Çfarë kuptuam nga z. Ministër i Brendshëm?! “Problemi është opozita. Opozita po nxin vendin.” Kjo më kujton thënien e famshme popullore: “Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin!”
Problemi nuk është opozita. Problemi nuk është shpallja botërisht e të vërtetës: që sot keni frikë ta thoni ju, grupi juaj parlamentar, këtë e denoncon vetëm opozita me zë të lartë.
Problemi është kjo e vërtetë e dhimbshme, që sot rëndon mbi qytetin e tretë më të madh të Shqipërisë, që ka kyçur banorët dhe banoret e Elbasanit tash dy vjet nën terrorin e bandave të bëra njësh me politikën lokale të Qazim Sejdinit me mbështetjen e hapur të Edi Ramës dhe të segmenteve të tij në Elbasan.
Elbasani nuk është përjashtimi. E njëjta situatë është në Lezhë, në Shkodër, në Fier, në Lushnje, Vlorë. Krimi sundon Shqipërinë. Bandat sundojnë Shqipërinë.
Kjo nuk është propagandë. Nuk ka Partia Demokratike dhe opozita fuqinë të manipulojë raportet e EUROPOL-it, INTERPOL dhe agjencive ligj zbatuese të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Por ka vetëm fuqinë të tregojë të vërtetën këtu, para këtij parlamenti.
Fjalimi që lexove këtu ishte fjalimi i vjetër i Saimir Tahirit: analiza, ndjekja me vëmendje, ndjeshmëria.
Jo! Vetëm përballja. Por këtë ti nuk e bën dot.
Dhe për këtë nuk ke ti faj! Fajin e ka ai që të ka vënë aty.
Ti je në konflikt interesi! Dhe natyrisht ai që të vuri është i kapur.