Lulzim Basha vazhdoi turin e takimeve me demokratët e Qarkut të Dibrës dhe njësive 8 dhe 9 në Tiranë.
Basha u shpreh se rezultati i 25 qershorit nuk shpreh vullnetin e vërtetë të shqiptarëve, por deformimin përmes blerjes masive të votës dhe diktimit të saj me presione shtetërore dhe kriminale.
“Projekti im për Shqipërinë është një qeveri për qytetarët, që të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet në shtëpinë e tyre, pa shkuar azilantë, të kenë mundësi të gjejnë punë, të kenë mundësi të jetojnë pa frikë nga pushtetarët dhe nga të fortët, të kenë mundësi të zgjedhin të lirë, të votojnë të lirë qeverinë që duan.
Qeveria që e trajton si plaçkë Shqipërinë, bëri gjithçka që kishte në dorë për të penguar këtë projekt përmes shit-blerjes së votës me paratë e drogës dhe të krimit, përmes angazhimit të bandave. Maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një maxhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë”, tha Basha në Burrel.
Në Dibër, Basha u shpreh se bashkimi i gjithë demokratëve, është rruga e vetme, e detyrueshme, për t’u ringritur përsëri e për t’u kthyer në pushtet. Ne kemi gjithë mundësinë të bashkohemi, tha Basha, e të vazhdojmë betejën aty ku e kemi lënë.
Me demokratët e njësisë 8 dhe 9 në Tiranë, Basha u shpreh për nevojën e korigjimit të gabimeve, për vullnetin që duhet treguar për të luftuar për ndryshim, e jo për privilegje.
“Kush di t’i njohë e t’i pranojë gabimet ka edhe vullnetin t’i korrigjojë ato. Dhe unë e kam këtë vullnet, ta bëj bashkë me ju, bashkë me gjithë demokratët e ndershëm që janë gati të luftojnë për ndryshim, jo për kolltuqe. Dhe ajo që vij të kërkoj sot, është të vazhdojmë betejën. Nuk vij t’iu ofroj as privilegje, as pekule, as favore. Vij t’u kërkoj të vazhdojmë betejën. Por nga ana tjetër, nuk vij t’u kërkoj asnjë favor, asnjë privilegj, asnjë kolltuk. Vij t’u kërkoj të vazhdoj sakrificën, timen personale që e bëj me dëshirën më të madhe, nga thellësia e shpirtit, për të vazhduar për t’ju drejtuar në këtë betejë pa kthim, me ju dhe për ju, për të gjithë demokratët dhe për të gjithë shqiptarët deri në fitoren e zgjedhjeve të lira e të ndershme, e përmes tyre, fitoren e Partisë Demokratike si imperativ historik, dhe si nevojshmëri për çdo shqiptar e shqiptare të ndershme”, tha Lulzim Basha.