Nesër është vendosur mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku si zakonisht u njoftua në mesnatë, një praktikë e njohur kjo, e mungesës së transparencës nga z. Veliaj dhe ashtu si në çdo rast, grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike, ka zhvilluar takimin konsultativ për qëndrimet politike dhe teknike, në raport me projekt-aktet që do të na paraqiten, ku tërheqin vëmendjen dy çështje madhore. Ajo e rritjes së tarifës së ujit të pijshëm që në gjykimin tonë njëzëri u konsiderua si një akt abuziv i pastër në vjedhje sërish të qytetarëve të Tiranës dhe nga ana tjetër një megaaferë korruptive, sikundër është kalimi i fondit prej 60 milionë eurosh për ndërtimin e shkollave me partneritet Publik-Privat.
Rritja e tarifës së ujit të pijshëm është një element që prek të gjithë qytetarët e Tiranës. Është një abuzim i pastër sepse nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë motivim për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur në një gjendje të degraduar sa i takon menaxhimit të të ardhurave, në Ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.
Është një veprim i pajustifikuar që tenton vetëm të rrisë buxhetet të cilat nuk do të përdoren, jemi mëse të bindur për qëllimet që paraqiten. Ashtu sikurse u mashtruan edhe me çështjen e biletës dhe u premtua një shërbim më cilësor dhe ju jeni të gjithë dëshmitarë që nuk ka ndryshuar asgjë, e njëjta situatë dramatike, do të pasojë edhe më ujin e pijshëm, por vetëm me një ndryshim të madh, që do të kemi një tarifë me rritje me mbi 35% e çmimit të metrit kub.
U bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Tiranës, që të bashkohen rreth një të drejtë të tyre legjitime dhe kushtetuese për të patur ujë të pijshëm. Kjo është një betejë jo thjesht e këshilltarëve, ne jemi këtu në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës.
U bëj apel këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe të forcave të tjera politike që të reflektojnë në dobi dhe në interes të qytetarit dhe jo në interesa të kryemafiozit Veliaj.