Të dashur bashkëqytetarë!
Ju keni parë sot në media me sytë tuaj, provat dhe faktet e Anti-Mafias Italiane që lidhin direkt Saimir Tahirin me trafikun e drogës dhe të armëve.
Provat e hetimit nga anti-mafia italiane tregojnë se grupi narkotrafikant i drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëriri i Saimir Tahirit, i ka paguar shuma marramendëse në dorë Sajmir Tahirit, si dhe kanë përdorur për trafik droge, Audin e Saimir Tahirit dhe skafin e tij.
Provat e hetimit tregojnë se narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës.
1400 herë Partia Demokratike e ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhjet e tij me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. 1400 herë Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin dhe ka sulmuar opozitën.
Edi Rama burgosi dhe sulmoi oficerin e antidrogës Dritan Zaganin kur ai denoncoi me fakte lidhjen e Tahirit me Habilajt. Sa herë dilnin në dritë fakte për lidhjet e Tahirit me bandat, Edi Rama e ka mbrojtur duke e quajtur Tahirin bashkëpunëtorin e tij me të ngushtë dhe ministrin e tij më të suksesshëm. Këto janë faktet.
Rama i ka dalë në krah Sajmir Tahirit për çdo akuzë, ndaj sot, nuk ka njeri që të mendojë që Tahiri ka bërë në kokë të vetë.
Sot Edi Rama e shiti Sajmir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij.
Sepse, Tahiri ka qënë as me pak as më shumë se ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt, Shullazin dhe banda të tjera mafioze në vend.
E vërteta është se Tahiri nuk është as më shumë as më pak se një nga peshqit e mëdhenj, anëtarët e sukseshëm të organizatës kriminalo-politike. Fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Edi Ramës.
Gjithçka është bërë me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës, që është përfituesi kryesor i parave të drogës së Habilajve. Vetë kriminelët pohojnë në përgjimet e antimafias se për të fituar zgjedhjet janë përdorur miliona euro.
Para shqiptarëve, sot, janë provat që tregojnë skemën sesi Edi Rama ka blerë zgjedhjet.
Këto janë faktet tronditëse para shqiptarëve dhe mbarë botës. Këto janë provat që tregojnë edhe skemën se si Edi Rama ka blerë votën dhe ka dhunuar zgjedhjet.
Për çdo shqiptar është e qartë se me Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit dhe drogës në Shqipëri.
Nesër Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar.
Për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën. Po troket ora e vendimeve të mëdha.
Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha: Me Edi Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit dhe drogës në Shqipëri