Mesazhi i Lulzim Bashës në çeljen e fushatës: Merrni Shqipërinë në dorë me 25 qershor
Mirëmbrëma vëllezër e motra,
Zonja dhe zotërinj,
Qytetare e qytetarë e në veçanti të rinj e të reja që keni mbushur këtë shesh sonte!
Çfarë entuziazmi, çfarë besimi dhe shprese tek e nesërmja e sigurtë e Republikës së Re që themeluam këtu në këtë shesh.
Më lejoni tani, teksa rrezet e fundit të diellit prekin fasadat e Tiranës, ta nis me një urim nga zemra për besimtarët myslimanë në këtë muaj të sakrificës, në këtë muaj të shpresës, në këtë muaj të ngadhënjimit;
Agjërim të lehtë, të pranuar e të mbarë vëllezër e motra, besimtarë myslimanë!
Eshtë një sprovë ky muaj për besimtarët myslimanë.
Eshtë një sprovë për të gjithë shqiptarët ky muaj.
Eshtë sprova se bashkë dimë dhe do të ndërtojmë shpresën, bashkë dimë dhe do të ndërtojmë të ardhmen, Republikën e Re, për çdo shqiptare e çdo shqiptar.
Mbrëmë unë dorëzova listën fituese të Republikës së Re në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Siç e thashë, edhe mbrëmë kam marrë vendime të vështira, por jo të papritura. Këtu, në këtë shesh, thamë se ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë, duke sjellë në këtë bashkim të madh qytetar, përfaqësuesit më të spikatur të shpresave, përfaqësuesit më të denjë të komuniteteve të ndryshme nga Jugu në Veri, duke sjellë sjellë njerëz të spikatur të vlerave.
Sepse, mbi të gjitha dhe para gjithçkaje, Republika e Re është dhe do të jetë gjithmonë Republika e Vlerave.
Vendimet që kam marrë mbrëmë, pa dyshim i kanë ngritur pritshmëritë e çdo shqiptari dhe shqiptareje. Çfarë i shtyu këto zonja dhe zotërinj, këta të rinj dhe të reja dhe dhjetra të tillë t’i bashkohen projektit tonë të madh që themeluam së bashku në këtë shesh, Sheshin e Lirisë, sheshin e çadrës së lirisë, sheshin e Republikës së Re.
Ju i dëgjuat disa prej tyre. Askush prej tyre nuk vjen të marrë, të gjithë ata janë njerëz të sukseshëm në jetën e tyre, deri tani private apo publike, në fushat e tjera, përpos politikës.
Vali Duka ja ku je.
E vërtetë, takimin e parë e kemi patur në vitin 1995, kur unë isha akoma student në Utrecht në Holandë, dhe pedagogia Duka ishte një ndër zërat e paktë në atë kohë që përfaqësonte Shqipërinë në botën e përparuar akademike të Europës.
Profesor Romeo Gurakuqi, ti u krenove me Shkodrën, Shkodra dhe Shqipëria dhe shqiptarët krenohen me ty.
Ça ka vendos kështu Lulzim Basha, kush janë këta që na ka sjellë?
Po, po kjo është Republika e Re, dy profesorë në krye të dy qarqeve, në Shkodër dhe në Korçë. Ky është standardi, ky është vendimi. Kjo është shpresa dhe pritshmëria juaj, kjo është rruga drejt fitores.
Agron Shehaj që sapo më dha fjalën, foli me modesti, jo karakteristike për Vlorën e bukur e të shtrenjtë që e kemi të gjithë në zemër.
Po Agron Shehaj nuk është thjesht një sipërmarrës i suksesshëm shqiptar. Ai përfaqëson një plejadë akoma të vogël, por jashtëzakonisht të suksesshme në Europë dhe mbarë botën, në industrinë e telekomunikacionit dhe industrinë e inovacionit dhe të teknologjisë së informacionit.
Nuk ka rënë nga qielli, ka dalë nga lagjet e Vlorës, nga një familje tipike vlonjate. Dhe, përmes punës së tij, duke mos u dorëzuar para asnjë vështirësie, me kurajon që karakterizon shqiptarin e ndershëm për të arritur atë që meriton me punë të ndershme, sot, është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në Tiranë e Vlorë dhe një investitor i respektuar nga Italia në Londër.
Ky njeri, ky vlonjat, ky sipërmarrës që nderon shqiptarët kudo, nuk është pjesë e ekipit tim për të marrë asgjë, por për të ofruar dhe dhënë, Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, formulën e vetme të suksesit, mundësitë për çdo shqiptar që do të garantojë një ekonomi të fortë e një të nesërme të sigurtë në Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë.
Aleatë të dashur, ju përshëndes!
Nuk po vazhdoj me kurrikulën e çdo kandidati, në këto katër javë do të kemi kohë mjaftueshëm, por jo shumë kohë për t’i njohur të gjithë ata dhe aftësitë e tyre e për t’i besuar me votën tuaj. Katër javë, ju kërkoj ta bëni natën ditë dhe ju premtoj se në krye të katër javëve, Republika e Re do të jetë realitet për çdo shqiptar.
Falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush.
Jemi bërë një familje e madhe tani, shumë prej jush, gjithsecilin prej jush e njoh me emër. Pothuajse në një pjesë të madhe jemi parë në 90 ditë të qëndresës tonë dhe të hapit tonë të parë drejt fitores vendimtare të Republikës së Re me datë 25 qershor.
Aleatët tanë politikë, që sot janë bashkuar nën siglën e Partisë Demokratike të Shqipërisë, dua t’i falënderoj nga zemra për qëndresën dhe luajalitetin e tyre!
Sot në Shqipëri, opozita është e bashkuar. Pala kundërshtare është e përçarë. Të bashkuar ne shkojmë drejt fitores së sigurtë.
***
Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur në këtë vend që ka marrë një domethënie të veçantë për gjithsecilin prej jush e për çdo shqiptare e shqiptar që i ka sytë e shpresës nga projekti ynë i Republikës së Re, në një moment tepër kritik për vendin, në një moment shumë të vështirë për shumicën dërrmuese të shqiptarëve kudo ku jetojnë.
Ne kemi ardhur në këtë ditë, sepse deri më sot, sistemi që ndërtuam 27 vite më parë nuk ka arritur të plotësojë ëndrrën dhe pritshmëritë e shqiptarëve.
Në këto 4 vite të fundit, Edi Rama dhe çeta e tij e korruptuar dhe inkriminuar ia ka dalë ta zhbëjë totalisht politikën si një instrument ndryshimi dhe arritjesh për qytetarët shqiptarë.
E vërteta është, ajo që kemi thënë prej ditës së parë.
Republika e vjetër është sot thjesht dhe vetëm një fasadë. E them unë, e thoni ju, e dini ju, e di çdo shqiptar, e dijnë edhe kundërshtarët tanë, e pohojnë.
E dëgjoni si flet për politikën si lojë shahu. E keni dëgjuar apo jo?! Lojë shahu, kjo është një lojë shahu.
Po njerëzit çfarë janë, gurë shahu?
A është gur shahu shëndeti i fëmijëve tuaj?
A është lojë shahu arsimimi i fëmijëve tuaj?
A është lojë shahu punësimi juaj?
(Jo Jo Jo Jo!)
A është lojë shahu niveli i pensioneve dhe rrogave të qytetarëve shqiptarë, fatura e energjisë, çmimi i karburantit?
A është lojë shahu dëshpërimi që ka kapluar vendin anembanë, i njerëzve që kërkojnë dhe nuk gjejnë vend pune, i atyre që kanë një vend pune dhe nuk kanë siguri nëse do ta kenë prapë nesër?
Kjo nuk është lojë shahu. Këto janë hallet e vërteta të shqiptarëve të vërtetë.
Dhe shqiptarët nuk janë gurë shahu Edi Rama!
Në 4 vite, Shqipëria u sundua nga aleanca e një grushti politikanësh me krimin e organizuar. Kriminelët që duhet të ishin mbrapa hekurave u ulën në kolltuqet e vendimmarrjes në Parlament, në bashki dhe madje në qeveri.
Në 4 vite, ekonomia u shkatërrua. Ku janë 300 mijë vendet e punës që premtove Edi Rama? Ku është shëndetësia falas që premtove Edi Rama?
E vërteta është se për Edi Ramën, prej fillimit, kjo me të vërtetë ka qenë një lojë shahu dhe tani që me vullnetin tonë të përbashkët marshojmë drejt 25 qershorit, me vendosmërinë tonë për të diktuar vetëm zgjedhje të lira e të ndershme dhe përmes gjykimit të shqiptarëve me votë t’i japim fund republikës së vjetër, tani, Edi Rama thotë se nuk kisha kohë për 300 mijë vende pune; se nuk kisha kohë për shëndetësinë falas; se nuk kisha kohë për 97% të shqiptarëve që do të paguajnë më pak taksa; se nuk kisha kohë për bujqësinë me impute bujqësore pa taksa e pa akcizë.
Kjo është një gënjeshtër e pastër.
Edi Rama kishte kohë të mbaronte shumë prej këtyre punëve dhe të niste disa të tjera. Por Edi Rama zgjodhi ndryshe.
Për të, nuk ishte prioritet ekonomia, prandaj i rriti taksat, e rriti çmimin e energjisë, e rriti çmimin e naftës.
Për të, nuk ishte prioritet shëndetësia, as falas dhe as ajo jo-falas.
Prandaj, paratë e shëndetësisë ia dorëzoi në dorë katër koncensionarëve, miqve të tij që marrin qindra milionë euro nga taksat tuaja, që nuk shkojnë kurrë për pacientët tanë dhe familjarët e tyre.
Edi Rama e kishte mundësinë t’i hapte me të vërtetë dyert e universiteteve për të rinjtë në bazë të meritë-preferencës, por në fakt, krijoi një kaos total me maturantët dhe sot, sipas ligjit të tij të arsimit të lartë, studentët duhet të paguajnë tarifa më të larta për tu futur në universitete, ku nuk diktojnë as ata, as pedagogët, por politika dhe interesat korruptive.
Edi Rama kishte kohë, por Edi Rama zgjodhi fasadat, Edi Rama zgjodhi palmat.
Qindra euro për një palmë në vend që të rriste pensionet, në vend që të rriste ndihmën ekonomike, në vend që të ndihmonte fermerët.
Në vend që të subvenciononte studentët, zgjodhi të mbjellë palma dhe ndërtoi fasada me tenderat e tij korruptive anembanë Shqipërisë.
Politika, vendim-marrja është çështje prioritetesh.
Mua më pëlqen palma. Palma është pemë e bukur, në veçanti më pëlqen palma në verë, sepse bën hije, pavarësisht se palmat e Edi Ramës janë tharë dhe në asnjë ditë nuk kanë lëshuar degë, por, të të pëlqejnë palmat, dhe të harxhosh paratë e shqiptarëve për palma, janë dy gjëra të ndryshme.
E para është çështje shijesh, e dyta është një krim i rëndë kundër popullit tënd.
Nuk do të ketë e nuk mund të ketë, dhe me votën tuaj do të marrë fund koha kur kryeministri paguan me paratë e shqiptarëve, qindra milionë euro për palma e fasada, ndërkohë që, qindra mijëra shqiptarë, dergjen në varfëri në mungesë shprese, në papunësi, dhe pasiguri.
Republika e Re, do t’i japë fund kësaj. Unë do t’i jap fund kësaj. Ju jap fjalën!
Unë dhe ekipi im kemi një plan për nxjerrjen e shpejtë të vendit nga kriza e rëndë që na ka pllakosur, por për këtë, së pari, duhet të shohim e të pranojmë të vërtetat ashtu siç janë.
E vërteta është se, Shqipëria është në këtë krizë të thellë ekonomike, jo thjesht dhe vetëm sepse Edi Rama i braktisi premtimet e para katër viteve, por ai shkoi në drejtim të kundërt me këto premtime, sepse, në mendjen e tij nuk ishin kurrë interesat e shqiptarëve, por vetëm ato të një kaste pushtetarësh të korruptuar dhe kriminelëve që i siguruan votat dhe që e mbajtën në këmbë.
Kjo është e vërteta.
Me 25 qershor, shqiptarët do të votojnë për të zëvendësuar një qeveri dhe një kryeministër që, mban vetëm punët e veta, vetëm xhepat e vet, në bashkëpunim me krimin, prej ditës së parë deri në ditën e fundit në zyrë, me një qeveri të zgjedhur nga qytetarët dhe një kryeministër që kontrollohet vetëm nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi.
Të krijojmë mundësi për çdo shqiptar.
Tha 300 mijë vende pune dhe nisi 300 mijë shqiptarë në eksod
Premtoi shëndetësi falas, dhe tani thotë dua edhe 4 vjet të tjera për shëndetësinë falas.
Po 300 mijë vendet e punës? Tani thotë do të bëj edhe 220 mijë të tjera. Çfarë do të thotë kjo? Mos do të thotë edhe 220 mijë shqiptarë të tjerë të ikin në këto katër vite?
Kurrsesi!
Edi Rama, mbaji vesh, dëgjo mirë.
Çdo shqiptar e do Shqipërinë, por Shqipëria është e fortë vetëm kur shqiptarët janë të fortë sepse Shqipëria janë shqiptarët, janë qytetarët, janë populli i saj, nuk janë fasadat, nuk janë palmat, nuk janë tenderat dhe konçesionet korruptive.
Nuk ka shtet të forte, pa ekonomi të fortë. Nuk ka qytetarë të fortë, pa ekonomi të fortë.
Që të kemi një Shqipëri të fortë, duhet të kemi një ekonomi të fortë.
Që të kemi një Shqipëri të mirë, duhet që qytetarët të ndjehen mirë. Që të kemi një Shqipëri të pasur, duhet të kemi shqiptarë, qytetarë që ndajnë proporcionalisht pasuritë e këtij vendi.
Ky nuk është shteti i fortë që ne duam. Ky është shteti i të fortëve vetëm për një grusht të fortësh.
Kjo është republika e vjetër.
Ne do ta përmbysim së bashku me 25 qershor.
Ne do të nërtojmë një vend të mundësive për të gjithë. Një Republikë të Re, jo vetëm për pushtetarët e ardhshëm.
Unë e di, e di se çfarë mendimi keni shumica prej jush për politikanët.
Që sa futemi në zyrat e politikës, nuk e kemi mendjen tek premtimet që dhamë, por e kemi mendjen tek pushteti, tek privilegjet, tek tenderat, tek koçnesionet, tek emërimet.
Në qoftë kështu, atëherë me të vërtetë është lojë shahu dhe kjo nuk ia vlen.
Por, ne jemi këtu, pas një beteje 90 ditore dhe në një marshim tjetër 30 ditor, jo thjesht dhe vetëm për të ndryshuar lojën e shahut, për të rregulluar gurët e bardhë dhe të zinj, jo kurrsesi.
Loja merr fund me 25 qershor, tryeza e shahut përmbyset me 25 qershor.
Jo politikanët, jo një grusht politikanësh, por ju do ta keni në dorë me 25 qershor.
Shqiptarë, merrni në dorë Shqipërinë, me 25 qershor.
Lulzim Basha, lindi me 12 qershor 1974 këtu në Tiranë. Nuk kam lindur as politikan, as jurist. Jam bir i një familje të thjeshtë. Babai im punoi si mekanik, si elektroauto, derisa doli në pension. Nëna ime, ishte mësuese në ciklin e ulët katër vjeçar derisa doli në pension.
U rrita në një familje të thjeshtë, në një lagje tipike të Tiranës, afër Medresesë.
Sigurisht, familja ime, si familjet tuaja, si familjet shqiptare, bëri gjithçka në ato kushte të vështira, që unë të merrja sa më mirë bazat e arsimit.
Më edukuan me adhurimin për dijen, me adhurimin për arsimin dhe, me hapjen e Shqipërisë, pas vitit 1990, unë përfitova nga kjo hapje një mundësi të madhe e të rrallë për kohën; të studioja në një nga vendet më të përparuara të Europës, në Holandë, ku me vlerat tipike shqiptare që më mbrujti familja, shoqëria, miqtë e mi, u përkushtova tërësisht dhe në vitin 1998, besoj se nderova jo thjesht universitetin e Utrecht-it dhe Holandën, por në radhë të parë Shqipërinë dhe shqiptarët, kur u rreshtova i 10-i në botë në konkursin e famshëm ndërkombëtar, për drejtësi ndërkombëtare në Uashington, e pas kësaj mu dha mundësia në institucionet ndërkombëtare, së pari në Tribunalin e Hagës ku isha pjesë krenare e skuadrës që hetoi e ngriti akt-akuzën dhe ndoqi penalisht kasapin e Ballkanit.
Punova me nder dhe përkushtim për disa vite në Kosovë, pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara.
Asgjë në jetë nuk më erdhi falas, gjithçka ishte produkt i mundësisë, i hapjes së mundësisë dhe i punës sime.
Kjo është e vërteta ime deri ditën kur Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, në vitin 2005, hapi dyert e saj për kontributin e të rinjve në politikë.
Dy herë kam përfituar mundësi, nga hapja në vitin 1992 dhe në vitin 2005.
Mundësive që mu dhanë, u jam përgjigjur me punë dhe sakrificë, me sensin më të lartë të dinjitetit dhe të shërbimit.
E di që këto mundësi që funksionuan për mua, në shumë raste u përpoqa t’i kthej në mundësi që funksionojnë për ju.
E tillë ishte mundësia për të ndërtuar veprën më të madhe infrastrukturore në historinë e Shqipërisë, Rrugën e Kombit.
E tillë, ishte mundësia për të shërbyer me nder si ministri juaj i jashtëm në vitet historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
E tillë, ishte mundësia për të shërbyer për një nga arritjet më të mëdha, shembjen e “Murit të Berlinit” që ndante familjet tona, heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe rikthimin e dinjitetit të tyre.
E di që nuk kam qenë gjithmonë aq i suksesshëm sa unë doja, siç është rasti i luftës politike që iu shpall Bashkisë së Tiranës me ardhjen e Edi Ramës kryeministër, me një dhe vetëm një qëllim, për ta bërë politikën një lojë të pisët ku nuk ka rëndësi kush vrapon i pari, por rëndësi ka të ndërpresësh tjetrin.
Nuk më preu mua, preu qytetarët e Tiranës, iu preu këmbët duke prerë projektet madhështore që së bashku kishim.
Kjo është kostoja e konfliktit politik. Kjo është kosto e egos së çmendur të politikanit i cili për të arritur synimet e veta politike, goditi axhendën e qytetarëve të Tiranës.
Unë e kam parë dhe e kam vuajtur këtë së bashku me qytetarët e Tiranës ndaj ju premtoj sot se në Republikën e Re, vetëm interesi i shqiptarëve do të prevalojë dhe dora ime si kryeministër do të shtrihet ndaj çdokujt që punon për shqiptarët dhe interesin e shqiptarëve.
***
Vëllezër dhe motra, ndonëse jam në syrin e publikut tash 12 vjet, ndjeva se duhet ta ndaja sot në këtë ditë të veçantë, në këtë takim të veçantë, këtë pjesë të historisë të jetës sime, për t’u bërë të kuptoni se çfarë më shtyu të futem në politikë, e të merrem me politikë. Unë kam një sens të jashtëzakonshëm mirënjohje ndaj Zotit të madh, ndaj prindërve të mi, ndaj qytetarëve të mi për shanset e mëdha që më janë dhënë në jetë.
Unë nuk linda ky që jam.
Unë jam ky që jam për shkak të mundësive që mu dhanë në jetë natyrisht dhe përpjekjes dhe punës sime të palodhur për ti kthyer këto mundësi në sukses, jo thjesht dhe vetëm për veten time, por për të gjithë ju.
Ndihem i bekuar me atë çfarë jeta më ka ofruar. Por sot, është momenti, sot është detyra ime, të bëj gjithçka që çdo shqiptar të ketë të njëjtat mundësi e në veçanti rinia shqiptare, të ketë të njëjtat mundësi për të ndërtuar këtu në Shqipëri jetën e tyre, jetën tuaj përmes punës së ndershme, pa ulur kokën para pushtetarëve, pa u torturuar nga shteti i fortë dhe qytetarët e dobët, por, duke u falur vetëm dinjitetit tuaj, familjes tuaj, punës tuaj, djersës tuaj të ballit. Kjo me pak fjalë është shtysa dhe motivimi im për të shërbyer, për të shërbyer që së bashku të ndërtojmë një Republikë të Re.
Republikë të Re, e cila do të marrë vendimet e duhura.
Republikë të Re, e cila nuk do të jetë fasadë , por shtëpia e përbashkët e çdo shqiptari dhe e çdo shqiptareje.
Zgjedhja e 25 Qershorit është një zgjedhje fare konkrete.
Nëse qëndrojmë këtu ku jemi, me këtë ligj korruptiv për arsimin e lartë, gjithmonë e më pak studentëdo t’ia dalin të futen në bankat e universiteteve e akoma më pak të gjejnë një vend pune.
Me Republikën e Re, ky ligj do të anullohet që ditën e parë. Nuk do të ketë bir dhe bijë shqiptari që ti pamundësohet studimi i lartë në universitetet publike, për shkak të pamundësisë ekonomike.
Tarifa të ulëta, autonomi universitare, bashkëqeverisje mes pedagogëve dhe studentëve.
Dhe për 10 mijë më të mirët, të sapodiplomuar çdo vit, Republika e Re do të paguajë stazhin 200 mijë lekë në muaj, për të bërë gati urën që lidh studentin e sapodiplomuar me tregun e punës.
O bujq shqiptarë, që keni parë këto katër vite çmimin e naftës, të ngrihet. Keni parë të ngrihen taksat dhe keni parë doganat e korruptuar që t’ju shpartallojë atë prodhim që mezi e nxirrni me djersën e ballit tuaj, dhe s’keni parë një kokërr leku subvencion. Me Republikën e Re, 1,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, 100 milionë euro, subvencione të drejtpërdrejta, dhe 50 milionë të tjera për infrastrukturën, do ta shndërrojmë bujqësinë shqiptare jo thjesht në një zanat mbijetese por në një motorr të fuqishëm të ekonomisë dhe zhvillimit rural.
Fëmijë shqiptarë e në veçanti ju prindër shqiptarë.
Sistemi arsimor, nuk plotëson asnjë prej pritshmërive dhe shpresave tuaja, të shkatërruara këto 4 vite si asnjëherë tjetër. Republika e Re ka një mision. Unë kam një program, një vendim; fëmijët e shqiptarëve nga kopshti deri në përfundimin e shkollës së mesme, do të jenë në shkolla me drekë falas, të paguara nga Republika e Re, nga buxheti i Republikës së Re.
Nëna shqiptare, ju nuk duhet të keni asnjë merak se fëmijët tanë do të enden rrugëve, sepse, deri në orën e daljes nga puna, Republika e Re, në shkollat që do jenë tempujt e dijes, do të garantojë pas orëve të mësimit aktivitete arsimore sipas përvojave të standardit europian.
Në 4 vitet e para, kjo do të ndodhë në gjysmën e shkollave. Në krye të 8 viteve, Republika e Re do ta kthejë këtë standard europian në një të mirë të prekshme e të shijueshme për prindërit dhe fëmijët shqiptarë.
Nuk ka dhe nuk do të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Si e shkatërroi ekonominë Edi Rama?! Me taksa të larta. Me dhunë. Me çmimet më të larta të naftës dhe energjisë në Europë. Republika e Re do të përfaqësojë taksën e sheshtë 9 përqind, 15% tatimin mbi vlerën e shtuar, 1.5% të xhiros në total të taksimit qendror dhe lokal për bizneset e vogla, me ndalim kalimi për inspektorët, zerimin e dividentit në mënyrë që 1 miliardë euro që sot vit për vit abuzohen, vidhen apo shkatërrohen nga informaliteti dhe nga familementimi i bizneseve, të injektohen në ekonominë shqiptare dhe të çlirojnë energji pozitive, punësimin e shqiptarëve, rroga të larta për shqiptarët.
Shëndetësia shqiptare nuk do të jetë më lopa e 4 oligarkëve. 25 qershori do të jetë ditë zie për 4 oligarkët sepse të nesërmen e vendimarrjes së shqiptarëve, në Republikën e Re, koncensionet korruptive në shëndetësi do të anulohen nga i pari tek i fundit dhe ju do të keni për herë të parë një buxhet shëndetësor që shkon me të vërtetë për mjekë që paguhen me dinjitet dhe ska nevojë të marrin rryshfetin në tavolinë.
Farmaci spitalore që ofrojnë atë për të cilën ju paguani taksat tuaja në buxhetin e shtetit.
Shëndetësi që do të shërbejë me mjekë të mirëtrajnuar, sepse paratë e shqiptarëve nuk do të përfundojnë në xhepat e 4 oligarkëve, por do shpenzohen me standard europian në një sistem shëndetësor i cili nuk mund të ndryshojë brenda ditës por do të ndryshojë për ti shërbyer shqiptarëve dhe jo oligarkëve.
Cila është garancia?! Ju thashë që mbrëmë mora një vendim të vështirë. Vendimin e ekipit me të cilin Republika e Re do të përfaqësohet. Ekipi më përfaqësues, më I denjë, me programin e shpresave të vërteta të shqiptarëve.
Por, ju premtoj se kjo është hera e fundit që një kryetar partie vendos listën e deputetëve, sepse, herën tjetër, listën e deputetëve do ta vendosë vetëm qytetari shqiptar.
Repormë totale kushtetuese.
Shqiptarët do të zgjedhin drejtpërdrejtë përfaqësuesin e tyre në parlament që do ti kërkojë llogari një qeverie të përgjegjshme, një kryeministri të përgjegjshëm. Ju do ta keni Shqipërinë në dorë ndaj, le ta marrim Shqipërinë në dorë. Me 25 Qershor, merreni Shqipërinë në dorë. Le të ndërtojmë së bashku Republikën e Re. Të ndërtojmë së bashku republikën tuaj për një ekonomi të fortë, për një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar. A jeni gati apo jo?!
Fitore!
Republikë e Re!
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!