Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike zhvilloi sot datë 15.07.2017 në orën 12:00 mbledhjen e tij të radhës. Në këtë mbledhje u administruan dokumentacionet zyrtare të Degëve të Partisë Demokratike që kanë të bëjnë me përbërjen e Komisioneve të votimit, vëndet e votimit si dhe listat shtesë sipas përcaktimit të bërë në pikën 8/b të Udhëzimit Nr.1, datë 04.07.2017, për anëtarët që kanë karta antarësie të PD-së ndër vite, por për arsye teknike nuk ishin përditësuar në Regjistrit Elektronik të antarësisë.
Deri në mesditë janë administruar të dhënat e 64 degëve nga gjithsej 68 degë të Partisë Demokratike.
Data 15 korrik është afati përfundimtar për administrimin e këtyre të dhënave. Komisioni vendosi si afat të fundit për përfaqësuesit e kandidatëve datën 16 korrik për të sjellë listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit.
Komisioni është duke përpunuar të dhënat e listave shtesë të cilat do i bashkëlidhen Regjistrit Elektronik dhe 5 ditë para zgjedhjeve do të merret vendimi për listën përfundimtare të votuesve.
Theksojmë se, lista e anëtarësisë është e hapur për përdorim të brendshëm në gjithë degët dhe strukturat lokale të Partisë Demokratike. Ato janë të dhëna personale dhe bazuar në ligjin për “Të dhënat personale” dhe ligjin për “Mbrojtjen e të dhënave personale” nuk mund të publikohen. Përveç arsyes ligjore ka dhe një arsye morale. Këto lista nuk mund të vihen në përdorim jashtë Partisë për ta kthyer anëtaresine tonë në gjueti shtrigash në vendet e punës në administratë dhe jo vetëm.
Komisioni gjithashtu mori në shqyrtim të gjitha përgatitjet logjistike për votimet e 22 korrikut. Tashme janë gati vulat zgjedhore, fletët e votimit, formularët e posaçëm etj. I gjithë procesi po ecën normalisht konform rregullave statutore të PDSH-së.