Kryetari demokrat Lulzim Basha pasditen e 3 Majit nga çadra e protestës informoi qytetarët e qëndresës dhe mediat për zhvillimet e 24 orëve të fundit sa i përket negociatave të zhvilluara në funksion të zgjidhjes së krizës.
Sot, përfaqësuesit e republikës së vjetër dhe përfaqësuesit e Republikës së Re u ulën në tavolinën e Presidentit Nishani, pas ftesës së tij për të gjetur një zgjidhje me dialog të krizës së rëndë politike, elektorale dhe ekonomike –tha Basha duke njohur si përgjegjës të vetëm kryeministrin Edi Rama dhe qeverisjen e tij katërvjeçare.
“Unë shkova në këtë tryezë ashtu siç i’u premtova ju, me vullnetin e plotë e të palëkundur, për të mos kërkuar, pranuar dhe marrë asgjë për përfitime politike të miat, Partisë Demokratike dhe opozitës. Po kështu, për të mos lëshuar asgjë nga të drejtat legjitime të qytetarëve shqiptarë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për votën e lirë si themeli i vetëm i bashkëjetesës demokratike sot e tutje në Shqipëri.”
Lulzim Basha deklaroi se në tryezë shkoi me opsione të hapura për gjetjen e një zgjidhjeje me kompromis mes palëve, me kushtin e vetëm që zgjidhja të garantojë votën e qytetarëve.
Dy janë kollonat e vullnetit politik, pa të cilat asnjë mekanizëm nuk funksionon – tha Lulzim Basha duke nënkuptuar se arritja e kompromisit kërkon vullnetin politik të të dyja palëve, gjë e cila mungoi tek përfaqësuesit socialist të cilët u tërhoqën edhe nga oferta e një jave më parë të dakordësuar me zv.presidentin e Partisë Popullore Europiane david McAllister dhe eurodeputetit Knut Fleckenstein.
“As ndryshimet në kodin zgjedhor, as ndryshimet në kodin penal, për të penalizuar me ndëshkime më të rënda ligjore shit-blerjen e votës apo fotografimin e saj, apo transfertat e dyshimta të parave gjatë fushatës elektroale, apo të tjera ndryshime që kanë të bëjnë me median dhe struktrën institucionale të zgjedhjeve, asnjë nga këto nuk kanë vlerë nëse janë në dorë të të njëjtit mekanizëm, që për katër vite e ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe në të vetmin vend në Europë ku kriminelët që duhet të ishin në burg, janë deputetë, kryetarë bashkish, janë drejtorë.
Kemi ofruar sot në tavolinë gjithçka që Partia Demokratike dhe opozita mund të ofrojnë për zgjidhje. Pala tjetër është tërhequr edhe nga propozimet e javës së kaluar, që vetë i loboi dhe që në vetvete ishin shumë më pak se çmund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë.”
Njohja e faktit se zhbllokimi i krizës vështirësohet vetëm për shkak të nevojës së Ramës për të qëndruar në pushtet edhe disa javë më shumë, është sot e dukshme edhe përtej kufijve, sqaron Lulzim Basha.
“Sot, Edi Rama vulosi faktin, para partnerëve ndërkombëtarë se ai jo vetëm është pengesa e vetme, por se nuk ka asnjë argument qenësor.
Tani që ballafaqimi i argumentave dhe i forcës së argumentave tregoi se kush do zgjidhje për shqiptarët, se kush vendos interesin e qytetarëve para interesit politik dhe personal, tani që forca e argumentave tregoi superioritetin total të kësaj kauze popullore, Edi Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse argumenti i forcës së kriminelëve të hurit dhe të litarit.
Dje, këmbanat e Europës kanë rënë për çdo shqiptar të ndershëm, kanë rënë madje edhe për Edi Ramën. Shqipëria është në krizë politike dhe kërkohet zgjidhje politike. Kryeministri kishte shpresuar që ne, kallëzuesit e problemeve të Shqipërisë, luftëtarët kundër krimit dhe drogës, të tregoheshim me gisht si fajtorë.
Dje e kuptoi se edhe kur investon miliona me lobistë, edhe kur gënjen sa mundesh me media të kapura, e vërteta dhe e drejta vonojnë, por një ditë arrijnë në stacion. E vërteta ka mbërritur edhe në perëndim, se droga dhe krimi janë kërcënimet kryesore për zgjedhje te ardhshme në Shqipëri.
Pa zgjidhje për krimin e veshur me pushtet dhe drogën e paratë e drogës, pa zgjidhje të vërtetë, zgjidhje poltike, siç theksuan miqtë tanë mbrëmë, nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri!”
Zgjithja politike e kërkuar edhe nga partnerët ndërkombëtar, Lulzim Basha tha se mund të quhet e tillë vetëm kur të konsiderohet si zgjidhje nga qytetarët shqiptarë të protestës për zgjedhje të lira.
“Pa zgjidhje për krimin e veshur me pushtet dhe drogën e paratë e drogës, pa zgjidhje të vërtetë poltike, si theksuan miqtë tanë mbrëmë nga presidenti Daul dhe zv.presidenti McAllister, nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri !
Ai nuk e di se përballet jo thjesht me një lëvizje popullore që proteston tash 75 ditë në formën e qindra-mijë qytetarëve, por përballet me shpresën e çdo shqiptari të ndershëm se kjo është koha për një ndryshim të madh dhe rrënjësor në jetët tona.
Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm në qoftë se shqiptarët e konsiderojnë të zgjidhur, vetëm nëse shqiptarët e konsiderojnë të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme.”
Lulzim Basha zbardhi një detaj të takimit që zgjati tre orë në zyrën e Presidentit Nishani paraditen e 3 majit, kur deklaroi se i përsërit sërisht kryeministrit Rama këshillën e artikuluar në fund të takimit.
“Ndaj, si i thashë në fund të takimit sot, i përsëris thirrjen ti thërrasë mendjes. Të kuptojë se kriza shqiptare, e konfirmuar botërisht që ka për bazë drogën, krimin dhe shtetin e njesuar me pushtetin, nuk zgjidhet me gënjeshtra që hedh nga Brukseli në Uashington, apo me deklarata të paguara, sado kushtueshëm i paguan.
Qeveria teknike me mandat për të larguar kriminelët nga politika, për të larguar drogën dhe për ti dhënë shqiptarëve reformën zgjedhore përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik, është rruga e ndershme për të kthyer Shqipërinë në binarët e normalitetit dhe për të siguruar bashkëjetesën demokratike.
Me fatet e shqiptarëve nuk mund të luhet më. Me popullin nuk mund të luhet më.”