90 ditë më pare, qytetarët nisën një rrugëtim epik, patriotik, demokratik, paqësor, europian dhe të vendosur për të mos pranuar më me kokën poshtë gjendjen e mjerë të vendit. Për të treguar të vërtetat e familjeve dhe të mbarë Shqipërisë, për t’i treguar botës mbarë të vërtetën e dhimbshme të Shqipërisë, nën zgjedhën e drogës, krimit dhe korrupsionit.
Në këtë shesh, i treguat për 90 ditë e 90 netë me radhë Shqipërisë, Europës e mbarë botës se shpresa nuk ka vdekur dhe se kurajo triumfon mbi frikën.
90 ditë më pare, ju ishit shpirti i qëndresës, refuzimi i të keqes. Deri sot, ju ishit shpresa e çdo shqiptari dhe Shqipërisë, por sot, ne jemi e ardhmja e Shqipërisë europiane.
Ajo që ju ndezët në zemër të kryeqytetit, në zemër të Shqipërisë, është flaka e pavdekshme e shpresës tek e nesërmja që po vjen.
Me forcën e kauzës tonë të drejtë, me pathyeshmërinë e qendresës tuaj epike, kjo lëvizje shembi sot muret e kështjellës së mykur të republikës së vjetër. Muret e kështjellës së mykur të republikës së vjetër ranë vetëm prej qendrës dhe kurajos tuaj.
Askush nuk ju trembi dot, askush nuk na shtangu dot, askush nuk na kthen dot nga rruga që kemi nisur.
90 ditë, dhe Shqipëria tashmë nuk është siç ishte më parë. Por 37 ditët e ardhshme kjo lëvizje nuk do të ulet, nuk do shpërndahet, por do të marshojë në çdo cep të Shqipërisë.
Kurrë më pare, në këto 27 vite, që nga përmbysja e diktaturës, Europa nuk ka njohur një bashkim të tillë zemrash dhe vullnetesh si kjo lëvizje e pathyeshme dhe e pamposhtshme. Kjo lëvizje, nisi për t’i kthyer pushtetin qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë do t’ua kthejmë. Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme u kurorëzua sot, jo në rrëzimin e qeverisë, por gjysmës së saj, me garanci të cilat duhet të zbatohen nga fillimi deri në fund. Por beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk përfundon këtu.
Ne do të vazhdojmë deri në fund projektin tonë të madh të Republikës së Re, republikës së qytetarëve shqiptarë, republikës që do t’i japë fund komplotit politik dhe ekonomik që e ka sunduar këtë vend, e ka rrënuar ekonominë e saj dhe i ka varfëruar shqiptarët deri në palcë.
Republika e Re nuk është vetëm objektivi ynë, nuk është shpallja e pakthyeshme e 13 Majit nga ky shesh i lirisë, por është realiteti që ka ardhur e do të jetësohet përmes qëndresës, vullnetit tonë dhe votës së qytetarëve shqiptarë për programin dhe ekipin e Republikës së Re, më 25 qershor.
Sot, përmes dialogut politik që u bë vetëm falë imponimit të qëndresës dhe bashkimit qytetar, republika e vjetër ka pranuar rrugën institucionale të asgjesimit të saj, për t’i hapur vend ëndrrës suaj të Republikës së Re.
Kjo është domethënia e angazhimit për reformën kushtetuese. Angazhimi për Reformën Kushtetuese nuk është thjesht dy fjalë në një letër të bardhë, por është vetë shtrati kushtetues që ju premtova ditën e shtunë me 13 maj, për të ndërtuar së bashku një shtet dhe një shoqëri ku pushteti, pasuritë, të ardhurat dhe fati juaj, të jenë njëherë e përgjithmonë vetëm në dorën tuaj.
Asnjë tërheqje nuk do të ketë, vetëm përballje totale përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për t’i dhënë shqiptarëve një Shqipëri të çliruar nga droga, të çliruar nga krimi, të çliruar nga korrupsioni.
Kjo lëvizje që nisi me datë 18 Shkurt, kurrsesi nuk mund ta mbarojë tani misionin e saj.
90 ditët e ndritura të bashkimit dhe qendresës tonë epike janë krenaria, shpresa dhe kurajo e një shoqërie të tërë. Janë prova se e vetmja vlerë që e mund të keqen, e vetmja garanci që nxjerr një shoqëri nga errësira – drejt dritës, është vetë bashkimi ynë, është kurajoja juaj.
Ndaj, dinjiteti, kurajo, trimëria, shpresa dhe guximi që keni investuar në këtë shesh të lirisë, mendjet e shpirtrat e çdo shqiptari, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, muslimanë e të krishterë, janë asetet dhe garancitë e fitores së padiskutueshme të Republikës së Re, me 25 Qershor, e fitores së madhe.
Kjo do të jetë fitorja më e bukur!
Kjo është fjala juaj, ky është vendimi juaj, ky është zotimi im në këtë shesh të lirise, para jush dhe para Zotit.
Mos ta ndalim asnjë çast marshin tonë drejt Republikës së Re, drejt fitores së çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje.