Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 82-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, dhe projekti i Republikës së Re për shumicën e shqiptarëve

 

Maratonomakë të lirisë, demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Arkitektë të Republikës së Re, që po agon e që do të njoftohet nga bashkimi më i madh i shqiptarëve ditën e shtunë këtu në këtë shesh, në “Sheshin e Lirisë”, në sheshin e të vërtetave, në “Sheshin e Republikës së Re”, të qytetarëve shqiptarë.

 

Dita po afron, ku republika e vjetër e krimit, drogës dhe korrupsionit, do të shembet nga themelet për t’i hapur vendit, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një republike për qytetarët shqiptarë, të qytetarëve shqiptarë, që mund të vijnë vetëm nga qytetarët shqiptarë, me votën e tyre të lirë.

 

Këto janë ditët e fundit të republikës së vjetër.

 

Për 4 vite me rradhë, kupola politike e republikës së vjetër, me në krye Edi Ramën, shkatërroi një nga një, të gjitha themelet e bashkëjetesës demokratike. Ata shkelën dhe dhunuan Kushtetutën. Ligjin themelor të shtetit, që organizon marrëdhëniet mes institucioneve dhe pushteteve, në mënyrë që përmes kontrollit dhe balancës, të sigurohet harmonia e vendimmarrjes në demokraci.

 

Sepse demokraci me të vërtetë do të thotë, vendimmarrje nga shumica e zgjedhur legjitime, por do të thotë kontroll, po kështu nga pakica e zgjedhur legjitime. Kontroll politik në Parlament, kontroll institucional në institucione, por kupola politike e republikës së vjetër, kishte dhe ka tjetër projekt. Projekti i saj prej ditës së parë, nuk ishte as demokracia, as drejtësia, as shteti i së drejtës, as ekonomia, as shëndetësia dhe as arsimi.

 

Projekti i vetëm dhe axhenda e vetme e kupolës politike të republikës së vjetër, e teatrit të shëmtuar të kukullave që luhet ditë për ditë për trushplarjen e popullit, ka qenë dhe mbetet, pasurimi dhe pushteti i një grushti pushtetarësh me në krye Edi Ramën.

 

Në funksion të këtij projekti, u sollën kriminelët në institucione. Deputetë në listat e çdo qarku të Shqipërisë e në veçanti të qarqeve të veriut. Kryetarë bashkish, drejtorë të institucioneve, drejtorë të policisë.

 

Një nga një institucionet u kapën nga kriminelët që Edi Rama nuk i gjeti, por i solli në Partinë Socialiste për t’i përdorur si vegla në projektin e tij të kapjes së shtetit. Në projektin e tij për përdorimin e shtetit jo në të mirën e qytetarëve, jo për mirëqenien e shqiptarëve, as për avancimin e të ardhmes së Shqipërisë, por vetëm e vetëm për pasurimin dhe pushtetin e tij dhe të çetës së tij bandite në pushtet.

 

***

Kjo është arsyeja pse Edi Rama e ka jetike kapjen e zgjedhjen të ardhshme. Diktimin e parlamentit të ardhshëm nga krimi dhe nga droga dhe jo nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja se përse Edi Rama e ka jetike që reforma në drejtësi të mos bëhet sipas konsensuit të 22 korrikut, sipas formulës euro-amerikane, por të bëhet sipas formulës, Rama-Xhafa-Shullazi-Tahiri që garanton mbrojtjen dhe jo ndëshkimin e kriminelëve në pushtet dhe të korruptuarve që zhvatën dhe grabitën Shqipërinë në këto katër vite.

 

Miliarda euro u vodhën. Një grusht njerëzish u pasuruan. Një grusht krimilenësh e kthyen Shqipërinë në Panamanë dhe Kolumbinë e Europës. Shqiptarët u varfëruan, ekonomia u shkatërrua, vendet e punës u asgjesuan, shëndetësia ra në kolaps, arsimi në ditën e tij më të zezë, fuqia blerëse e shqiptarit në nivele afrikane, studentët të diskriminuar, të lënë jashtë universiteteve me tarifat e larta dhe me arbitraritetin qeveritar.  Pensionistët me sytë përtokë sepse çfarë u jepet me një pension, u merret me dorën tjetër me faturat e kripura të energjisë, me çmimet e rritura nga urbani tek nafta, tek shporta e ushqimeve. Kjo është vepra e rilindjes së krimit dhe krimit të rilindur në nivelet më të larta shtetërore.

 

Në planin e Edi Ramës – i cili është vetëm për pasurimin dhe pushtetin e Edi Ramës dhe të çetës së tij dhe të çirakëve të tij në media, të lobistëve të tij, që majmen me paratë e popullit më të varfër të Europës dhe të korruptuarve të tij, me pasaportë shqiptare apo të huaj që s’i bëhet kurrë vonë për Shqipërinë, por i bëhet vonë vetëm për xhepat e tyre – në planin e tij ogurzi, prishja e zgjedhjeve të ardhshme, kapja dhe diktimi i parlamentit të ardhshëm, ka rëndësi jetike. Ndaj gjithçka është bërë në funskion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme.

 

Duke diktuar një parlament fasadë, mundësisht me ne si opozitë fasadë, përmes drogës dhe krimit, dhe nëse ne nuk pranojmë të jemi fasadë, një parlament monist, rikthimin 27 vite më parë, me përjashtimin jo thjeshtë të opozitës, por të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që duan dhe kërkojnë ndryshim.

 

***

 

Të gjithë elementët e komplotit ishin përgatitur për këtë skenar. Droga, krimi, korrupsioni, realiteti i përditshëm i shqiptarëve ishte fshirë nga mediat e kapura nga qeveria, ishte fshirë nga raportet e zyrtarëve të korruptuar ndërkombëtar në Tiranë, të cilët nuk raportonin drogën, nuk raportonin kriminelët edhe kur këta gjakosnin qytetarët në dyert e stacioneve të policisë të korruptuar të Edi Ramës dhe që sot janë bashkëfajtor me Edi Ramën dhe nuk dalin dot nga rrethi vicioz ku e kanë futur veten e tyre, sepse kanë mohuar krimin, sepse kanë mohuar drogën dhe janë bërë njësh me Edi Ramën, jo për interesat e Bashkimit Europian, jo për interesat e aleatëve tanë strategjikë por vetëm për xhepat e tyre të korruptuar.

 

Kjo është e vërteta, por nuk ia dolën dot. Për tre vite e gjysëm ne bëmë betejë në Parlament, në studio televizive, konferenca për shtyp, vizitë pas vizite, por e vërteta e Shqipërisë dhe shqiptarëve të zhytur në dëshpërim prej drogës, krimit të organizuar të ngritur në pushtet dhe korrupsionit galopant të Shqipërisë, nuk depërtoi dot, deri sa ju u ngritët dhe u bashkuat në këtë lëvizje madhështore, qytetare, kombëtare dhe demokratike.

 

Të vetmit që ia dolën t‘i  tregojnë miqve tanë në Bruksel, Berlin, Uashington dhe anembanë botës perëndimore të vërtetën e Shqipërisë ishit ju, qytetarët shqiptarë, ishte kjo lëvizje popullore, ishte ky bashkim i madh.

 

Sot Europa mbarë e njeh problemin e madh të drogës, krimit dhe korrupsionit qeveritar në Tiranë. Sot të gjithë aleatët tanë e njohin dhe e kanë pranuar se Edi Rama e zhyti Shqipërinë në një gjendje dështimi dhe falimentimi total. Sepse ai ngriti krimin në pushtet dhe me krimin mbushi Shqipërinë me drogë.

 

Sot të gjithë e dinë se shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë në këmbë e në këmbë do të qëndrojnë derisa të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike që do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë drogën dhe paratë e drogës, do t’i kthejë sovranit të drejtën për zgjedhje dhe votën e lirë e të ndershme.E di gjithë bota, e dinë miqtë e shumtë të Shqipërisë, e di çdokush se rrugë tjetër nuk ka.

 

Por një njeri i vetëm qëndron si pengesë drejt këtij hapi historik që Shqipëria duhet të hedhë për t’ia kthyer Shqipërinë qytetarëve, për të ndërtuar një republikë të qytetarëve dhe jo të partive as të politikanëve, një Republikë të Re të ligjit, të drejtësisë së vërtetë, të zgjedhjeve me të vërtet të lira e të ndershme si garanci për një zhvillim të vërtetë ekonomik që të krijojë punësim të vërtetë, që të shërbejë me standarde të vërteta europiane fëmijëve shqiptarë, që të garantojë kujdesin shëndetësor për pacientët dhe familjarët e tyre, që të garantojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik për biznesin e vogël, të madh e të mesëm, punë, dinjitet për fermerin shqiptar, që të garantojë bijtë e Shqipërisë që të luftojë drogën dhe të kthejë sigurinë në rrugët, sheshet, shkollat dhe shtëpitë tona. Për një Republikë të Re  të një ekonomie të fortë e një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptare e çdo shqiptar.

 

***

E vetmja forcë që mund ta garantojë këtë sot nuk janë argumentet dhe arsyeja e shëndoshë që Edi Rama nuk i pranon. Mos kini asnjë shpresë. Nuk ka negociator në botë ta bëjë Edi Ramën të pranojë faktet katërcipërisht të njohura e të pranuara nga bota për drogën, krimin, korrupsionin dhe ta bëjë të pranojë përgjegjësinë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.

 

Unë e shpresoj dhe jam i gatshëm që të marr përgjegjësitë e mia me dialog për ta çuar drejt zgjidhjes politike, e shpresoj dhe i lutem Zotit që kjo të ndodhë. Por në veçanti pas dy takimeve shterpë nuk kam asnjë dyshim se Edi Rama nuk do t’i bindet zërit të arsyes, as forcës së argumentit por vetëm imponimit të shqiptarëve të bashkuar e të vendosur për të mbyllur kapitullin e drogës dhe krimit, e republikës së vjetër që iu shërben vetëm një grushti politikanësh, kriminelëve dhe oligarkëve dhe së bashku për të hapur derën e Republikës së Re dhe të ardhmes për  çdo shqiptar.

 

Ndaj data e parë më e rëndësishme në këtë kalendar është data 13 maj, ora 12:00 në mes të Tiranës ku së bashku do të bashkohemi. Kam marrë privatisht dhe publikisht kërkesat dhe konfirmimet e njerëzve të thjeshtë, të papunëve, të të rinjve, të maturantëve, të studentëve, të grave, të të rejave, të profesorëve dhe akademikëve, të sportistëve dhe artistëve, të sipërmarrësve dhe sindikalistëve se të gjithë do të jemi bashkë e do të jemi një me me zë të vetëm. Ditën e shtunë së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së Re.

 

***

Rrena nuk i lë vend rrenës. Kështu ka qenë këto 4 vite e kështu do të jetë këto ditë që i kanë mbetur republikës së vjetër. Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit përveçse dështoi politikisht e moralisht, dështoi edhe ligjërisht. Të gjithë e dinë, të gjithë dini të numëroni deri në 50, në çdo listë, absolutisht çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme, procesi është në kolaps ligjor.

 

Të gjithë dini të numëroni deri në 50. Cdo listë e dorëzuar në KQZ është e paligjshme, procesi është në kolaps ligjor. Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë Made in Albania apo kudo që bëhen apo made in Soros. Ata  nuk e thonë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Nuk e thonë, duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit  Zgjedhor do t’i thonë shqiptarëve që, një edhe një nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 51.

 

Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 Qershorin dhe listat e paligjshme, duke hedhur poshtë sipas ligjit të Republikës së vjetër do ti japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj ,përmes konsensusit dhe negociatave. Në qoftëse me presione apo zhage Kolegji zgjedhor vendos tu thotë shqiptarëve se 17 plus 31 plus 2 bëjnë 51dhe jo 50, atëherë  Kolegji zgjedhor, ligji zgjedhor dhe  Kushtetuta e Republikës së vjetër do të merren përpara nga bashkimi i shqiptarëve për  Republikën e Re.

 

Data e vendimarrjes është data kur shqiptarët do ta dinë nëse fundi i pashmangshëm, i paevitueshëm i republikës së vjetër do të jetë një proces i një konsensusi, i një shansi për gjithëpërfshirje edhe për mëkatarët e republikës së vjetër apo do të jetë nisja, fillimi, inicimi i lëvizjes popullore, për mosnjohjen mospranimin dhe rrëzimin  e çdo ligji, e cdo institucioni të Republikës së vjetër përmes mosbindjes civile dhe akteve të tjera të rezistencës dhe  qëndresës  paqësore dhe demokratike.

 

Paqësore  dhe demokratike. Bashkimi ynë do të jetë i tillë, i tillë do të jetë akti i rrëzimit formal të republikës së vjetër. I tillë do të jetë akti i lindjes së Republikës së Re, me garancitë e përfaqësimit për qytetarët shqiptarë në vend të partive politike me garancitë e llogaridhënies para qytetarëve shqiptarë dhe jo para oligarkëve dhe kriminelëve.

 

***

Rrena tjetër e sforcuar e Edi Ramës, se beteja e tij bëhet për reformën në drejtësi, e merr përgjigjen nga çdo qytetar shqiptar,  i majtë apo i djathtë. Reformën në drejtësi dhe vetingun e do kjo çadër, ky bashkim qytetar. Reformën  e vërtetë në drejtësi largon me të vërtetë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që kanë mbrojtur dhe mbrojnë kriminelët në pushtet dhe që kanë mbrojtur dhe mbrojnë, duke mbyllur dosjet e të korruptuarve të Edi Ramës, që i kanë zhvatur  2, 8 miliard euro këtij populli në vetëm katër vite.

 

Ju e dini këtë.

 

Kush e do Reformën në drejtësi, ju qytetarët shqiptarë apo Arben Ndoka?

 

Kush e do  Reformën në drejtësi,Ilir Beqja apo qytetarët shqiptarë?

 

Kush e do  Reformën në drejtësi dhe vetingun e vërtetë, Sajmir Tahiri dhe Habilajt apo ju qytetarët shqiptarë?

 

Kush e do  Reformën në drejtësi, Eskobari dhe padronët e tij politikë apo ju qytetarët shqiptarë?

 

Kush e do  Reformën në drejtësi, Damjan Gjiknuri i 600 milion eurove të CEZ,  apo ju, qytetrarët shqiptarë?

 

Kush e do  Reformën në drejtësi, Edi Rama që e mbushi vendin me drogë  dhe institucionet me kriminelë dhe që bleu banka, pasuri të pamata në Shqipëri e jashtë Shqipërisë, me paratë që ju grabiti ju, apo ju populli shqiptar, qytetarët shqiptarë?

 

E pra reformë në drejtësi dhe veting të vërtetë, do të ketë. Askush nuk i shpëton dot. I çfarëdo ngjyre politike që të jetë çfarë  posti të ketë sot apo nesër. Drejtësia e vërtetë do të ndërshkojë krimin dhe të korruptuarit e çdo ngjyre. Por drejtësi të vërtetë pa zgjedhje të lira nuk ka.

 

Dhe zgjedhjet lira me Edi Ramën dhe kuplonë e tij kriminale në pushtet, nuk ka.

 

Ndaj i vetmi shteg, një rrugë e gjerë jo sa ky bulevard, por sa vetë drita e diellit është bashkimi ynë ditën e shtunë, në orën 12.00 këtu, në këtë shesh. Asnjë, asamble popullore apo kombëtare në historinë e njerëzimit, nuk ka qenë  kaq e madhe dhe kaq e vendosur në themelimin e  një Republike të re, sa bashkimi i shqiptarëve ditën e  shtunë.

 

Mirësevini shqiptarë të ndershëm, shqiptarë të lirë, të djathtë e të majtë, të rinj dhe të moshuar, toskë e gegë, të rinj e të reja. Në 13 Maj themelojmë Republikën e Re.

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Zoti i bekoftë shqiptarët!