Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prononcohet për mediat dhe shpjegon se si Edi Rama shkeli rregulloren, e pas tij Gramoz Ruçi
Sot Gramoz Ruçi me urdhër të Edi Ramës e ka futur në kolaps Kuvendin duke shkelur Rregulloren.
E ka bërë me një motiv, me një synim, që mos të ketë debat për çështjen e zgjedhjeve, të mos ketë debat dhe ballafaqim për çështjen e krimit, që ka sot nën kontroll qytetet kryesore shqiptare, siç ka nën kontroll Lushnjen, ku dje ndodhi fatkeqësia e rradhës, siç ka nën kontroll Elbasanin, Shijakun, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Vlorën, Fierin, Dibrën, Tepelenën.
Edi Rama ka frikë nga përballja me të vërtetën dhe e vërteta është që të gjitha këto banda kanë sot kontrollin e Shqipërisë, sepse janë në aleancë me Edi Ramën.
Sot opozita për të dytën javë radhazi është gati ta ballafaqojë Edi Ramën me faktet e lidhjes së tij personale me krimin dhe kriminelët.
T’u tregojë shqiptarëve me fakte, lidhjet personale, dhe kjo nuk është metaforë, por realiteti i lidhjeve personale të Edi Ramës me krimin e organizuar shqiptar.
Edi Rama e di këtë, sepse ne e kemi paralajmëruar, dhe vendi për ta treguar është aty.
Ndaj, lus çdo media dhe gazetar të ndershëm, të thotë të vërtetën siç është.
Gramoz Ruçi shkeli rregulloren. Shkeli rregulloren, duke kërkuar përjashtimin e Flamur Nokës, sepse ky i fundit kërkoi zbatimin e Rregullores, Nenin 49. Çfarë thotë Neni 49?
Merreni dhe lexojeni dhe i bëj thirrje medias të mos spekulojë. Merreni dhe lexojeni.“Për çështje të proçedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të proçedurës kërkesat që kanë të bëjnë me zbatimin e rregullores”.
Z.Noka u çua për të kërkuar zbatimin e Rregullores. Sepse gjatë kohës që z.Berisha fliste në foltoren e Kuvendit, Edi Rama përdorte fjalor të ndyrë, jo atë që raportoni ju, por fjalë të tjera të ndyra që edukata nuk ma lejon t’i them në një ekran ku janë duke na parë edhe fëmijët.
Dhe këtu ka një mungesë përgjegjësie të theksuar nga ato media që keqraportojnë. Fjalët e Edi Ramës ishin fjalë rrugaçërore, nuk ishte thjesht një konfrontim politik. Përdori fjalë prej rrugaçi, prej vagabondi pa edukatë. Dhe për këtë, deputeti i opozitës kërkoi fjalën për procedurë, për ti kërkuar në emrin tonë Gramoz Ruçit, të paralajmëronte Edi Ramën për fjalorin prej rrugaçi që përdori në Parlament.
Gramoz Ruçi e mbërtheu këtë mundësi me urdhër të Edi Ramës për ta futur Parlamentin përsëri, në javën e tretë, në një kolaps, për të na mbyllur gojën.
Kjo është e vërteta dhe kjo është e vetmja e vërtetë objektive mbi këto fakte.
Gjithçka tjetër është sajesë për të fshehur këtë të vërtetë.
Nuk duan debat. Kanë frikë nga debati.
Synimi i tyre është që të mos ketë debat sot për zgjedhjet dhe për lidhjet personale të Edi Ramës me krimin të cilat duhet dhe do të bëhen publike para shqiptarëve nga kjo sallë, dhe vetëm nga kjo sallë.
Pyetje: Z.Basha kjo është hera e dytë që ju thoni për të njëjtën situatë, nga
këtu ku jemi edhe javës së kaluar ju folët për një ftesë që ju bëtë qytetarëve nëse shkelet Kushtetuta, nëse shkelen rregullat e Parlamentit a jeni sot ende me këtë bindje për të thirrur qytetarët për të marrë në dorë situatën?
Basha: Opozita ka detyrën e parë të thotë fjalën e saj. Ka detyrën e dytë të qëndrojë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe një nga liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve është të ketë një Parlament ku opozita ka hapësirën të thotë atë që mendon, ashtu siç e mendon, sigurisht me fakte dhe argumente.
Në momentin që kjo e drejtë merret, nuk ka më demokraci dhe kur nuk ka më demokraci, nuk ka më rregulla demokratike. Kjo është ajo që kam thënë javës së kaluar, kjo është ajo që ju them sot. Dhe këtu, nuk bëhet fjalë as për karshillëk, as për ta trajtuar opozitën si njësit guerril, por për t’i thënë të gjithë qytetarëve të zgjohen se jemi përpara një gjendje të rëndë. Nuk është rastësi që krimi bën ligjin, që kallashët dhe tritoli, përveç banditëve me shoqi –shoqin, të marrin viktima, nga fëmijë tek të moshuar, siç ndodhi në Lushnje apo jo?! Nuk është rastësi. Eshtë pasojë e drejtpërdrejtë e bashkëpunimit të Edi Ramës, kryeqeveritarit, me krimin. Bashkëpunoi për zgjedhje, vjedhën votat bashkë, vijnë bashkë në pushtet dhe në këtë moment kontrollin e ka krimi.
Ne kemi fakte konkrete. Kemi dy javë që e kërkojmë këtë debat. Edi Rama me mashën e tij, Gramoz Ruçin, ia ka dalë për dy javë të shkelë rregulloren dhe të shtyjë debatin, ballafaqimin që meritojnë qytetarët me fakte dhe me të vërteta.
Pyetje: Si do të vijojë seanca për sa kohë është marrë një vendim për t’u larguar?
Basha: Opozita ka vetëm fjalën. Në qoftë se na mohohet e drejta për fjalën atëherë nuk ka më parlamentarizëm. Kështu që, ne do të luftojmë me çdo mjet deri në sekondën e fundit për fjalën dhe për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Pyetje: Pra, z.Noka do të qëndrojë në foltore deri në nisje të seancës?
Basha: Z.Noka nuk ka shkelur rregulloren. Rregulloren e ka shkelur Gramoz Ruçi me urdhër të Edi Ramës.
Pyetje: Edhe z.Noka ka përdorur fjalor fyes z.Basha a nuk është përgjegjësi e juaja dhe e atij personalisht për fjalët fyese që ka thënë? Pavarësisht se ishte shkelur rregullorja, jemi dakord me ju në këtë pikë.
Basha: I pari që e ka nisur këtë proces me qëllim për të qenë sot këtu dhe jo për të qenë aty, duke bërë debatin me fakte dhe me argumenta, është Edi Rama. E dëgjuat ju fjalën që tha? E dëgjuat?
Pyetje: E dëgjuat ju z.Basha? Na e thoni me shkrim, me kërkesë? Na e artikuloni?
Basha: Jo! kërkesa është aty. Dhe unë ju them që, fjalën që ka thënë, është një fjalë e paedukatë prej rrugaçi, jepeni ashtu siç e ka thënë, jo ashtu siç ju thonë kryedaktorët e korruptuar apo pronarët e korruptuar të mediave. Merreni se ju kur doni, e amplifikoni, edhe një pëshpërimë, afroni pamjet dhe zoomoni dhe jepni pamjet edhe të një celulari. Vendoseni në minutazh. E keni në minutazhin tuaj, vendoseni në minutazhin tuaj dhe shikojeni fjalën e ndyrë që përdor ky njeri. Dhe pikërisht, për ta paralajmëruar që të mos përdorë fjalor rrugaçi në Parlament, u çua Flamur Noka. Jo për të thyer rregulloren por për të kërkuar zbatimin e kësaj rregulloreje. Rregulloren e thyen i pari Edi Rama, i dyti Gramoz Ruçi. Këto janë faktet, e vërteta e vetme sot. Motivi është i qartë: ata kanë frikë nga debati, ata kanë frikë nga e vërteta, ata kanë frikë nga ballafaqimi para shqiptarëve me të vërtetën e tmerrshme që të gjithë këto banda dhe banditë kanë marrdhënie personale me Edi Ramën dhe sejmenët e tij. Kjo është e vërteta.