Lulzim Basha me qytetarët e Shkodrës. Ulja e taksave është thelbësore për investimet e brendshme dhe të huaja, vetëm kështu rritet ekonomia. Ky është mësimi i Europës, ky është mësimi i Gjermanisë, kjo është përpjekja e Presidentit Trump, ky është është zotimi im para shqiptarëve
Lulzim Basha u kërkoi qytetarëve të Shkodrës të votojnë masivisht ditën e dielë dhe të zgjedhin programin e Partisë Demokratike si zgjedhja e vetme për të rritur ekonominë. Basha tha se plani i tij do të ulë taksat për biznesin, do rrisë konsumin do sjellë më shumë para në xhep për qytetarët, do mbështetëse fermerët me para në dorë, do ketë stazhe të paguara për të rinjtë.
“Me datë 25 Qershor, këtë të dielë të madhe, të këtij bashkimi gjigand të shqiptarëve, ju që nuk e keni ndarë mendjen nuk do të votoni për asgjë tjetër përveçse nëse do të kemi një ekonomi të forte, apo jo. Nëse do të kemi taksa të ulëta që të rrisim ekonominë, apo jo. Nëse paratë e shqiptarëve do të shkojnë për shkollat e fëmijëve, për shëndetësinë e familjarëve, për Universitetin e Shkodrës dhe rininë me stazhe pune apo për fasada, palma, zyra e për makina. Kjo është zgjedhja që bëni në datën 25 dhe për këtë zgjedhje, ju shkodranë akoma të pavendosur dhe kushdo në Shqipëri që nuk e ka vendosur ende për votën; keni një alternativë, një plan ekonomik, me vulat e këshilltarëve të Angela Merkel, që është plani ekonomik i Partisë Demokratike. Plan për uljen e TVSh-së që do të çlirojë 400 milionë euro në ekonomi, për taksën e sheshtë 9%, me uljen e çmimit të energjisë, me faljen e kamatvonesave abusive për të gjithë shqiptarët, me heqjen e lakut në fyt, represionit dhe terrorit mbi biznesin e vogël. Ulja e taksave është thelbësore për investimet e brendshme dhe të huaja, vetëm kështu rritet ekonomia. Ky është mësimi i Europës. Ky është mësimi i Gjermanisë. Kjo është përpjekja e Presidentit Donald Trump. Ky është programi i Partisë Demokratike dhe ky është zotimi im para shqiptarëve”, tha Basha.