Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami në turin e takimeve me demokratët në jug të vendit, Sarandë, Vlorë, Himarë, Selenicë bëri thirrje për krijimin e një koalicioni vlerash me të gjithë shqiptarët, për të rikthyer shpresën te PD.
“Të hapim dialogun sesi ne të bëhemi dhe njëherë shpresë dhe partia e vlerave të Shqipërisë, bazuar kjo në vlerat e së djathtës. Ti rikthehemi edhe njëherë atyre shtresave që bënë atë përmbysjen e madhe dhe e futën Shqipërinë në rrugën e Europës, shtresën e ish të përndjekurve politikë, shtresën e ish pronarëve, shtresat e biznesit të vogël, rininë që e kishim, intelektualët. Ne e filluam si parti e intelektualëve, pesha specifike e Partisë Demokratike në fillimet e saj ka qënë shumë e lartë. Ne këtë duhet te kthejmë, po nuk u kthyen dot këtu, nuk kthejmë dot shpresën, nuk vijmë dot ne pushtet, së bashku do ta bëjmë”, tha Selami.
Eduard Selami përsëriti thirrjet drejtuar kandidatit Lulzim Basha që të mbajë premtimin për debate të hapura për demokratët dhe për publikun si dhe të shpallë listën e anëtarësisë së PD.
“Debati që më premtoje me kamera, do të doja të ishin këtu dhe kamera të tjera ti sjelli këtu. Kur unë kërkoj të shpalli listat sepse nuk ka pse të ketë frikë, ne nuk jemi parti ilegale. Ne duam, dhe demokratët duan të dinë se çfarë liste do votohet. Une mendoj se këto jane kritika të drejta, për një garë të barabartë që nuk është”, tha Selami.
Pas tri humbjeve radhazi në 2013, 2015 dhe 2017, Lulzim Basha, u shpreh Selami nuk ngjall shpresë për ta sjellë PD në pushtet. Madje Basha nuk është partner i besueshëm as për partnerët tanë ndërkombëtarë, pas përplasjeve të forta me ta.
“E kam quajtur një politikë të gabuar të Bashës dhe aty u dëmtua mënyrën sesi e trajtojnë cështjen e marrëveshjes dhe futjen e tij në përplasje me komunitetin ndërkombëtar dhe aleatët tanë strategjik, dhe këtë cmim e pagoi me humbjen. Marrëveshjen e kam përshendetur thjesht në parim ndersa detajet e saj i kam kritikuar dhe them që është një ndër shkaqet e humbjes”, tha Selami.