Mbrëmë në mesnatë ka kaluar afati ligjor për regjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Oerd Bylykbashi, ishte sot pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku deklaroi se çdo veprim që do të bëhej sot e në vazhdim për regjistrimin e kandidatëve për deputetë është shkelje e ligjit.

Më poshtë, prononcimi i Bylykbashit për mediat.

“Me datë 28 prill në mesnatë ka skaduar afati i regjistrimit për kandidatë në parlamentin e Shqipërisë. Që pas kësaj date, askush nuk mund të regjistrojë më lista. Çdo regjistrim i listave në KQZ do të ishte shkelje e ligjit. Kodi Zgjedhor është shumë i qartë. Listat e kandiatëve të partive politike apo edhe e kandidatëve të pavarur, regjistrohen jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Data e dekretuar e zgjedhjeve është 18 qershor, e cila fillon në orën 00.00 dhe nuk llogaritet në afat, kështu që dita e 50-të përpara kësaj date është data 29 prill në ora 00.00 sot në mëngjes. E për rrjedhojë çdo regjistrim që do të bëhej gjatë ditës së sotme do të ishte i paligjshëm sepse do të ishim para 49-të ditësh e disa orësh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka më asnjë mundësi ligjore të regjistrojë lista. Nëse e bën është duke shkelur ligjin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe askush tjetër nuk ka asnjë mundësi ligjore për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, për të ndryshuar rregullat. Nëse e bën do të jetë haptazi jo vetëm në një paligjshmëri por haptazi edhe në një veprim të njëanshëm politik e partizan që nuk është aspak çudi me qendrimin që ka treguar deri tani, por kjo do të ishte një paligjshmëri e hapur. E theksoj, nga dita e sotme askush nuk regjistron më lista dhe nga dita e sotme ose më mirë të themi nga mbrëmë në mesnatë ka përfunduar ligjerisht, përveçse politikisht, edhe kjo farsë që u quajtën zgjedhjet e dekretuara më 18 qershor. Praktikisht dhe ligjërisht ka rënë edhe dekreti i Presidentit. E vetmja mënyrë që shqiptarët nga sot e tutje të votojnë të lirë në zgjedhje të lira dhe të ndershme është një marrëveshje gjithëpërfshirëse politike e cila do ti mundësojë ata në një moment tjetër të votojnë me kushte të tjera dhe jo me këto që imponon kjo maxhorancë”.


Prononcim i Oerd Bylykbashit për mediat, 29 Prill 2017