Lulzim Basha u ka shpjeguar nga afër sot qytetarëve planin e tij ekonomik që do të clirojë energji, do të rrisë konsumin, do të sjellë të ardhura në xhepin e shqiptarëve, do të krijojë vende pune e do nxisë prodhimin.
Në zonën e Unazës së re, Basha u takua me pronarë të biznesit të vogël, të cilët i siguroi se detyrimi i tyre do të jetë vetëm 1.5 përqind e xhiros vjetore, dhe një pullë në xham që tregon shlyerjen e kësaj shume, do të mbajë larg tatimorët dhe abuzuesit që kanë lodhur e grabitur dyqanet e njësitë tregtare gjithë këto vite.
Studentët dëgjuan nga Basha planin për ta anuluar ligjin e arsimit të lartë, dhe ardhjen në fuqi të një ligji të ri që do sjellë studentin në vendimmarrje, do ulë tarifat e do ta bëjë të mundur për këdo që të ndjekë shkollën e lartë, pavarësisht gjendjes së tij ekonomike.
Kryetari i opozitës u tha qytetarëve se Shqipëria po vuan jo vetëm mosmbajtjen e premtimeve nga Edi Rama, por sidomos faktin se ai nuk bëri asnjë përpjekje në 4 vite, dhe i braktisi premtimet që ditën e pare, dhe zgjodhi prioritete të gabuara që nuk ishin në interesin e njerëzve, por të lidhura me tekat e tij.
Ekonomia, do të jetë prioriteti im i palëkundur, tha Basha.