Shkrimtarët, poetët, krijuesit, publicistët; Zija Cela, Bardhyl Londo, Prec Zogaj, Agron Tufa, Rexhep Shahu, Izet Duraku mbështesin qëndresën për votë të lirë e të ndershme

 

Shkrimtarë, poetë, mendimtarë nga më të njohurit e kohës sot ishin në Cadrën e Lirisë, ku ndanë idetë e tyre me protestuesit, qytetarët dhe me Lulzim Bashën.

 

Shkrimtari i mirënjohur Zija Çela  tha se qytetarët sot janë ngritur për të kërkuar minimunim e nevojshëm për të qënë të tillë. Duke hequr paralelizëm mes zgjedhjeve dhe një gare vrapimi, Çela tha se ndershmëri në konkurencë, do të thotë të nisesh nga pozita të njëjta.

 

“Ekuacioni është i thjeshtë. Zgjedhjet e lira në demokraci janë si shkronja A. Pa Alfa-n nismëtare, i tërë alfabeti politik mund të bëhet çorbë. Kjo e bën çështjen tuaj jo vetëm të drejtë, por edhe shumë të rëndësishme. Por ne, përsëri jemi duke humbur, dhe duke humbur rëndshëm. Po humbasim nderin e përkatësisë kombëtare dhe moralin e qytetarisë me damkën e rekordit europian të drogës. Gjithë ky kapital i krimit do të përdoret patjetër nga të kriminalizuarit”.

 

Çela theksoi se që vendi të shkojë përpara, liderët e partive kundërshtare duhet të bashkëpunojnë për zgjidhjen e krizave duke dhënë seicili kontriutin e tij.

 

“Ftesa e Bashës është e kahershme, ajo e Ramës tani vonë. Nëse lëviz vetëm njëri, ndërkohë që tjetri s’tundet nga vendi, pritja derisa i vetmi ta përshkojë tërë rrugën, do të jetë e gjatë. Por nëse nisen të dy drejt njëri-tjetrit, koha për t’u takuar shkurtohet përgjysmë. Arroganca është grushti i hekurt i maxhorancave, të cilat nuk ka përse ta harrojnë përlulësinë njerëzore (sa e bukur dhe sa e vyrtytshme është!), si dhe kodin e mirësjelljes politike, veçanërisht etikën e gjakftohtësinë ndaj pakicës. Prandaj, sipas meje, hapat më veprues priten nga Kryeministri”.

 

Zija Çela tha se sot Kryeministri përdor pushtetin dhe nevojën e qytetarëve, për të promovuar propagandën e tij.

“Unë nuk jam nga ata që shohin vetëm zi, por as nuk shoh vetëm gëlqere të bardhë. Por sa herë konstatoj keqpërdorim të njeriut, deri dhe poshtërim të tij, më vjen të klith. Një dokument legalizimi ngjante këto ditë me një llokmë mishi, me të cilën Kryeministri po ndillte mizorisht duke qeshur një fshatar. Vetëm fjalët “Kërce, qenush, kërce!” mungonin”.

 

Poeti Bardhyl Londo e quajti kauzën e qytetarëve si thelbin e çdo reforme tjetër.

 

“Kauza, për të cilën po sakrifikoheni, është cështja më e shenjtë e njeriut në botë. Le të bërtasin ose pëllasin sa të duan që të barazojnë zgjedhjet e lira me reformat e tjera. Të gjitha reformat janë të nevojshme, janë të domosdoshme, por e para e mbi të gjitha është reforma për votën e lirë, për zgjedhjet e lira. Të gjitha varen nga kauza e votës. Prandaj, kjo është një luftë e shenjtë, një luftë që nuk është vetëm kauza e juaj ,por është kauza e të gjithë shqiptarëve”.

 

Preç Zogaj tha se qytetarët, intelektualët, njerëzit e mendimit janë të munduar dhe të sfiduar kur krimi ngrihet në pushtet dhe merr në dorë fatet e njerëzve.

 

“Janë jo vetëm të mundur e të sfiduar por dhe të provokuar kur vendin e pushton kanabizimi. Arsyeja pse unë, kolegët e mi, shkrimtarë, filozofë, artistë, të gjithë mbështesim këtë protestë, është pikërisht kjo, sepse të gjithë ndihemi të provokuar bashkë me ju, bashkë me qytetarët. Jemi të vendosur të bëjmë gjithcka me fjalë, me penë, me sakrifica që Shqipëria të dalë nga ky qorrsokak që nuk e ka njohur tranzicioni shqiptar. Krimi ka qenë gjithmonë vërdallë, por asnjëherë në pushtet”.

 

Zogaj tha se kjo lëvizje është një detyrim moral i opozitës.

 

“Merita më e madhe e cadrës është se ka ekspozuar në sytë e gjithë Shqipërisë dhe gjithë botës dy gjëma të mëdha që e bëjnë të pamundur vazhdimin nëse nuk ndalen dhe nuk zgjidhen, që janë kriminalizimi dhe kanabizimi. Me këtë gjendje, zgjedhjet janë të dënuara me vdekje që tani. Unë besoj se kjo opozitë nuk ka rrugë tjetër”.

 

Studiuesi dhe autori Izet Duraku tha se vendi ynë zvillimin duhet ta nisë nga vetja, duke u zmadhuar shpirtërisht dhe duke jetuar Shqipërinë e Naim Frashërit, atë të dashurisë.

 

“Vota e lirë është votë që respekton ata që janë më pak, ata që kanë humbur. Jo ai që humbet, të humbasë gjithçka dhe fitimtari ti marrë të gjitha. Kjo nuk ndodh gjekundi në botë. Anormaliteti prodhon gjithmonë urrejtje. Urrejtjen ne e kemi lënë me kohë në të famshmen luftë të klasave. Askush nuk e do, të gjithë e stigmatizojmë. Nuk mund të pajtohemi me urrejtjen. Ne jemi njerëz që themi jo, ne emër të dashurisë. Ne duam mbarësi dhe liri që vijnë prej votës së lirë dhe qëndresës së butë e njerëzore, që ti tregojmë gjithkujt se ne kemi moralin e ndërtimit dhe jo shkatërrimit”.

 

Publicisti e krijuesi Rexhep Shahu tha se Kryeministri Rama nuk është dakort me këtë protestë sepse nuk i do qytetarët të lirë.

 

“Kjo qeveri ka lënë shkrimtarë pa rroga. Dua t’i kujtoj se ka ish-presidentë, ka ish-kryeministra, por kurrë ish-shkrimtarë, sepse ata janë gjithmonë ndërgjegja e kryeministrit. Unë jam shumë entuziast se kjo kauzë nuk do të lihet në mes por do të mbyllet me sukses”.

 

Poeti dhe shkrimtari Agron Tufa tha se kur e vërteta nuk është e lirë në një vend, as liria nuk është e vërtetë dhe beteja për ta fituar atë kërkon guximin e qytetarëve.

 

“Nuk mund  të hyjmë në zgjedhje me këtë precedent shumë të rrezikshmëm dhe për ta luftuar kërkohet kurajo e një mendje e lirë, kurajo e guxim deri në shembjen e plotë të kësaj diktature oligarkike financiare, që po e shkatërron gjithë strukturën morale shqiptare. Duhet një vëllazërim i gjithë shqiptarëve që të ndalojmë përcarjen e shqiptarëve, që ti japim fund të gjithë skorjeve dhe pluhurnajës së trashëgimisë komuniste”.

 

Kryetari Lulzim Basha falenderoi të ftuarit e veçantë, shkrimtarët, të cilët janë dhe përfaqësues të ndërgjegjes dhe moralit të një kombi. Basha theksoi se lëvizja paqësore e 18 shkurtit dhe 52 ditëve qëndresë do të vazhdojë e tillë deri në sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të quajtura nga shkrimtarët sot, si fillimi i çdo lirie qytetare.

 

“Pushteti me të vërtetë duhet të burojë nga qytetarët me votë të lirë dhe të ndershme. Pushteti me të vërtetë duhet të jetë llogaridhënës dhe përgjegjës para qytetarëve jo një herë në katër vite, por katër herë në ditë. Nuk ka asnjë mekanizëm tjetër për ta garantuar këtë. Asnjë reformë tjetër nuk garanton liritë tuaja. Asnjë reformë tjetër nuk garanton stabilitetin, demokracinë dhe shtetin ligjor”.

Zoti Basha tha se nëse ka vullnet për zgjidhjen e problemit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, atëherë ata të cilët e sollën problemin, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes, ndaj duhet patjetër një qeveri teknike.

 

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk mund të jenë produkt i një kompromisi të arritur për hir të kompromisit. Ndaj, zgjidhjet që ne kemi parashtruar siç janë votimi biometrik, kufizimi  i shpenzimeve në fushatë elektorale, kriminalizimi i shpenzimeve mbi këtë limit, financimi 100% publik i partive politike dhe kriminalizimi i financimeve private. Këto masa të forta dhe drastike janë të domosdoshme sepse e tillë është situata dhe të gjitha së bashku me zbatimin e plotë të Ligjit të Dekriminalizimit dhe luftën efektive kundër kultivimit të drogës dhe parave të drogës së vitit të kaluar, do të japin garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

 

Kryedemokrati Basha tha se të gjithë shqiptarët sot e dijnë se nga kjo betejë do të dalin me fitoren e të drejtës për të zgjedhur i lirë përfaqësuesin tënd.

 

“Për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, fitorja me çdo kusht e kësaj beteje është një imperativ nga i cili nuk mund e nuk do të tërhiqemi derisa ta realizojmë.  Koalicioni opozitar i mbledhur në afatin e fundit të limiteve ligjore të regjistrimit, ka vendosur njëzëri, mosregjistrimin e opozitës deri në realizimin e një pakti kombëtar politik për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike, që do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë me efektivitet drogën dhe paratë e saj dhe do të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.