Kjo ishte paraqitja më boshe, më sipërfaqësore, ku thelbi ishte eleminuar tërësisht dhe zëvendësuar nga propaganda dhe demagogjia e stampës më të vjetër.
Për një brez më të vjetër, ishte një reminishencë e fjalimeve që mbaheshin në këtë sallë, në kohën kur vendin e qeveriste byroja politike e rrëgjuar mendërisht e në çdo aspekt tjetër. Kjo është e pafalshme për çdo kryeministër. Eshtë e pafalshme edhe për Edi Ramën.
Një numër shumë i madh shqiptarësh nuk kanë asnjë pritshmëri tek Edi Rama dhe qeveria e tij. Kjo është plotësisht e kuptueshme por po ashtu është një kurth, sepse sot ai që flet aty, ka çelësat e qeverisjes së vendit.
Dhe sot ky njeri refuzoi të thoshte një fjalë të vetme për 300 mijë vendet e punës që premtoi se do të hapte. Kishte katër vjet për ta realizuar këtë premtim, dhe çfarë bëri, çoi afro 300 mijë shqiptarë në emigracion.
Nuk i përmendi as këta, madje tha se kjo është pjesë e lirisë së lëvizjes që është një turp i madh. Shqiptarët nuk lëvizin të lirë si bullgarët, polakët, çekët, britanikët, gjermanët, holandezët. Shqiptarët lëvizin ilegalisht, shpeshherë në kushte çnjerëzore siç është problemi i shqiptarëve që kalojnë kanalin e Lamanshit, për emigracion në Britani që gjenden të paketuar si sardele në bagazhet e makinave. Dhe kjo nuk është fantazi, kjo nuk është shfaqje.
Ky është realiteti i hidhur i një Shqipërie me ekonomi të shkatërruar, me papunësi të rritur, me mirëqenie në rënie, me çmime të larta, me taksa të larta, me pamundësi në shëndetësi, në arsim dhe kudo.
Prej tre javësh prindërit shqiptarë dhe fëmijët e tyre janë rraskapitur në radhë të gjata për të marrë paketat e librave shkollorë të cilat janë 35% më shtrenjtë se para 4 vitesh, për shkak të politikave klienteliste dhe hajdutërisë që karakterizoi qeverisjen e Edi Ramës, “Ramanjësh”.
“Ramadyshi” bën sikur nuk e njeh “Ramanjëshin”, por në fakt është i njëjti person. Si “Ramanjëshi”, si “Ramadyshi” e nisën me pompë dhe me premtime farsë.
Sot “Ramadyshi” refuzon të mbajë përgjegjësinë për “Ramanjëshin”.
Fjala u përqendrua te Skënderbeu, heroi ynë kombëtar dhe tek virtytet e gjuhës tonë shqipe, në një përpjekje mjerane për t’i folur ndërgjegjes patriotike të çdo shqiptari të djathtë e të majtë, ku në fakt ai nuk është aty si drejtori i Institutit të Albanalogjisë por si kryeministër i vendit.
Dhe përgjegjësia e tij nuk janë as shtatorja e Skënderbeut dhe as nami dhe vendi i tij në histori, se atë e kanë përcaktuar shqiptarët dhe nuk ka zot ta ndryshojë.
Roli i tij dhe përgjegjësia e tij është t’u tregojë shqiptarëve se përse në këto 4 vite shkatërroi ekonominë shqiptare.
Kush është përgjegjësi? Dhe çfarë do të bënte për të ndryshuar këtë?
Edi Rama nuk i ka këto përgjigje.
Edi Rama është në krye të një aleance më të rrezikshme në historinë tonë 20- vjeçare. Aleancës së politikës me krimin.
Dhe kur bën aleancë me krimin, asgjë tjetër nuk funksionon; as shteti ligjor, as demokracia, as ekonomia, as administrata.
E gjitha kjo është një shfaqje e shëmtuar, sikundër ky parlament nuk është gjë tjetër veçse një butafori, produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin.
Të vetmit në këtë parlament që përfaqësojnë vullnetin e patjetërsuar të qytetarëve shqiptarë, 450 mijë shqiptarë që nuk u blenë, nuk u shitën, nuk u shantazhuan, janë deputetët e Partisë Demokratike.
Ne jemi sot e do të jemi përditë aty për t’i kujtuar Edi Ramës se koha e shfaqjes ka marrë fund.
Se koha e të vërtetave ka ardhur. Se e vërteta më e madhe, më e dhimbshme, e shqiptarëve është stopimi total i integrimit të Shqipërisë. Jo për faj të Bashkimit Europian, por për shkak të krimit, për shkak të kanabisit, për shkak të drogës, për shkak të kriminelëve në politikë dhe alencës së krimit me politikën, aleancës së anti-vlerave. E natyrisht për shkak të emigracionit masiv që kjo ka shkaktuar e po shkakton tek një popull që ka humbur shpresën. Ky është edhe misioni ynë: T’u kthejmë shqiptarëve shpresën. Dhe kjo nuk mund të ndodhë duke vazhduar shfaqjen e shëmtuar të teatrit të kukullave. Në këtë teatër kukullash, duke filluar që nesër do të kumbojë zëri i të vërtetës, zëri i opozitës.