Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapin fushatën në Sarandë. “”Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet dhe do të hapë vende pune. Ky është prioriteti im dhe realiteti i Republikës së Re”
Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në qytetin e Sarandës. Basha tha se nuk mund të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Por një ekonomi e fortë do të thotë, qytetarë me mundësi për punë, dhe mirëqënie.
“Fare i ri pata mundësinë të studioj në një nga vendet më të përparuara e të zhvilluara demokratike, me ekonomi të fortë, në Holandë. Por kudo ku kam qënë, kam parë se një shtet demokratik me ekonomi të fortë e bën qytetari i fortë, sipërmarrësi i fortë, sindikatat e forta, fermeri i fortë, dhe jo kryeministri i fortë. Kryeministri krekoset, qytetarët zvarriten. Ky nuk është shtet i fortë. Ky është shtet i falimentuar, shtet i shkatërruar. Nuk ka politikan të përgjegjshëm që pretendon se po bën shtet kur shqiptarët po varfërohen, kur çmimet rriten ditë për ditë, kur papunësia rritet, kur shëndetësia është në pikë të hallit. E mbani mend të gjithë se çfarë premtoi para 4 vitesh. Premtoi 300 mijë vende pune por vende pune nuk hapi. Premtoi ulje taksash por taksat u rritën. Premtoi uljen e çmimeve dhe çmimet janë më të larta. Fermerët i la në mes të baltës. Premtoi rend dhe siguri. Mori Eskobarin në qeveri. E mbushi Shqipërinë me drogë dhe mori Eskobarin në qeveri. Rend dhe siguri me Eskobarin në qeveri, ky është bilanci i Edi Ramës”, tha Basha.
Kryetari i opozitës tha se e vërteta është ndryshe nga sa thotë Edi Rama.
“Dje tha se ekonomia po rritet por populli nuk e kupton. E vërteta është krejt ndryshe. Edi Rama, ekonomia është katastrofë, je ti që nuk e kupton se ke humbur çdo lidhje me realitetin e njerëzve të thjeshtë. Je futur në moçal dhe bashkë me një tufë njerëzish, hani e pini në moçal dhe i keni zënë tokën e bukës një populli të tërë. Ndaj 25 Qershori është dita për ta tharë moçalin e për të larguar njëherë e mirë këta grabitcarë. Demokracia nuk mund të vazhdojë të jetë moçali ku fryhen e majmen një grusht politikanësh. Nuk mund të jetë më ku jetojnë e bëjnë para vetëm një grusht politikanësh dhe njerëzit e lidhur me ta. Që të jetë demokraci, duhet të funksionojë për çdo qytetar. Që të jetë demokraci e vërtetë, duhet ti krijojë mundësi çdo qytetari, të jetojë me punën e tij, me punën e saj të ndershme. Ky është premtimi i Republikës së Re” tha Basha.
Basha u shpreh se do jetë kryeministri i shqiptarëve, i halleve dhe problemeve të tyre. Garancia është programi i tij i hartuar nga ekspertët e kancelares gjermane Merkel.
“Unë do të jem kryeministri i halleve tuaja, i problemeve tuaja, i shpresave tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Unë do të jem kryeministri i qytetarëve, kryeministri i ekonomisë dhe për këtë unë vij para jush me një program ekonomik i cili ka vulat e eskpertëve më të mirë të Europës, eskpertëve ekonomik gjermanë, pjesë e skuadrës së Partisë tonë simotër Unionit Kristiandemokrat të Angela Merkel e cila po kështu konkuron këto zgjedhje e po kështu do ti fitojë këto zgjedhje si ne në Qershor. Me programin ekonomik, me vulat gjermane, vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë. Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet dhe do të hapë vende pune. Kjo është, ekonomia e fortë, prioriteti im numër një dhe realiteti i Republikës së Re”, tha Basha.