Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me drejtorin e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri, z.Walter Gloss. Takimi kishte si qëllim bashkëpunimin dhe ekspertizën gjermane në hartimin e ligjit për ndalimin e simboleve të komunizmit, si dhe për reformimin e modernizimin e Partisë Demokratike.
Dje grupi parlamentar demokrat vendosi ngritjen e grupit të punës të kryesuar nga nënkryetari, Enkelejd Alibeaj, për hartimin e një projektligji për ndalimin e simboleve të komunizmit. Z. Gloss shprehu angazhimin e Fondacionit Konrad Adenauer për të ndihmuar këtë iniciativë ligjvënëse të Partisë Demokratike. Kryetari Basha vuri në dukje se Partia Demokratike do të ndërmarrë një proces të gjerë konsultimi dhe bashkëbisedimi me të përndjekurit politikë dhe të gjithë faktorët shoqërorë për të pasqyruar shqetësimet dhe sugjerimet e tyre në këtë projektligj.
Partia Demokratike dhe Fondacionit Konrad Adenauer do të bashkëpunojnë për të thithur ekspertizën gjermane edhe në procesin e modernizimit të Partisë Demokratike. Partia Demokratike do të nisë një proces analize dhe konsultimi me anëtarësinë për ti paraprirë ndryshimeve statutore që do të mundësojnë rritjen e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje.