Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpallin programin në Pogradec. Fëmijët në shkolla deri në orën 16.00, me drekë të paguar. Stazhe për 10 mijë të rinj, para për fermerët, 300 kilovat dhe fatura e ujit e paguar për njerëzit në nevojë
Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpallen programin sot në Pogradec. Basha tha se Republika e Re është ulje taksash, para për fermerët, pension minimal prej 250 mijë lekësh.
“Fermerë shqiptarë, Republika e Re do të garantojë që prodhimet tuaja kurrë më të mos kalben etë mbeten pa shitur. Taksa të ulëta, stazhe për 10 mijë të rinj, subvencione për fermerët, mbështetje për ata që hapin vende pune, hapje fabrikash, do të kenë mbështetje direkte financiare. Ky është plani ekonomik. Kjo është e vërteta e kryeministrit të ekonomisë, kryeministrit që do jem unë me votën tuaj. Nuk do të merremi me barcaleta e fasada. Koha e palmave do të mbarojë. Do të zgjidhim problemet e shqiptarëve. Do rikthejmë punën dhe punësimin”, tha Basha.
Më tej, kryetari i opozitës paraqiti pika të tjera të alternativës së tij.
“Çfarë është e nesërma e sigurtë e Republikës së Re?! Së pari, për fëmijët shqiptarë, për prindërit dhe nënat shqiptare është shkolla publike nga kopshti deri në fund të maturës me drekë falas për fëmijët shqiptarë. Së dyti, aktivitete passhkollore deri në orën 4. E nesërme e sigurtë do të thotë pesnion minimal prej 250 mijë lekësh për pensionistët, ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë pa diskriminim, dhe jo lëmoshë. Fatura e energjisë për konsumin familjar dhe fatura e ujit për konsumin familjar do të paguhet si shtesë në të gjitha familjet në nevojë ekonomike. Kjo është Republika e Re. Pushteti në duart tuaja, ulja e taksave, hapja e vendeve të punës, investimi tek fëmijët tanë. Kjo është republika e re, konkrete, e prekshme, e realizueshme”, tha Basha.
Kryedemokrati Basha komentoi edhe refuzimin e ftesës për debat, nga Edi Rama.
“Mbrëmë Edi Rama refuzoi debatin me mua. Skam pse të shkoj në debat tha. Pse e refuzon?! Ju thoni se ka frikë. Po çfarë do ti bëj, se nuk do ta sulmoj fizikisht. Po çfarë frike ka atëhere. Bilanc nuk ka, program nuk ka. Kjo është frika e Edi Ramës. 300 mijë vende pune, 200 apo 300 mijë shqiptarë në azil. Shëndesi falas, shëndetësia në pikiatë. Do rris rrogat, rrogat kanë rënë. Edhe INSTAT-i thotë që rrogat kanë rënë në 27 vite. Kjo është arsyeja që Edi Rama nuk do debat me mua”, tha Basha.