Takimi i sotëm ishtë për fat të keq një përsëritje e takimit të djeshëm. Zoti Rama erdhi në tryezë pa asnjë ofertë, përveç mos-ofertës së takimit të djeshëm, i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të kuptuar e njohur krizën e rëndë politike në vend.

Mosnjohja e dy problemeve, tashmë ndërkombëtarësisht të njohura, dhe të pranuara si kërcënim ekzistencial për votën e lirë të shqiptarëve, përbën një mospremisë për zgjidhje.

Nëse nuk pranohet nga pala tjetër se kriminelët në pushtet, të cilët në shkelje dhe dhunim të ligjit të dekrimializimit vazhdojnë të mbajnë pushtetin e tyre, nëse nuk pranohet problemi i madh dhe kërcënimi që vjen nga droga dhe paratë e drogës, për mundësinë që qytetarët shqiptarë të shprehen të lire, atëherë si mund të vihet në një zgjidhje realiste për krizën e rëndë politike.

OFERTA        

Zgjidhja e ofruar sipas kryeministrit, nuk është një zgjidhje politike.

Monitorimi, në radhë të parë, është detyrë e institucioneve të monitorimit dhe ai nuk mund të kufizohet vetëm në çështjen e keqpërdorimit më masiv të shtetit, punonjësve të shtetit të cilët marshojnë me urdhra dhe kërcënime në mitingjet paraelektorale të Edi Ramës.

Nëse ne pranojmë të jemi alibi e këtij procesi, shqiptarët do të detyrohen në të njëjtën mënyrë për të votuar jo si qytetarë të lire, por si skllevër të një shteti të bërë njësh me pushtetin, të kërcënuar nga krimi dhe kriminelët me pushtet, e të kërcënuar nga paratë e drogës.

Pa njohjen dhe pranimin e kërcënimit jetik për demokracinë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme nga krimi në pushtet dhe nga droga, nuk mund të ketë asnjë premisë për të kërkuar dhe gjetur sëbashku zgjidhje.

Vullneti politik i Partisë Demokratike, i opozitës dhe i imi nuk ka munguar në asnjë çast. Vullneti politik i palës tjetër vihet në dyshim në momentin që nuk pranon përgjegjësinë për situatën e vendit, për krizën politike, dhe e trajton atë si një krizë partiake, kur gjithë bota flet për një krizë politike, por, as nuk pranon të njohë problemet kryesore që e sollën Shqipërinë në këtë krizë politike.

Prandaj, gjykoj se e vetmja rrugë përpara është njohja e krizës ku gjendet vendi nga pala kundërshtare, nga pala tjetër politike në këtë proces, me një sens realiteti, në radhë të pare.

Në radhë të dytë është njohja e faktorëve të kësaj krize, të kapjes së shtetit nga interesat e krimit dhe drogës, të koncesioneve dhe tenderave dhe trajtimit të shtetit si pronë private, që sjellin edhe varfëri, papunësi, shërbim shëndetësor në kolaps, sistem arsimor në kushte jashtëzakonisht të pavaforshme për fëmijët dhe studentët shqiptarë, ekonomia në ngërç që jo vetëm nuk prodhon më vende pune dhe paga dinjjtoze për njerëzit, por është në procesin e shkatërrimit të biznesit të vogël, përmes falimentimit, nxjerrjes në rrugë të njerëzve nga të gjithë kompanitë në kushtet e një asfiksimi ekonomik.

Të gjitha këto, janë produkt i një shteti të kapur nga krimi dhe droga. Tani synohet edhe kapja e zgjedhjeve.

KUNDËRPROPOZIMI        

Kundër propozimi ynë ka qenë i qartë. Përbëhet nga dy kollona.

Kollona e parë është një qeveri teknike me mandat pikërisht për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit dhe drogës në zgjedhjet e adhshme, për ti dhënë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kolona e dytë është eksplorimi i mundësisë që brenda 6 muajve nga momenti i marrëveshjes politike, të realizohet votimi elektronik biometrik për të cilat ka munguar tërësisht vullneti politik.

Zgjidhja politike vjen përmes vullnetit politik, i cili duhet të ketë si premisë kuptimin e gjendjes ku është vendi. Duhet të ketë si premisë pranimin e gjendjes së krimit dhe drogës në vend dhe vetëm mbi këto baza mund të shkohet drejt një zgjidhje me dialog.

Ne kemi paraqitur dy shtylla dhe nga ky propozim nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Jam i gatshëm që çfarëdo që Partia Demokratike dhe unë personalisht mund të ofrojmë, ta ofrojmë në funksion të zgjidhjes që duhet të jetë për qytetarët. Por, ajo që nuk mund të bëjmë, është që t’u japim qytetarëve alibinë se do kenë mundësi të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar, kur kërcënimi nga droga, krimi dhe një administratë e marshuar nën urdhëra politikë, janë realiteti, si ka qënë në këto 3 vite e gjysmë në të gjitha proçeset elektorale.

Propozimi ishte i detajuar. Nëse do të kishte një marrëveshje politike, propozimi im ishte fare i thjeshtë.

  • Nisur nga momenti i marrëveshjes politike, brenda 3 javëve të eskploronim nëse votimi elektronik do të ishte i mundur brenda një periudhë 6 mujore.
  • Nëse do të ishte i mundur, atëhere të veprohej menjëherë, sepse kjo në vetvete ndonëse duket si një zgjidhje teknike, ofron garanci politike për një numër problemesh që ju i njihni fare mirë siç është tjetërsimi i kartave të identitetit, sekuestrimi i tyre nga krimi apo nga shumat e parave, kartat e identitetit falso, votimi i shumëfishtë, votimi tjetër për tjetër dhe i gjithë presioni i një ushtrie prej 40 mijë mijë militantsh.
  • Qytetarët votojnë në një dhomë pa komisionerë të partive politike, vetëidentifikohen dhe në momentin e votimit të qytetarit të fundit, rezultati kombëtar shpallet para qytetarëve.

Asgjë nuk do të ndryshojë nëse opozita tradhëton këtë kauzë qytetare për hir të interesave të saj të ngushta politike. Gjithçka do të ndryshojë vetëm nëse ne qendrojmë të bashkuar në këtë betejë për ti dhënë shqiptarëve një republikë me të vërtetë të qytetarëve dhe jo të politikanëve dhe aq më pak të krimit, drogës dhe korrupsionit.