Lulzim Basha prezanton programin në Tiranë. Ulje taksash, vende të reja pune, 10 mijë stazhe për të rinjtë çdo vit
Lulzim Basha dhe epiki i tij shpalosën programin ekonomik të Republikës së Re në Tiranë me banorët e njësive 7 dhe 9. Basha tha se do ulë taksat, taksë të sheshtë 9%, 100 milionë euro para në dorë për fermerët, stazhe për 10 mijë të rinj, pensione minimale 250 mijë lekë të vjetra dhe ndihmë për pagesën e faturave të ujit dhe dritave për familjet në nevojë.
“1.5% e xhiros vjetore sipas vetëdeklarimit të biznesit të vogël do të jetë tavani i hekurt. Mbi këtë tavan nuk do të ngjitet askush. As qeveritar, as bashkiak. Ky tavan do të vendoset nga unë ditën e parë në zyrë. Biznesi i vogël në Tiranë i ka 7 deri në 10 fish më të larta taksat. Lloj lloj taksash e tarifash. Kjo do të marrë fund, 1.5% do të jetë maksimumi i taksës. Pulla fiskale do të vendoset në hyrje të biznesit dhe do ta pijë e zeza çdo tatimor dhe çdo inspektor që gjendet në ambjentet e biznesit që ka pullë fiskale. Subvencione për fermerët 100 milionë euro në vit. Subvencione për të gjitha ndërmarrjet që hapin vende pune. Kjo do të jetë paketa e Republikës së Re”, tha Basha.
Kryedemokrati u shpreh se misioni i tij është që tu japë shansin shqiptarëve siç e pati edhe ai në jetë.
“Kur iu nisa kësaj rruge të shtator të 93-it drejt Rinasit me 20 dollarë në xhep si student në Holandë, u nisa drejt një të panjohure të madhe por me një vendim të madh; që nuk do të kthehesha pas pa bërë gjithçka për të arritur suksesin maksimal. Dhe ia dola. Rinia e sotme nuk e imagjinon dot por imagjinoni se çfarë shoku kulturor. Ishte si një udhëtim nga shekulli i 18-të në shekullin e 20-të. Thjeshtë qenia në një ambjent kaq të ndryshëm nga Shqipëria e izoluar e komunizmit por ia dola të shkëlqeja jo vetëm në universitet por edhe në shoqëri. Të nderoja veten time, familjen time dhe shqiptarët. Ta rreshtoja universitetin e Utrehtit në vendin e tetë në konkursin më të famshëm ndërkombëtar të drejtës ndërkombëtare. Universitet i shkëlqyer ndër më të mirët gjithmonë por nuk e ka kapur më vendin e 8-të që në 1998. Kur i ve vetës një qëllim bëj gjithçka për të arritur suksesin. Këtë bëra. Pas kësaj shërbeva në Tribunalin e Hagës ku punova për vite të tëra për aktakuzën ndaj kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç që u arrestua dhe filloi ndjekja penale e më pas Zoti bëri punën e tij. Por puna ime nuk mungoi. Kisha të gjitha mundësitë të vazhdoja karrierën në Hagë, në kosovë ku shërbeva për 4 vite, në Zvicër apo në Nju Jork me OKB-në por zgjodha të kthehem këtu. Sepse në gjithë çka kisha arritur, me jetën e rehatshme, me familjen që më bekoi Zoti, me gjithçka që kisha, nuk mund të rrija indiferent ndaj faktit që mua më ishte ofruar ajo mundësi por që qindra e mijëra të rinj nuk e kishin. Prandaj kam ardhur. Prandaj i jam qepur çdo detyre që më keni ngarkuar dhe e kam realizuar me sukses nga rruga e Kobit, tek anëtarësimi në NATO, te heqja e vizave. Sot sfida ime numër një është borxhi im, radha ime tani që të krijoj për çdo të ri dhe të re të Tiranës dhe Shqipërisë mundësitë për të çarë përpara”, tha Basha.