Bashkëbisedim në ditën e 77 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, për vështirësitë dhe pamundësitë e të rinjve e studentëve. Shpresë dhe besim tek Republika e Re që ka nisur marshimin

 

Në ditën e 77 të qëndresës për zgjedhje të lira e të ndershme, në Sheshin e Lirisë, diskutimet me të rinj e pedagogë u fokusuan tek vështirësitë, problemet, shkeljen e të drejtave, papunësinë dhe mungesën në këto katër vite të qeverisjes së Edi Ramës.

 

Në hapje të agorës, studentja e Fakultetit të Drejtësisë, Aishe Isha, tha se, “Ligji për arsimin e lartë po shkel me të dy këmbët aspiratën e mijëra maturantëve shqiptarë për shkollim dhe edukim. Ata sot ndihen të zhgënjyer dhe të nëpërkëmbur nga premtim- mashtrimet e ministres Nikolla dhe Edi Ramës”.

 

“Në 7 Maj, në Kavajë tha ajo, republika e vjetër, e cila ka shkatërruar Shqipërinë në këto vite, do të marrë leksionin e lirisë dhe demokracisë së vërtetë”.

 

Enxhi Turtulli u shpreh se në Shqipëri me ministra e kryeministër të kapur nga krimi dhe droga, nuk mund të ketë investime dhe vende pune sepse ata kanë ngritur vetëm ekonominë e drogës dhe të korrupsionit.

“Sot nga cadra, shtëpia e të gjitha shqiptarëve, ku të vërtetat thuhet sic janë dhe jo të shtrembëruara nga propaganda e qeverisë, unë u them atyre që mendojnë se Shqipëria nuk bëhet, PO, Shqipëria bëhet! Behet vetëm me Republikën e Re dhe me Lulzim Bashën. Sepse Lulzim Basha e do Shqipërinë dhe do të punojë për të. Pas Kavajës në 7 Maj, është radha e të gjithë qyteteve shqiptarë për ti u kthyer qytetarëve dhe normalitetit të lirisë dhe ligjit” – tha Turtulli.

 

Pedagogu i Universitetit të Durrësit, Redi Myshketa në mesazhin e tij tha se, kjo ditë është një himn për të reflektuar për sakrficën e patriotëve, luftëtarëve të lirisë, për dhimbjen dhe vuajtjen e mijëra heronjve të heshtur të diktaturës që besuan tek Shqipëria e lirë dhe demokratike. Duke cituar filozofinë e një prej intelektualëve më të mëdhenj hebrej që i ka mbijetuar holokaustit, Delei, pedagogu Myshketa bëri apel për rrezikun e indiferencës së shoqërisë në udhëkryqin ku gjendet vendi.

 

“Nuk ka qytetarë të virtytshëm, nuk ka qytetarë të lirë dhe intelektualë, nëse do të ketë indiferencë. Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj Shqipërisë që vuan, me problem e halle kaq të mëdha, me drogën, krimin, varfërinë. Të heshtësh në këtë situatë nuk do thotë tolerance, por është injorancë, do të thotë të  braktisësh  veten dhe Zotin që ka secili prej nesh brenda vetes. Indiferenca për një shoqëri është vdekje dhe sot është koha që ne duhet të ringjallim Shqipërinë”.

 

Ejona Ruko theksoi se në 7 Maj, shqiptarët do ti kthehen Kavajës për liri e demokraci, dhe se të rinjtë do të jenë në pararojë të kësaj lëvizjeje, në mbrojtje të votës së lirë.

 

“Republika e Re që do të ngrihet me zgjedhje të lira e të ndershme është shpresa dhe mundësia e vetme për të rinjtë dhe cdo qytetar shqiptar.Vendi i secilit prej nesh në 7 Maj, tha ajo, është në Kavajën e rezistencës dhe djep i demokracisë shqiptare.

 

Studenti Bruno Kondi tha se të rinjtë besojnë në Republikën e Re sepse është sistemi i të gjithëve dhe jo pushtet  për Lulzim Bashën.

 

“Ajo është republikë e besimit dhe e vlerave reale dhe e jo mashtrimeve të parealizueshme sic bëri Rilindja e Ramës në këto katër vite. Të rinjtë do të jenë në Kavajë për tia rikthyer atë qytetarëve të lire dhe jo tia lenë Kavajën, kriminelëve dhe trafikantëve të drogës”.

 

Studentet Briselda Coba, Uejda Damjani dhe bashkëmoshatarë të tyre që dhanë mesazhin për ditën e 7 Majit në Kavajë, u shprehën se, kjo ditë është shpresë dhe besim edhe për ata qindra e mijëra të rinj që enden rrugëve të azilit për tu kthyer në Atdhe, ku do të triumfojë Republika e re.

“Më qeverinë e Ramës, reformat, ligjet vendimet, gjithcka ishte dhe është fasadë . Eshtë e dhimbshme dhe dëshpëruese të shohësh të rinjtë shqiptarë rrugëve të botës, sepse kanë ikur nga vendi, ku nuk ka shpresë, punë e para. Republika e Re do u sjellë atyre liri, alterantivë punësimi dhe të drejta për shkollim. Me Republikën e Re, e ardhmja dhe siguria e të rinjve është në Shqipëri dhe jo jashtë saj”, u shprehën të rinjtë.

 

Pedagogu Kreshnik  Bello tha se qeveria e Rilindjes ngriti pikërisht Shqipërinë që nuk duhet e që nuk e do asnjeri.

“Një vend ku cdo ditë ka krim, grabitje vrasje e drogë, kjo nuk është Shqipëria ku duam të rriten fëmijët tanë. Nuk ka zhvillim me votë të dhunuar nga krimi dhe varfëria. Vota e shqiptarëve masakrohet para se të shkojë në kutitë e votimit. Kjo është e vetmja ofertë e Rilindjes për të tashmen dhe të ardhmen. Por shqiptarët nuk mashtrohen më, dhe nga ky shesh, rezistenca për liri dhe demokraci është garancia e vetme për zgjedhje të lira e të ndershme. Në 7 Maj në Kavajë do të fitojnë shqiptarët, do të fitojë Republika e Re”.

Në mesazhin e tij, kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se marshimi i Republikës së Re ka nisur. Basha siguroi të pranishmit se 7 Maji në Kavajë është stacioni i parë i Republikës së re, dhe stacioni i fundit i republikës së vjetër.

 

“Ne jemi gati, dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale që do ta fitojë e nesërmja, shpresa dhe e ardhmja, do ta fitoja Republika e Re, është Kavaja. Përballja e pare, është dita e dielë në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demorkacisë, në Kavajë. Nga Kavaja le të përhapet lajmi i mirë kudo se republika e vjetër është një tigër letre, është një grusht kriminelësh, pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh. Ditën e dielë, le ta mësojë çdo shqiptar dhe çdo mik i huaj, dashamirësit e shumtë të Republikës së Re dhe kundërshtarët e paktë, se në 7 Maj republika e vjetër rrëzohet në Kavajë.

Ndaj, për fatet dhe drejtat e shqiptarëve, për fatin dhe të drejtat e çdo kryefamiljari dhe çdo kryefamiljareje, për të ardhmen e çdo të riu dhe të reje, për të ardhmen e çdo fëmije shqiptar le të bashkohemi të dielën në bashkimin më të madh popullor. Në përballjen paqësore por të vendosur që të shënojë simbolikisht rënien e republikës së vjetër dhe themelin e parë të Republikës së Re”, tha Basha.