Kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me qytetarët e qarkut Shkodër për krizën ekonomike dhe sociale
Në ditën e 82-të të protestës qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në Sheshin e Lirisë ishin banorët e qarkut Shkodër në bashkëbisedim me kryedemokratin Lulzim Basha lidhur me krizën politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në këto katër vite qeverisje të Rilindjes.
Izmita Ulqinaku është studente për arkitekturë dhe tha se qyteti i saj i Shkodrës po degradon dita ditës nga mungesa e fondeve dhe investimeve, si rezultat i qeverisjes së kryeminsitrit Rama. Edhe Kunora Lohja do të diplomohet së shpejti dhe do të përballet me tregun e punës më të cunguar se kurrë më parë. Për pak muaj diplomohem por nuk kam asnjë perspektivë për të ardhmen, për punësim dhe mirëqënie – tha Lohja – ndaj në 13 maj çdo i ri duhet të bërtasë më fort se kurrë për të drejtat e tyre dhe të ardhmen e të gjithëve ne.
Behar Lezha është banor i qytetit të Shkodrës dhe ka në pronësi një dyqan të vogël familjar. Ai kujtoi se si në fushatën e vitit 2013-ës, Edi Rama doli në rrugët e qytetit të Shkodrës për të kontrolluar listat e borxheve në dyqane si tregues për varfërinë e popullit shqiptar. Por sot ato lista janë shtuar, borxhet që marrin qytetarët janë rritur dhe sasia e konsumit ka rënë – tha Behari, i cili solli në vëmendje faktin se kryeministri edhe kur e viziton Shkodrën, vjen vetëm për t’u konfliktuar me kryetaren e Bashkisë, me të cilën thotë se nuk mund të merret, a thua se është zgjedhja e tij të merret me të zgjedhurën e qytetarëve shkodranë.
Shqetësuese, jo vetëm se ilustron gjendjen e vendit, por edhe për imazhin që Shqipëria jep ndërkombëtarisht, ishte dëshmia e Ardi Zajës, i cili tregoi eksperiencën me një grup pune të televizionit BBC, i cili donte të bënte një dokumentar për zonat e veriut të Shqipërisë, por në moment të fundit u tërhoq për shkak të frikës nga pasiguria dhe rendi në vend.
“Punova dhe takova njerëz që të përgatiteshim për kur grupi i punës së BBC të vinte në Shqipëri, në tetor apo në nëntor, por në një moment u bllokua ç’do gjë dhe ne nuk e kuptuam pse. Një ditë më pyetën si është siguria në Shqipëri? Paçka fjalëve të mia të bukura, ata më dërguan një email me disa linqe të ndryshme të televizioneve, gazetave në botë, ku tregohej një kanabizim total i Shqipërisë, edhe në zona të caktuara të Dukagjinit, Malsisë së Madhe edhe territorit ku grupi planifikonte xhirimet. Ndaj më thane se nëse flitet kaq shumë për një shkelje të madhe, çfarë sigurie kanë ata për të ardhur dhe për të xhiruar një dokumentar? Ata nuk erdhën. Dokumentari nuk u bë.”
Realitetin me të cilën përballen qytetarët dhe i trëmben edhe gazetarët e huaj, kryeministri nuk e njeh, duke larguar jo vetëm turistë, investitorë dhe media por edhe 300 mijë qytetarë, në eksodin më të madh të shqiptarëve në këto vite pluralizëm.
Afrim Cufaj, Zaim Kezi dhe Esmeralda Bega janë qytetarë të Shkodrës, Bërdicës, Tepelenës dhe gjithë Shqipërisë, për lirinë dhe mbarëvajtjen e së cilës i bënë thirrje çdo qytetari, të rinj, prindër, studentë, të papunë dhe profesionist, të varfër e të flakur pa një ndihmë, të protestojnë më 13 maj për lirinë e zgjedhjes, së Parlamentit të tyre, sistemit arsimor për fëmijëve të tyre, shëndetësinë që çdo qytetar meriton dhe vetë dinjitetin e të qënit votues i një republike demokratike.
Lulzim Basha kujtoi me studentët thelbin e demokracisë që është pikërisht kontrolli i qeverisë së zgjedhur me votë, nga opozita, pakica parlamentare edhe ajo e votuar nga qytetarë shqiptar.
“Për 4 vite me rradhë, kupola politike e republikës së vjetër, me në krye Edi Ramën, shkatërroi një nga një, të gjitha themelet e bashkëjetesës demokratike.
Ata shkelën dhe dhunuan Kushtetutën. Ligjin themelor të shtetit, që organizon marrëdhëniet mes institucioneve dhe pushteteve, në mënyrë që përmes kontrollit dhe balancës, të sigurohet harmonia e vendimmarrjes në demokraci.
Sepse demokraci me të vërtetë do të thotë, vendimmarrje nga shumica e zgjedhur legjitime, por do të thotë kontroll, po kështu nga pakica e zgjedhur legjitime.”
Për këtë arsye, tha Basha, Edi Rama i solli kriminelët jo vetëm në Partinë Socialiste, por në poste drejtuese, bashki, institucione, polici, dogana dhe drejtori. Gjithçka në funksion të së vetmes gjë që mund t’a shpëtojë politikisht, kapja e zgjedhjeve.
“Në planin e tij prishja e zgjedhjeve të ardhshme, kapja dhe diktimi i parlamentit të ardhshëm, ka rëndësi jetike. Ndaj gjithçka është bërë në funskion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme.
Për tre vite e gjysëm ne bëmë betejë në Parlament, studio televizive, konferenca për shtyp, vizitë pas vizite, dhe e vërteta e Shqipërisë dhe shqiptarëve të zhytur në dëshpërim,drogë, krimi të organizuar e të ngritur në pushtet, nuk depërtoi dot aq sa shqiptarët u ngritën dhe u bashkuan në këtë lëvizje madhështore, qytetare, kombëtare dhe demokratike.
Të vetmit që ia dolën t‘i tregojnë miqve tanë në Bruksel, Berlin, Uashington dhe anembanë botës perëndimore të vërtetën e Shqipërisë ishin qytetarët shqiptarë, ishte kjo lëvizje popullore. Ndaj sot Europa mbarë e njeh problemin e madh të drogës, krimit dhe korrupsionit qeveritar në Tiranë.”
Lulzim Basha tha se pas dy takimeve me Edi Ramën në funksion të dialogut politik për zgjidhjen e krizës dhe rezultatit shterpë të tyre, bindja është se kryeministri i përgjigjet vetëm bashkimit popullor më të madh të shqiptarëve për demokracinë dhe lirinë e votës.
“Data e parë më e rëndësishme në këtë kalendar është data 13 maj, ora 12:00 në mes të Tiranës ku së bashku me njerëz të thjeshtë, të papunë, të rinj, maturantë, studentë, gra dhe vajza, profesorëve dhe akademikëve, sportistë dhe artistë, sipërmarrësve dhe sindikalistë, të gjithë do të jemi bashkë me një zë të vetëm.
Ditën e shtunë së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së Re. Paqësorë dhe demokratik, bashkimi ynë do të jetë akti i rrëzimit formal të republikës së vjetër.”