i vjedh Edi Rama me hajdutët e tij”, tha Basha.
E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund këtij komploti në kurriz të fierakëve, është sigurimi i zgjedhjeve me votë të lirë që do të garantojë një republikë të re në interes vetëm të qytetarëve.
“Përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ku qytetartë do të kenë fatin e tyre në dorën e tyre dhe qeveria që del do të jetë përgjegjësë para tyre dhe jo para oligarkëve jo para kriminelëve. Qeveria e re, e Republiës së Re, do të investojë 150 milion euro në vit në bujqësi nga të cilat 100 milion do të jenë subvecione të drejtëpërdrejta për fermerët.
Biznesi i vogël nuk do ta shohë e nuk do ta njohë më taksidarin shqiptar. Me një pullë të vetme të fiksuar në derën apo dritaren e biznesit të vogël, cdo taksidar që do të futet brenda do të prangoset për korrupsion nga policia e re e Republikës së Re. Shqiptarët në qeverinë e re të republikës së re do të shohin investime për shkollat e fëmijëve të tyre. Në asnjë qytet, në asnjë lagje, në asnjë fshat nuk do të ketë ndërtesë më dinjitoze se godina e shkollës. Fëmijët shqiptarë do të një rregjim europian të shkollimit.
Nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 4 të pasdites, pas mësimit do të kenë mundësinë të bëjnë detyrat ose të angazhohen në sport, në kulturë, në gjuhë të huaja, nën mbikqyrjen e mësuesve shqiptarë rrogat e të cilëve do të jenë dy herë më të larta se sot, me paratë që do tu marrim hajdutëve të koncesioneve dhe korrupsionit”, tha Basha.