Sot me kënaqësi të jashtëzakonshme kemi dëgjuar në këtë agorë fjalën, të vërtetën e korçarëve, e qytetarëve dhe fermerëve të Korçës, që janë sot, jo për herë të parë, jo vetëm pjesëtarë të këtij tempulli të lirisë, por edhe flamurtarë të këtij bashkimi të madh qytetar, popullor për Republikën e Re dhe për zgjedhje të lira e të ndershme.

Dita e sotme është fillimi i javës së 11-të të kësaj proteste, protestë e cila ka një qëllim, një objektiv; zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Por ajo që lindi përmes kësaj proteste, ky bashkim i madh i shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, përkatësie krahinore, fetare apo statusi ekonomik dhe social, ajo që lindi përmes këtij bashkimi të madh popullor, ëndrra për Republikën e Re, ka hedhur vetëm hapin e parë.

Ne me forcën e bashkimit do t’ia dalim ta fitojmë totalisht betejën për zgjedhje të lira e të ndershme. Por kjo betejë është vetëm e para, vetëm e para betejë që na pret në rrugën drejt Republikës së Re, drejt atij realiteti për çdo shqiptar, për çdo kryefamiljar, për çdo nënë e baba, për çdo të ri e të re, për pensionistët, për studentët, drejt atij realiteti që nuk do të ketë asgjë të përbashkët me realitetin e sotëm ku është kredhur Shqipëria.

Të vërtetat e sotme të çdo shqiptari shpalosen këtu, pa censure, me njëri tjetrin, sepse arma e fuqishme e oligarkisë, që janë mediat e kapura, për fat të keq, kanë 70 ditë që censurojnë fjalën e qytetarëve dhe japin vetëm fjalën time, ndaj unë, përpiqem të bëj një përmbledhje. Kjo armë e fuqishme që grasatohet me zhaget e korrupsionit, që lyhet me paratë e taksave të shqiptarëve dhe madje është dhe pjesë e narko-kartelit, kjo media, nuk kam fjalën natyrisht për operatorët, për gazetarët, të cilët i përshëndesim dhe që kanë qenë dhe janë pjesë e pandashme e këtij bashkimi qytetar, po për një grusht pronarësh që e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e kupolës së Republikës së Vjetër, përmes parave të korrupsionit dhe 101 marifeteve, i pret zërin qytetarëve, teksa flasin të vërtetat e tyre të dhimbshme, këtu në këtë çadër, siç e kanë censuruar tash 4 vjet, Shqipërinë e halleve dhe problemeve, duke mos shikuar kudo ku ajo është, në shtëpi, në punë, në fusha e kudo tjetër.

Pra, hallet e njerëzve, që shpalosen këtu ditë për ditë dhe Republika e Re, ai realitet që nuk do të ketë asgjë të bëjë me realitetin e sotëm. Gjithçka do të ndryshojë dhe asgjë nuk do të jetë më si më parë. Republika e Re do ti adresojë këto probleme, duke vënë në dispozicion të zgjidhjes gjithë asetet e Republikës së Re, asetet e Shqipërisë, që do ti kthehet shqiptarëve.

Kështu do të mundësojmë në Republikën e Re që fermerët e mashtruar, të zhgënjyer, të braktisur, e të goditur deri në palcë, nga padrejtësitë, dredhitë, taksat, dhe tregu i shkatërruar për prodhimet e tyre, të rikthehen fuqishëm në ekonominë shqiptare, jo thjesht duke prodhuar sa për të mbajtur frymën gjallë, por duke u bërë një pjesë e rëndësishme e luftës kundër varfërisë, e zhvillimit rural dhe një tregu ku përfitojnë jo vetëm ata, por edhe konsumatorët e prodhimeve të tyre, e djersës së tyre.

Ne do ta mundësojmë këtë në Republikën e Re, kur qindra milionë euro që sot i përpijnë kuçedrat e koncesioneve dhe tenderave me në krye Edi Ramën, do ti rikthejmë sipas një skeme prej 1.5% të prodhimit të brendshëm, shpenzime për bujqësinë.

Në Republikën e Re, 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore vit për vit, çka do të thotë se, mesatarisht, siç u shpreh këtu edhe profesor Bardh Sallaku, do të thotë, afërsisht pesëdhjetë mijë lekë për dylym asistencë, subvencion, çdo fermeri, çdo familjeje fermere.  Zerim pra, i akcizës, i taksave dhe i gjithë peshës së madhe që sjell abuziviteti me fidanët, me farërat, me plehrat kimike dhe inpute të tjera bujqësore, që i shërbejnë një qëllimi, pasurimit të një grushti njerëzish.

***

Për studentët, Republika e Re do të mundësojë anullimin që në orën e parë të këtij ligji të tmerrshëm për arsimin e lartë, kthimin dhe forcimin e autonomisë universitare, që do të thotë që, për fatet e universiteteve do të vendosin vetë kolegjet e padagogëve dhe studentëve dhe jo ministrat e korruptuar, të kupolës së korruptuar të republikës së vjetër.

Me uljen e tarifave shtetërore, mbështetjen financiare të universiteteve publike, Republika e Re do të mundësojë që asnjë studenti, asnjë biri dhe bije shqiptari të mos i mohohet e drejta për shkollën e lartë, për shkak të pamundësisë ekonomike.

Dhe, studentëve që mbarojnë studimet, Republika e Re do t’u mundësojë një urë 1 vjeçare nga bankat e shkollës tek tregu i punës, përmes stazheve të paguara, 200 mijë lekë të vjetra në muaj, plus sigurimet, me qëllim që të rinjtë dhe të rejat shqiptare të kenë erën e mbarë në velat e anijeve të tyre, të cilat do të hynë në tregun e punës të një ekonomie të çliruar nga oligarkia, nga terrori, nga taksat e larta, nga pasiguria dhe nga krimi.

Në Republikën e Re koncesionet e derrave të korrupsionit që mblidhen nga mëngjesi deri në darkë, për të ndarë mes tyre, paratë e gjakut dhe djersës së shqiptarëve, do t’u kthehen edhe pensionistëve shqiptarë dhe në krye të katër vitetve të para të qeverisë së parë të Republikës së Re, pensioni minimal i shqiptarëve do të jetë jo më i vogël se 250 mijë lekë të vjetra, dhe do ketë rritje prej 40% në të gjithë sektorët e pensionit.

Këto do të jenë avantazhet e para të një Shqipërie ku asgjë nuk do të jetë si sot.

***

Por asgjë nuk do të ndryshojë, nëse ne lëmë në këmbë mekanizmin kriminal dhe korruptiv që ndërtoi dhe çimentoi kupolën kriminale dhe korruptive të Republikës së Vjetër. Ju e njihni fare mirë se cili është ky mekanizëm, ia keni parë bëmat e një Shqipërie me ekonomi të falimentuar, e një Shqipërie me taksat më të larta në rajon, me çmimin e energjisë më të lartë në rajon, me çmimin e naftës ndër më të lartët në Europë, që prapë se prapë, jo vetëm nuk ia del ti përgjigjet nevojave të qytetarëve, por i bën hi 600 milionë euro me qoka korruptive të Edi Ramës, me buzëkuqin e fasadave të të ashtuquajturës Rilindje Urbane, me shëndetësi të falimentuar, ku shushunjat pijnë gjakun e pacientëve dhe familjarëve të tyre përmes koncesioneve korruptive që janë bërë të larta sa mali i Dajtit.Me arsim në recension total, me pasiguri në rrugët tona, me Shqipërinë në pararojë të krimit dhe prodhimit të drogës, këto janë gjëmat e republikës së vjetër, këto janë gjëmat e kupolës kriminale.

Ju i dini të gjitha këto, por sot është rasti t’u përsërisim së bashku shqiptarëve mekanizmin kriminal, se si të gjitha këto bëhen të mundura. Mekanizmi kriminal i kupolës kriminale të republikës së vjetër, është mekanizmi i pazarit me interesin qytetar, me të ardhurat e qytetarëve, me burimet e vendit dhe me drogën që ka lulëzuar kudo. Emri i mekanizmit është pazari, njësoj si pazari i 1 Prillit para katër vitesh, që është dhe themeli i kupolës politike të republikës së vjetër, pazari ka vazhduar pa pushim ditë e natë.

Kupola politike e republikës së vjetër ekziston vetëm për një qëllim: që të pasurohet dhe të mbrojë pasuritë që vë në kurriz të shqiptarëve.

Ky bashkim shqiptarësh do ta zëvendësojë qeverinë që ekziston vetëm për pasurimin dhe pushtetin e saj dhe që kontrollohet nga krimi dhe droga me një një qeveri që kontrollohet nga qytetarët shqiptarë. Ky është thelbi i Republikës së Re, të zëvendësojmë pazarin e peshkut që është qelbur nga koka me kontratën morale mes bashkimit më të madh të shqiptarëve në histori dhe një qeverie që do të dalë vetëm nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë.

Pazari i peshkut që u qelb nga koka, që kur ishte ngjalë e u rikthye si peshk në Pazarin e Ri, ka përpirë qindra milionë euro çdo muaj e çdo vit, para të shqiptarëve. Ka përpirë qindra milionë euro çdo muaj e çdo vit para të shqiptarëve. Kjo është arsyeja se pse ekonomia është në faliment. Kjo është arsyeja pse biznesi ka mbyllur qepenat, biznesi i Korçës dhe i mbarë Shqipërisë vuan ditë për ditë. Baza e shkatërrimit të biznesit të vogël është abuzivizmi i një qeverie arrogante dhe një ushtrie taksidarësh mizorë të cilët janë sulur mbi familjet e vetëpunësuara dhe biznesin e vogël që është vetë shtylla e punësimit në Shqipëri.

Biznesi i vogël e di se në republikën e re, asnjë taksidar nuk do të lejohet në premisat e biznesit që afishon pullën e pagesës së detyrimeve të cilat kurrsesi nuk do të kalojnë 1.5 % të xhiros vjetore. Ky do të jetë limiti maksimal i detyrimeve qendrore dhe lokale që paguan biznesi i vogël. Nuk do të ketë pagesë mbi 1.5 % të xhiros. Nuk do të ketë sharlatanë që shpikin taksa siç është kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe disa të tjerë që ndjekin shembullin e tij. Qeveria me ligj do të vendosë si kufi maksimal të taksave të biznesit të vogël 1.5 % të cilat do të shlyhen me këste dhe me vetëdeklarim dhe çdokush që i përmbahet këtij rregulli dhe që demonstron pullën përkatëse, ka fituar të drejtën që asnjë taksidar, asnjë inspektor, asnjë punonjës i shtetit të mos i shkojë ndër mendje ti futet biznesit të vogël përveçse si konsumator i biznesit të vogël.

***

Pazari i republikës së vjetër u kurorëzua dje me zgjedhjen e presidentit, me caktimin e presidentit nga pazari i Pazarit të Ri. E dua demokracinë, thotë presidenti i sapo zgjedhur, dhe ja, po e shijoj demokracinë. Por kjo nuk është demokracia e vërtetë. Pazari mbi shishet e verës, që kushtojnë më shumë se pensionet e një qyteti të vogël, për të zgjedhur presidentin nuk është demokraci e vërtetë. Nuk përfaqëson as vullnetin e popullit dhe as gjendjen kritike të përplasjes sociale dhe krizën politike në vend.

Ky është thjesht dhe vetëm kapitulli i fundit i pazarit politik të republikës së vjetër, mekanizmit që ka mbajtur në këmbë dhe ka ushqyer tash 4 vite këtë komplot ekonomik që ka zhveshur shqiptarët nga fuqia blerëse, që ka shpunësuar bijtë dhe bijat e tyre. Që ka bërë prindërit të paguajnë tarifa më të larta për universitetet, që ka dergjur pacientët dhe familjet e tyre në një sistem shëndetësor të falimentuar. Që ka krijuar një shtet të falimentuar, të korruptuar e të inkriminuar deri në palcë.

Ky është akti i fundit i teatrit me kukulla, i pazarit politik, i modelit që mbajti në këmbë republikën e vjetër tash 4 vite. Duke mbyllur njëherë e përgjithmonë jetën e saj me këtë akt politik, republika e vjetër po mbyll turpshëm ekzistencën e saj dhe barrën e saj tashmë të papërballueshme e të padurueshme për qytetarët shqiptarë.

Ilir Meta e di këtë. Edhe Edi Rama e di këtë fare mirë. Ai më kot dhe i dëshpëruar u përpoq të thoshte dje se Ilir Meta është një president më afër PD-së se sa partive të tjera. Le ti themi sot, se për ne, Partinë Demokratike dhe gjithë qytetarët që na besojnë, Ilir Meta është vetëm afër pazarit të peshkut që është qelbur nga koka ndaj Edi Rama ta gëzosh ti, atë, dhe peshkun e qelbur nga koka.

Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë për pazare të fëlliqura politike. Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë për pushtetin tonë. Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë as që tu sigurojmë luksin disa deputetëve të opozitës që ta kenë edhe nga një karrige për 4 vitet e ardhshme. Ne kemi ardhur në këtë betejë për një mision të madh qytetar dhe kombëtar, dhe ky mision është të zëvendësojmë qeverisjen e kontrolluar nga krimi dhe droga me një qeverisje të kontrolluar nga qytetarët shqiptarë.

Që qeverisja të kontrollohet nga qytetarët shqiptarë, ne duhet dhe do të kemi vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë të pashitur e të pablerë, të pakërcënuar dhe të pavënë në rresht nga një shtet kriminal dhe i dështuar, i bërë njësh me partitë në pushtet. Prandaj e vetmja rrugë për për zgjedhje të lira dhe të ndershme është largimi i Edi Ramës, një qeveri teknike me mandat popullor dhe politik, për të luftuar drogën, për të larguar kriminelët dhe për të garantuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

***

Sot, vetë procesi elektoral ka kolapsuar edhe në kuptimin ligjor të fjalës. Mbrëmë në mesnatë, ka skaduar afati i fundit i Kodit Zgjedhor për dorëzimin e listave emërore të kandidatëve për deputetë të atyre partive që ishin regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Bëhet fjalë kryesisht për partitë e pushtetit, për partinë e Edi Ramës dhe partinë e Ilir Metës. Deri tani, asnjë prej këtyre partive kryesore të pushtetit nuk kanë dorëzuar listat emërore të kandidatëve. Me këtë akt, dhe sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në këtë moment është asgjesuar 18 Qershori si një datë ligjore për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë.

Atë, që kjo lëvizje dhe ky bashkim qytetar, e ka asgjesuar përmes qëndresës demokratike dhe paqësore, atë që ju e keni asgjesuar politikisht mbrëmë në mesnatë, dy partitë duke mos dorëzuar listën e tyre shumëemërore, e kanë asgjesuar edhe ligjërisht. Natyrisht në këto katër vite, jo zbatimi i ligjit por shkelja e tij ka qënë tipari i kësaj qeverisje dhe me siguri tellalët do të dalin sot me lloj-lloj justifikimesh e interpretimesh, se pse data nuk ishte dje, por ishte sot. Nuk kam ndërmend dhe nuk ju ftoj ta ndiqni këtë shfaqje të shëmtuar. Fakti është se data ka skaduar. Fakti është, po kështu, se këta nuk duan tia dinë as për ligj, as për Kod Zgjedhor dhe as për Kushtetutë. Ndaj, është në dorën tonë të vazhdojmë së bashku.

Dy janë mundësitë para nesh.

E para që republika e vjetër të vazhdojë avazin e saj. Asgjë nuk do të ndryshojë. Gjerat do të shkojnë keq e më keq me një tjetër parlament dhe një tjetër qeveri të zgjedhur, jo nga populli, por nga krimi, droga dhe paratë e korrupsionit. Ftesa ndaj opozitës, Partisë Demokratike dhe meje personalisht dhe presioni ndaj nesh ka një qëllim; që të bëhemi pjesë e këtij pazari të fëlliqur, alibi dhe perde për një proces zgjedhor të paracaktuar nga krimi dhe droga.

Ne i kemi thënë jo. Unë i them jo e do të vazhdoj ti them jo deri në fund.

Rruga tjetër para nesh, është të vazhdojmë këtë betejë për votën e lirë, themelin e bashkëjetesës demokratike.

Kjo është një sakrificë tashmë 71 ditore. Unë nuk mund t’ju premtoj se sa më shumë do të zgjasë kjo sakrificë. As nuk mund tu premtoj se mund ta bëj këtë betejë më të lehtë apo më luksoze për ju. Por unë, ju premtoj ju, këtu në këtë shesh, para sakrificës që keni bërë deri më sot, para këtij bashkimi qytetar dhe para Zotit të madh se, në qoftëse jemi të bashkuar, nëse jemi të vendosur, nëse jemi të frymëzuar nga i vetmi interes i lartë patriotik, kombëtar dhe demokratik, për të siguruar me çdo kusht vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do të fitojmë, ju do të fitoni, Shqipëria do të fitojë.

Eshtë në dorën tuaj, por edhe fitorja do të jetë e juaja dhe e mbarë shqiptarëve. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarëve.


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 71 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, 29 Prill 2017