Kam thirrur këtë konferencë për shtyp në orët e para të mëngjesit pasi Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa historike, përsa i përket krimit të organizuar shqiptar dhe lidhjeve të këtij krimi me qeveritarët e sotëm.
Dje, pas muajsh dhe vite pune, policia italiane arrestoi Moisi Habilajn, kreun e një prej bandave më të rrezikshme dhe të fuqishme të trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe Italisë.
Moisi Habilaj njihet po kështu si kushëriri i Saimir tahirit, për 4 vite Ministri i Brendshëm i Shqipërisë.
4 vite me radhë, Partia Demokratike ka denoncuar mbi 1 mijë e 400 herë lidhjet e Saimir Tahirit me narkotrafikun përmes bandës së Habilajve. Mbi 1 mijë e 400 herë Edi Rama e ka marrë në mbrotje Saimir Tahirin dhe ka refuzuar të ndërmarë hapat politikë dhe ligjorë, edhe atëhere kur lidhja e Saimir Tahirit me bandën e Habilajve u provua, siç ishte rasti i dëshmisë së Dritan Zaganit, kreut të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, i cili denoncoi se banda e Habilajve përdorte mes të tjerave automjetin personal të Saimir Tahirit, audin e famshëm, taksinë e drogës me imunitet ministror.
Prej 24 orësh, Edi Rama hesht.
Prej 24 orësh, në emër të opozitës dhe besoj gjithë shqiptarëve të ndershëm i kam bërë pyetjen; çfarë do të thuash tani që Moisi Habilaj ndodhet në pranga dhe i akuzuar si kreu i një prej bandave kryesore të narkotrafikut.
Partnerët strategjikë prej vitesh e prej muajsh i kanë vënë Edi Ramës në dispozicion materiale të pakundërshtueshme që faktojnë jo vetëm lidhjen por rolin e Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm, në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë.
Edi Rama ka refuzuar të ndërmarrë çdo lloj veprimi. Përkundrazi, e ka mbrojtur Ministrin e tij të Brendshëm dhe, në qeverisjen e tij të dytë, e ka graduar koordinator kombëtar për bashkëqeverisje me qytetartët.
Ne e dimë se është çështje orësh apo ditësh, para se të bëhen publike, faktet e vëna në dispozicion autoriteteve shqiptare për lidhjen e Saimir Tahirit dhe për përgjegjësinë e tij direkte për mbrotjen dhe promovimin e trafikut të drogës përmes bandës Habilaj. Ne e dimë se prej kohësh ato janë në dispozicion të Edi Ramës.
Pyetja që sot shtroj në emër të opozitës dhe në emër të çdo shqiptari të djathtë apo të majtë, është se çfarë pret Edi Rama ti vërë prangat, ta arrestojë e ta ekstradojë, në mos ta gjykojë këtu në Shqipëri, Saimir Tahirin, si një ndër kapitenët kryesorë të trafikut të drogës në 4 vitet e kaluara?
Natyrisht nuk pres përgjigje prej Edi Ramës.
Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin këto 4 vite edhe pse e ka ditur se, ai, është protektor dhe përfitues i drejtpërdrejtë i trafikut të drogës, përmes bandës Habilaj dhe bandave të tjera të krimit të organizuar.
Edi Rama e ka bërë këtë me vetëdije të plotë, sepse paratë e drogës dhe muskuli kriminal i bandave, është përdorur nga Edi Rama bashkë me Saimir Tahirin gjatë zgjedhjeve të 2015-ës dhe në veçanti në zgjedhjet e 2017-ës.
Sot, jo vetëm Shqipëria, apo Italia por Europa dhe gjithë bota kanë përpara “corpus delicti”, faktet e pakundërshtueshëm të lidhjes së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit me botën e errët dhe narkobandave shqiptare.
Jemi përpara vendimeve të rëndësishme.
Shqiptarët kanë dy rrugë;
Të ulin kokën e të pranojnë realitetin malinj që iu imponohet çdo ditë në rrugët e sheshet e qyteteve tona nga bandat që përdorin kallashët dhe tritolët për të larë hesapet me njëri-tjetrit, pavarësisht prej numrit të viktimave të pafajshme, dhe të fëmijëve që ndodhen në këto rruge, në këto sheshe të qyteteve dhe fshatrave tona, të pranojnë se ekonomia shqiptare e bashkë me ta edhe shqiptarët si krah pune të shndërrohen skllevër dhe burime përfitimi për bandat e narkotrafikut dhe qeveritarët e lidhur me ta, ose, së bashku të ngrihemi dhe të kërkojmë të drejtën tonë legjitime për të mos u qeverisur as nga bandat, as nga ministrat, as nga kryeministri i bërë njësh me ta.
Eshtë ora e vendimeve të mëdha.
Por sot, është dita që Saimir Tahiri të arrestohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij të nisë pa vonesë.
Faktet janë publike, provat janë në tavolinën e Edi Ramës dhe me siguri do të bëhen publike në orët apo ditët në vijim.