Lulzim Basha bashkëbisedoi me demokratë të Patosit, Roskovecit, Fierit, Mallakastrës dhe Lushnjes mbi zgjedhjet, rezultatin, cfarë nuk shkoi si duhet dhe rrugët për ringritjen e arritjen e demokratëve në fitore.
Basha tha se 25 qershori nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por është një deformim, i prodhuar nga blerja e votës me paratë e drogës dhe korrupsionit, nga presioni i administratës dhe përfshirja e banditëve në zgjedhje.
Do të ndërtojmë një raport të ri, me anëtarin e partisë dhe me qytetarët, u shpreh Basha.
“25 Qershori ishte vdekja klinike e demokracisë. Nuk ishte një proces zgjedhor por ishte me të vërtetë një proces i manipuluar nga A-ja te ZH-ja. Nisja e fushatës elektorale për formacionin tonë politik, në fakt ishte fundi i fushatës elektorale për kundërshtarët tanë. Një javë para se demokratët të ishin në terren në një fushatë qytetare, demokratike, europiane, duke shpalosur platformë, një plan për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, alternativë për të gjithë kategoritë e njerëzve që vuajnë këtë krizë ekonomike; kundërshtari kishte mbyllur punën. Jo me plan, as me platformë, as me alternativë, por ashtu siç di të mbyllë punë; Me pagesa të majme duke nisur nga votuesit e vet, ata që nuk i ka sistemuar dot me favore e me punë në administratë, duke vazhduar me mbledhjen e kartave të identitetit tek ata që dyshohen si mbështetës të opozitës, me përdorimin në masë të administratës së shtetit dhe favoreve, me përdorimin e parave të derdhura lumë nga trafiku i drogës, me kërcënime jo vetëm të votuesve demokratë por edhe të familjarëve të tyre, më të gjitha format dhe mënyrat për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve”, tha Basha.
“Por njësoj si në vitin 1991 është detyra jonë që në radhë të parë të bashkohemi brenda shtëpisë tonë, të bashkohemi rreth moralit tonë të konfirmuar në këto zgjedhje, me vullnetin e çdo shqiptari që do një shoqëri të lirë e jo të robëruar, me mundësi për të gjithë dhe jo për një grusht njerëzish. Do kërkoj përveç bashkimit, një raport të ri dhe të ndërtuar me kujdes në radhë të parë mes drejtuesve dhe anëtarëve dhe në radhë të dytë dhe më e rëndësishmja midis vetë Partisë Demokratike dhe qytetarëve. Leksioni që vjen nga ato zona që ne kemi fituar, siç është Kavaja, tregon se bashkimi i të gjithë faktorëve, përdorimi i të gjithë forcës dhe vendosmërisë për tu përballur me bandat dhe me lekët e pushtetit, pati sukses, vetëm atëhere kur nuk mbeti brenda dhe vetëm brenda familjes tonë por kur u shtri në çdo shtëpi e çdo votuesi”, pohoi Basha.
Lulzim Basha tha se anketa që po bën sot Edi Rama, tregon edhe një herë, se ai nuk kishte një program apo një alternativë qeverisëse, në zgjedhje, por vetëm skemë për kapjen e votës.
“Edi Rama ka hapur sondazh se çfarë duan shqiptarët nga qeverisja e tij. Hipokrizia e kësaj është përtej çdo përfytyrimi. Eshtë e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama nuk ka as program, as plan për të qeverisur Shqipërinë. Eshtë e qartë se kjo maxhorancë është fiktive dhe nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve por përfaqëson shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që u faktua në këto zgjedhje si varrmihësi i demokracisë tonë të brishtë”.