Lulzim Basha dhe ekipi i tij në Tiranë: Pensioni minimal do jetë 250 mijë lekë, Republika e Re do të paguajë faturën e ujit dhe energjisë për njerëzit në nevojë
Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin ekonomik para banorëve të Tiranës në njësinë 8 dhe 4. Basha tha se Republika e Re do të ulë taksat, do hapë fabrika për të krijuar vende pune, do investohet në shkolla me drekë për fëmijët shqiptarë, 10 mijë stazhe për të sapodiplomuarit, ndihmë direkte për familjet në nevojë, pension minimal 250 mijë lekë si dhe 100 milionë euro subvencione për fermerët.
“Vendimi im i parë do të jetë ulja e taksave dhe çlirimi i qindra milionë eurove në ekonominë shqiptare. 10 mijë të rinj shqiptarë do të kenë stazhe të paguara nga Republika e Re me rrogë 200 mijë lekë të muaj për të bërë urën nga bankat e universitetit, tek tregu i punës. Do të luftojmë fuqishëm që sipërmarrja e madhe të hapë fabrika e të hapë vende pune. Mbështetje direkte financiare për ata që hapin vende pune. Do të konkurojmë në rajon e kudo. Lufta ime e përnatshme dhe e përditshme do të jetë për të hapur vende pune. E nesërmja e sigurtë do të fillojmë me fëmijët e shqiptarëve. Investimi më i madh i Republikës së Re do të jenë shkollat publike ku, nga kopshti deri në mature, shkollat do të përgatiten me infrastrukturë, me mësues, me kuzhina për drekën falas për çdo fëmijë shqiptar. E nesërme e sigurtë do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet në nevojë ekonomike dhe do të thotë pagesa e faturës së energjisë dhe të ujit si shtesë dhe jo tia japësh me një dorë dhe me tjetrën tia zhdukësh me faturat e larta”, tha Basha.