Bashkëbisedim me Lulzim Bashën: Detyrë kryesore e Republikës së Re është garantimi i dinjitetit dhe të drejtave të çdo qytetari shqiptar, pavarësisht bindjeve politike, zanatit, përkatësisë krahinore, statusit social dhe ekonomik

 

Paradite në Sheshin e Lirisë Kryetari demokrat Lulzim Basha bisedoi me te rinj dhe te reja për mënyrën se si ata shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri. Studentë të universiteteve publike shqiptare dhe të tjerë që kanë përfunduar studimet jashtë, folën për vështirësitë që shoqërojnë studentët në kalimin nga bankat e shkollës në tregun e punës të dominuar nga mungesa e meritokracisë.

 

Të rinj nga qytete si; Elbasani, Shkodra, Vlora, Fieri dhe Tirana folën për problemet që i bashkojnë, të cilat i ilustruan me shifra. Stiliano Rushaj, student i universiteteve jashtë vendit, i kthyer pas përfundimit të ciklit të doktoraturës, tha se punësimi tek të rinjtë me arsim të lartë në Shqipëri, ka rënë me 36% nga viti 2010 në 2016. Kjo shifër është tre herë më e lartë se ajo e vendeve të rajonit, ndërkohë që shteti fqinj serb shënon një rritje prej 5% të punësimit të të rinjve me arsim të lartë.

 

Benardeta Syku nga Shkodra tha se të rinjtë kërkojnë drejtësi, në arsimim në punësim. Kërkojnë të gjejnë në vendin e tyre mundësitë për të cilat marrin rrugën larg familjes.

 

Ergert Alimerko nga Vlora dha një tjetër shifër lidhur me rininë dhe papunësinë. 70% e të rinjve thonë se problemi i tyre më i madh është papunësia. Këta të rinj dhe familjet e tyre, të cilët nuk gjejnë punësim, apo gjejnë punë jashtë fushës për të cilin kanë studiuar, apo edhe të rinj të cilët detyrohen të punojnë vetëm për të përballuar jetesën, janë pjesë e atyre qindra mijëra të larguarve.

 

Ina Haxhija, studente, i solli shifrat më pranë qytetarëve duke shpjeguar se një në dy të rinj sot janë të papunë, ndërsa gjashtë nga dhjetë të rinj e të reja zgjedhin të largohen nga Shqipëria.

Marjeta Zenelaj, e cila ende nuk ka përfunduar studimet e larta, bëri thirrje për një përmirësim të sistemit arsimor publik, i cili, edhe pse me tarifa më të larta, nuk ofron asgjë më shumë se dje.

 

Nardi Bushi, Megi Ndregjoni, dhe Ferhat Meshi theksuan se është pikërisht detyrë e brezit të ri dhe studentëve me mentalitet të ri, që duhet të krijojnë themelet e vlerave dhe moralit në Shqipëri ashtu si ka ndodhur në vendet perëndimore. Të rinjtë dolën në konkluzionin se në një vend ku politika varfëron qytetarët, për t’u blerë dhe mohuar më pas edhe të drejtën për të zgjedhur, zgjidhja mund të vijë vetëm nga bashkimi i zërave dhe ngritja sëbashku.

 

Kreu demokrat Lulzim Basha i tha të rinjve dhe studentëve se pushtetin do ta ketë populli, vetëm kur rinia, qytetarët, të kenë lirinë të vlerësojnë me votë punën e një qeverie. Por z.Basha tha se kryeministi Rama ka planin e tij të komplotit në kurriz të qytetarëve, për të ruajtur status quo-në e tij dhe kriminelëve me të cilët ndan pushtetin.

 

“Plani i Edi Ramës si kreu i kupolës së Republikës së vjetër, si autor i komplotit ekonomik kundër shqiptarëve, është shumë i thjeshtë. Atë që do të bëjë me vetingun në drejtësi, atë do të bëjë edhe me vetingun në politikë. Projekti i Vetingut është një projekt mafioz, ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertët e BE dhe, po së shpejti ora do të vijë kur të japin përgjegjësi demokratike në një institucion demokratik si BE-ja. Dhe kjo ndodh vetëm për shkak të rezistencës sonë, për shkak të qëndresës suaj”.

 

Sistemi i drejtësisë, në atë që qytetarët quajnë Republika e Re, Lulzim Basha tha se do të bazohet mbi dakordësinë e një viti më parë, të arritur me mbështetjen e Uashingtonit dhe Brukselit, zonjës Nuland dhe zotit Hahn, për një drejtësi të vërtetë, përkundër asaj të interesave të kryeministrit.

 

“Republika e Re është reformë e thellë kushtetuese që kufizon pushtetin e kryeministrit, kufizon pushtetet e kryetarëve të partive dhe e delegon këtë pushtet tek i zoti i punës. Republikë e Re nuk është thjesht qeveri teknike, Republikë e Re janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, patjetër me votim elektronik, me votim biometrik elektronik dhe numërim elektronik, ku as kriminelët nuk do të kenë mundësi të tjetërsojnë votën e askujt, as të djathtë, as të majtë.

 

Republikë e Re është çlirim i ekonomisë nga oligarkët, nga monopolet, nga ato isntrumente që vjedhin një mijë euro për frymë në tre vjet, nga xhepat tuaja, nga tavolinat tuaja, duke u kredhur në mjerim, në papunësi, në të rinj të paarsimuar”.

 

Referuar shifrave zyrtare, kryedemokrati Lulzim Basha përllogariti se në tre vjet, kabineti ‘Rama’ ka shpërdoruar 2.8 miliardë euro, që në një vend me popullsi si Shqipëria, është e barabartë me 1 mijë euro për frymë.

 

Zoti Basha tha se detyrë e Republikës së Re, më e madhja ndër to, është garantimi i dinjitetit dhe i të drejtave të çdo qytetari shqiptar –pavarësisht prej bindjeve politike, zanatit, përkatësisë krahinore, statusit social, ekonomik.