Kryedemokrati Lulzim Basha, si çdo paradite prej 79 ditësh tashmë, bashkëbisedoi me qytetarë në Sheshin e Lirisë, për problemet që ata zgjedhin t’u japin zë.
Për shumëkënd, çadra e protestës është vendi ku mund të thuash të vërtetat e pacensuruara, si Erika Buzali, studentja që foli në emër të maturantëve që mbetën jashtë dyerve të universiteteve publike. Ligji i arsimit të lartë penalizoi dhjetëra miq të saj, ëndrra e të cilëve u thye në mes – tha vajza në emër të mijëra bashkëmoshatarëve që u zhgënjyen nga reforma aspak transparente dhe klienteliste.
Pedagogu i Universitetit të Arteve, Harri Aleksi foli për artistët e rinj të cilët janë të dënuar nga mungesa e punësimit dhe promovimit, si intelektualë të rinj. Qeveria është armiqësore ndaj artit dhe kulturës shqiptare, duke lënë artistët e rinj në harresë – thekson Aleksi – në vend të tyre promovohen artistë të huaj dhe aktivitetet e tyre.
Brunilda Imami, Fato Muraj folën në emër të rinisë, së ardhmes së tyre të pasigurt në një vend ku qeveria nxit drogën dhe me arrogancë injoron problemin që ajo sjell. T’i themi jo diktaturës së Ramës, – tha zonja Muraj – kësaj klike harbute, makute, e mbarsur me mllef për demokratët dhe demokracinë.
Kryedemokrati Lulzim Basha tha se problemetmë të mëdha që qeverisja e Edi Ramës i ka sjellë popullit, nuk mund të artikuluohet nga askush tjetër më mirë se vetë ata, qytetarët të cilët për fat të keq, media tradicionale nuk gjen kohën t’i transmetojë.
“Sa bukur që flasin qytetarët e pranishëm në këtë agorë. Kush na ndjek përmes Facebook, e di për çfarë flas. Në kohën që fatkeqësisht mediat e kapura nga qeveria i japin hapsirë televizive vetëm kryetarit të opozitës, jo qytetarëve në agorë.
Ndërkohë që Rama bën tavalla në Facebook dhe me këtë tavalla merren mediat, sepse korporatat mediatike shqiptare, mediat kryesore të vendit, janë arma më e fuqishme e republikës së vjetër.
Kanë axhendën e tyre politike, kanë axhendën pasurore, lejet e tyre të ndërtimit, dhe vetëm axhendën e qytetarëve nuk kanë.
Por do të vijë dita kur gazetarët shqiptarë do të kenë të nëjtin status si gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë për të thënë të vërtetën për ti shërbyer qytetarëve dhe interesit publik dhe jo derrave të pushtetit, kriminelëve dhe oligarkëve.”
Zoti Basha tha se mburojë e kësaj paligjshmërie të imponuar nga qeveria e Edi Ramës është bërë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili përmes kryetarit të tij Denar Biba, ka refuzuar transparencën e listës së partive të regjistruara në zgjedhjet fasadë të 18 qershorit.
“KQZ refuzoi të vërë në dispozicion të 3 anëtarëve të votuar nga opozita sipas Kodit Zgjedhor, listat e partive që janë detyruar të mbledhin firma për të bërë bypassin e kolapsit zgjedhor, për mos regjistrimin në koalicion.
Ashtu siç me paligjshmëri refuzoi të zbatonte ligjin me 28 prill, duke pranuar listat që kanë ardhur me vonesë, po kështu, sot me paligjshmëri refuzon transparencën si armikun kryesor të gënjeshtrës dhe aleatin kryesor të së vërtetës. E vërteta e firmave falso, e vërteta e kompanive dhe shërbimeve publike që paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe në vend që të sjellin ato shërbime, janë shndërruar në firmosës të listave të partive politike, që nuk kanë as anëtarë, as struktura por janë fasada e shëmtuar e pseudopluralizmit të Ramiz Ramës në vitin 2017.
Parti që i ka mbushur me firmat e OSSHE-së, të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, dhe koorporatave të tjera shtetërore, për të na shpikur fasadën e një pluralizmi që nuk ekziston, sepse për këto zgjedhje nuk është regjistruar asnjë subjekt tjetër, përveç atij të 2015-ës, si një koalicion, madje edhe ai i paplotë.”
Kjo provë e kolapsit institucional vërteton edhe njëherë se asgjë nuk do të ndryshojë, nëse qytetarët nuk e marrin në duart e tyre të ardhmen dhe mirëqënien e tyre.
“Nëse republika e vjetër vazhdon të mbetet në këmbë, pensionet do të vazhdojnë të bien në fuqinë e tyre blerëse, sepse rritjet që janë ligjërisht të detyrueshme sipas normës së inflacionit dhe rritjet e tjera që premtoi republika e vjetër kur mori pushtetin, kurrë nuk do të shkojnë në xhepat e pensionistëve. Do të shkojnë në xhepat e pushtetarëve të korruptuar, të cilët nuk ngopen, por blejnë dhe ndërtojnë vila, pallate, hotele me pishina, konto bankare dhe madje banka, për veten e tyre dhe për pasuritë e tyre.
Nëse republika e vjetër vazhdon të mbetet në këmbë, fermerët nuk do të shohin subvencione, si nuk panë këto katër vite. Kjo sepse paratë që duhej të shkonin për fermerët për një jetë dinjitoze; që të vetëpunësohen për të krijuar një ekonomi e cila do të ndihmonte me prodhim vendas, cilësor dhe me çmime të përballueshme dhe pjesën tjetër të qytetarëve; këto para zhduken në xhepat e një kaste të korruptuar, një grushti njerëzish që i ndajnë me njëri-tjetrin gjithë çka përfitojnë nga ky shtet.”
Kjo është beteja e nisur më 18 shkurt – tha Lulzim Basha, i cili përsëriti thirrjen për bashkimin më të madh poullor, në emër të një të ardhmeje më të mirë për ç’do qytetar, të majtë e të djathtë, që lirinë nuk e sakrifikon për pushtetin e fasadave të monizmit modern të Edi Ramës.
“Gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë, nese e garantojmë me vullnetin e bashkuar të qytetarëve shqiptarë.
Tashmë të gjithë janë ndërgjegjësuar se përse bëhet kjo betejë. Edhe pse censura qeveritare është investuar mjaft për të turbulluar mendjet e njërëzve, për të zhvendosur temën e këtij diskutimi jetik për të ardhmen e shqiptarëve, 79 ditë të qëndresës madhështore qytetare kanë shkatërruar fasadën e propagandës qeveritare. Sot çdo shqiptar e di që për këtë bëhet beteja.
Beteja bëhet nëse qeverinë e ardhshme do ta zgjedhë droga, krimi, apo do ta zgjedhin bashkëqytetarët, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë.
Në funksion të kësaj ceshtje ekzistenciale, për ju dhe familjarët tuaj, për fëmijët tuaj dhe për të gjithë vendin tonë, ju ftoj në bashkimin më të madh popullor, ditën e shtunë ora 12.00, në Sheshin e Lirisë.”
Paqësorë por të vendosur, Lulzim Basha tha se fitorja do të vijë jo nga forca, por nga fuqia e bashkimit të gjithë shqiptarëve.