Lulzim Basha dhe Eduard Selami ishin dje njëkohësisht para demokratëve të njësisë 1 dhe 3 në Tiranë, ku paraqitën analizën e tyre për cfarë ka ndodhur, dhe projektet për të ardhmen. Basha u ndal në deformimin brutal të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 25 qershorit, përmes blerjes masive të votës dhe presionit shtetëror. Basha theksoi se nga kjo, PD ka dalë më e fortë moralisht, një aset që me punë dhe bashkim do të kthehet në vlerë numerike dhe politike të padiskutueshme. Selami vuri në dukje nevojën për të bërë analizën e brendshme të shkaqeve të humbjes. Selami pohoi se është koha që cdokush në PD të ndihet i vlerësuar e të ketë mundësi të ecë përpara.​
 
“Ju garantoj se sëbashku vijmë në pushtet shumë shpejt, aq i sigurtë jam për këtë sa kam prezantuar një nen në statut, kur kryetari humbet zgjedhjet e përgjithshme, të largohet.
Duhet të hartojmë një strategji të gjërë, serioze me debat të brendshëm, me debat me botën akademike  me debat me shtresat e ndryshme. Presioni që është bërë në këto zgjedhje, dukej i butë në fillim kjo dhe për shkak të hutimit tonë, por  ishte i forte gati i krahasueshëm me vitet 91. Nuk ka vend për të humbur besimin, për të humbur shpresën por ka vend për një analizë serioze dhe kjo garë kësaj do t’i shërbejë. Do të doja që kjo analizë të niste ndryshe. Po ta kishim parë seriozisht humbjen e vitit 2013, zgjedhejt e 2015 do të ishin ndryshe. Po të kishim parë dhe analizuar seriozisht shkaqet e humbjes së zgjedhjeve të 2015, mund ta evitonim 2017. Por nëse e humbasim sërish dhe një rast të tillë dhe e shikojmë shkakun nga dritarja tek kundërshtari, kam frikë se gjërat mund të mos përmirësohen, prandaj hajde të shikojmë ku kemi gabuar.
Ta kthejmë forcën tonë politike ku gjithkush ndjehet i vlerësuar, dhe të ketë mundësi që në bazë të aftësive dhe kontributeve të përparoje. Fatkeqësisht nuk e bëri, PD sot është më pak demokratike se kur e mori Basha”, tha Selami.
 
“Kemi katër vite që përballemi jo me një kundërshtar politik por me një regjim kriminal, i cili hap pas hapi ka tjetërsuar çdo normë bazë të demokracisë, edhe për standardet ballkanike, e jo më për standardet europiane.
Nga mesi i Tiranës, tek fshatrat më të largët, mekanizmi ishte vënë në lëvizje për të tjetërsuar votën e shqiptarëve, qindra milionë euro ishin hedhur tashmë. Këtu në Tiranë siç po evidentohet hap pas hapi, objektivi ka qenë  jo thjesht dhe vetëm pagesat për votuesit e tyre që s’i kanë kënaqur dot gjatë katër viteve në pushtet, për votuesit e pavendosur që i kanë detyruar me njëqind marifete, por objektivi ishte po kështu të mbanin në shtëpi numrin më të madh të mundshëm të votuesve opozitarë, me normë minimalisht 5, duke synuar 15 familje opozitare për çdo qendër votimi. Shuma 200 mijë lekë për familjar. Partia Demokratike, është e vetmja forcë politike që i trajtoi shqiptarët me respekt dhe me dhembshuri duke iu ofruar rrugët e daljes me një plan, të vetmin plan në këtë fushatë, siç e tha edhe Bashkimi Europian, siç e e tha PPE. E vetmja forcë politike që ofroi një program ishte Partia Demokratike.
Ne kemi dalë me të vërtetë një forcë morale e pacënuar nga zgjedhjet. Përkundrazi e kemi lartësuar edhe më shumë kuotën morale, pikërisht sepse nuk u futëm në lojën e pisët të shit-blerjes së qytetarëve , e dinjitetit të tyre. Pikërisht se nuk ia shtrimë dorën krimit, që na e shtriu për të bërë pakt për të ardhur në pushtet. Forca jonë morale mund dhe do të kthehet në forcë numerike dhe politike vetëm kur të kalojë përmes bashkimit të çdo demokrati dhe përmes bashkimit tone, të çdo qytetari që ndan vlerat tona dhe shpresat tona dhe ka shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë.
Ne do të vlerësojmë kontributin e cdo demokrati, sepse që këtej e tutje, ky nuk do të jetë thjesht një rekomandim por një vendimmarrje me një anëtar një votë e anëtarësisë së Partisë Demokratike, për deputetët dhe për gjithë funksionet e tjera të zgjedhura”, tha Lulzim Basha.