Mesazhi i Lulzim Bashës në çadrën e protestës për zgjedhje të lira, pas tërheqjes së Edi Ramës nga zgjedhjet moniste në Kavajë
Republika e Re sapo shënoi fitoren e saj të parë. Falënderime dhe mirënjohje për qytetarët fisnikë të Kavajës, për kreshnikët e lirisë dhe demokracisë, që vulosën me qëndrimin e tyre tërheqjen e Edi Ramës nga plani ogurzi për të rikthyer monizmin në vendin që lajmëroi diktaturën komuniste.
Falenderoj nga zemra, qindra mijëra kavajas demokratë dhe luftëtarë të lirisë, të cilët me qëndresën e tyre u bënë një barrierë e pakapërcyeshme psikologjike për planet e krimit.
Falenderoj edhe ata, që dëshironin një alternativë me të vërtetë të majtë, por që vendosën të refuzojnë fasadën e shëmtuar kriminale që iu ofroi Rilindja dhe Edi Rama me datë 7 maj.
E gjithë Shqipëria e njeh kurajon e qytetit të Kavajës, 27 vite më parë. Tashmë dhe Edi Rama e njohu refuzimin masiv për të qenë pjesë e fasadës së diktuar nga krimi më 7 maj. Ky është dhe kontributi i dytë historik që Kavaja jep për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Por, ndryshe nga 27 vite më parë, tirania e krimit dhe e drogës e dinte se me 7 maj nuk do të kishte përara vetëm qytetarët fisnikë të Kavajës, por bashkimin më të madh të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Eshtë ky bashkim i paprecedent i shqiptarëve me këtë lëvizje të madhe që kalon kufijtë e çdo partie dhe çdo aleance, që e fitoi betejën e Kavajës, dhe bëhet gati të fitojë betejën për Shqipërinë europiane.
Kjo lëvizje nuk ndalet, nuk frikësohet, nuk manipulohet, nuk shitet as nuk blihet, por marshon drejt fitores.
E vërteta do të ishte e paplotë, pa konstatuar se Edi Rama kishte të drejtë kur, përveç frikës së refuzimit dhe përballjes me qytetarët ditën e dielë, shprehu edhe frikën e destabilizimit. Por Edi Rama e di, partnerët tanë të huaj e dine dhe është koha t’ia themi çdo shqiptari se, faktori i vetëm i destabilizimit në Shqipëri janë bandat e lidhura me pushtetin. Janë bandat kriminale që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë dhe i përkasin vetëm një krahu politik, Rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur.
Ndaj është momenti të përsëris ftesën time drejtuar Edi Ramës, drejtuar mazhorancës, për t’u bërë pjesë e zgjidhjes politike. Rruga e vetme është ndarja me krimin dhe drogën, dy faktorët kryesorë për destabilizimin e Shqipërisë, dy kërcënimet kryesore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rruga e vetme për tu bashkuar me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan zgjedhje të lira është qeveria teknike.
Rruga e preferuar e kësaj zgjidhje politike mbetet rruga e dialogut të vërtetë. Kavaja i dha një mësim të madh gjithë skeptikëve të pushtetit të inkriminuar. Bashkohuni sa nuk është vonë me këtë vullnet të pandalshëm të shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Bashkohuni dhe mos u bëni pengesë e të pandalshmes. Teatri i kukullave do të marrë fund, demokracia dhe Shqipëria do t’u kthehet shqiptarëve.
Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri, do të jenë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetëm me pjesmarrjen e opozitës, vetëm me zgjidhjen politike, e cila, për këtë lëvizje, kalon nga qeveria teknike dhe garancia e nevojshme për votën e lirë të qytetarëve.
18 qershori ka rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht.
Bëhuni pjesë e zgjidhjes për Republikën e Re, republikën e qytetarëve shqiptarë, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë, ose përballuni me bashkimin dhe marshimin më të madh të qytetarëve javën e ardhshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti e të çdo fshati, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci, nuk sprapset kurrë më.