Lulzim Basha foli për programin ekonomik me qytetarët e Beratit, program për të hapur vende pune e për të rritur mirëqënien e shqiptarëve. Basha tha se ai ka plan konkret dhe jo premtime, një plan që po zbatohet sot në SHBA dhe në Gjermani. Ulja e taksave si ajo e TVSh-së do sjellë 400 euro mesatarisht më shumë për cdo familje në vit, taksa e sheshtë do sjellë investitorë të huaj. Do të ketë 10 mijë stazhe për të rinjtë e sapodiplomuar, para në dorë për fermerët si dhe mbështetje për familjet në nevojë. Biznesi i vogël do ketë taksë vetëm 1.5% të xhiros dhe asgjë tjetër. Çmimi i naftës dhe i energjisë do të ulen.
“Pata nderin dhe privilegjin e madh të takoj Presidentin Trump e t’i them që është një burim frymëzimi për lëvizjen tonë qytetare për t’i kthyer Shqipërinë shqiptarëve, dhe së bashku, për të ndertuar një vend ku demokracia, ekonomia, bujqësia, arsimi, shëndetësia, nuk janë vetëm në dispozicion të 5 apo 10 politikanëve por funksionojnë e japin fryte, vende pune e shërbime për gjithë qytetarët e ndershëm. Unë nuk kam premtime. Unë kam një program ekonomik i cili funksionon në tërësinë e tij. Merreni dhe shfletojeni. Ajo që ka funskionuar në Europë aty ku kam studiuar, ajo që funksionon në Gjermani, ajo që funksionon për amerikanët, ku pika në këtë program janë sot në zbatim siç është ulja e taksave, cka mu komunikua gjatë kohës së vizitës time aty, ajo do funksionojë edhe për Shqipërinë. Edhe Shqipëria, të njëjtat mundësi ka dhe shqiptarët kërkojnë të njëjtën gjë, jo lëmoshë. Që ta bëjmë këtë, duhet të aplikojmë këtë model ekonomik që funskionon anëmbanë botës. Së pari taksa të ulëta. Ulja e TVSH-së do të kthejë në xhepat e shqiptarëve 400 milionë euro në vit dhe mesatarisht 400 euro për familje vit për vit. Do rrisim konsumin i cili është çelësi i rritjes ekonomike sepse rrit prodhimin, rrit kërkesën për vende pune, që ringjall kërkesën për kreditim të ekonomisë dhe në këtë mënyrë do të vihet në lëvizje zinxhiri pozitiv i rritjes ekonomike, i krijimit të vendeve të punës”, tha Basha.
Kryedemokrati foli në Berat edhe për nisjen e projektit të madh rrugor boshti qendror i jugut që do të lidhë Beratin me Tiranën.
“U takuam tek pika që ju i thoni, y, por nuk do të ketë më as x as y dhe as të panjohura. Ajo është një pikë vendimtare ku do lidhet boshti qendror jugor që do bashkojë Tiranën me Beratin. E kam parë dhe e kam ëndërruar këtë projekt që kur kam qënë deputet në Elbasan, ku shikon kodrat e Dumresë dhe përtej tyre shtrihej Kuçova e më tej Berati. Me sytë e mendjes kam ëndërruar se si do të duket boshti qendror jugor që do ta bëjë Beratin 1 orë distancë nga Tirana”, tha Basha.