Edi Rama mendon se, meqë i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri. Pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm, ai ka filluar të premtojë nga e para.
Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë.
Në katër vite, të varfërit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfërit.
Shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, por ai gënjen edhe një herë duke premtuar se do e bëjë falas në mandatin e dytë.
Ai i braktisi fermerët e nuk u dha kurrë mbështetje, por ai tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia.
Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet.
Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata. Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqëndrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vete thelbi i republikës së vjetër.
Ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre.