Lulzim Basha në Kavajë: “Këtë të dielë vendimi i madh që do të merret, është nëse do të vazhdojmë 4 vjet të tjera fasada, palma, krim, drogë dhe arrogance, apo do ulim taksat, do rrisim ekonominë, do subvencionojmë fermerët, do çojmë qindra të rinj të Kavajës e mijëra të rinj të Shqipërisë me stazhe të paguara drejt tregut të punës”

 

Lulzim Basha u kërkoi qytetarëve të Kavajës të bashkohen, sic po ndodh në të gjithë vendin për të pasur një ekonomi të fortë e të nesërme të sigurtë.

Basha theksoi se në këto zgjedhje, ka vetëm një plan ekonomik para qytetarëve, të tjerat janë llafe e premtime boshe.

 

“Edi Rama e di fare mirë se këto zgjedhje shqiptarët do ta marrin vendimin për veten e tyre. Ai e ndien se ky bashkim i madh është i pathyeshëm, është i pamposhtëm, është bashkimi fitimtar me datë 25 Qershor. Ndaj po bën çdo përpjekje të ngjitet si vagoni i fundit trenit të fitores së Republikës së Re. Por nuk ka dhe nuk mund të ketë vend në këtë tren për krimin, për korrupsionin, për taksat e larta, për shtypjen, haraçin dhe kërbaçin mbi qytetarët. Në trenin e Republikës së Re, ka vend vetëm për shqiptarët e ndershëm të djathtë e të majtë, pavarësisht bindjeve të tyre politike që duan një ekonomi të fortë. Por nuk mund të ketë një ekonomi të fortë me taksa të larta. Nuk mund të ketë një ekonomi të fortë me çmimin më të lartë të energjisë në Ballkan. Nuk mund të ketë një ekonomi të fortë me naftën më të shtrenjtë në Europë në vendin me rrogat dhe pensionet më të ulëta. Nuk mund të ketë një ekonomi të fortë kur ulen subvencionet për fermerët dhe rriten tarifat për studentët. Të gjitha këto janë vendimet dhe prioritetet e gabuara të Edi Ramës sepse Edi Rama kurrë nuk pati një plan për ju kavajasit. Kurrë nuk pati një plan për Kavajën, kurrë nuk pati plan për Shqipërinë por vetëm për veten e tij, për pushtetin e tij, për timonin që do të thotë pushteti në duart e tij”, tha Basha.

Për pushtetin e tij, theksoi Basha, i solli kriminelët në zyra, për pushtetin e tij rriti taksat dhe me paratë e taksave në evdn që të rriste rrogat dhe pensionet ndëroi fasada, mbolli palma që sot janë tharë e vyshkur si vetë premtimet e rreme të Edi Ramës. Edi Rama nuk kishte prioritet hallet tuaja por qefet dhe teka e veta. Edi Rama dështoi seps enuk kishte plan për të zgjidhur problemet e mëdha të Kavajës e gjithë Shqipërisë”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se të dielën bëhet një zgjedhje mes katër viteve të qeverisura për fasadë dhe mundësisë për të ulur taksat, rritjen e ekonomisë, vendeve të punës.

“Anembanë Shqipërisë, shqiptarët po bashkohen për të mbështetur të vetmin plan ekonomik në këtë fushatë për uljen e taksave, për uljen e TVSh-së, për stazhet për rininë e Kavajës dhe mbarë Shqipërisë, për mbështetjen e fermerëve, për shkollat me model europian me drekën e paguar nga buxheti i Republikës së Re, në ndihmë të grave dhe nënave në Kavajës dhe mbarë Shqipërisë. Ky është plani i Republikës së Re me mbështetje nga Europa në Amerikë. Ndaj këtë të dielë vendimi i madh që do të merret, është nëse do të vazhdojmë 4 vjet të tjera fasada, palma, krim, drogë dhe arrogance, apo së bashku do të ulim taksat, do të rrisim ekonominë, do të subvencionojmë fermerët, do të çojmë qindra të rinj të Kavajës e mijëra të rinj të Shqipërisë me stazhe pune drejt tregut të punës”, tha Basha.