Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, për të rikonfirmuar vendosmërinë e Partisë Demokratike në luftën kundër krimit të organizuar me lidhje qeveritare si e vetmja rrugë për të ecur përpara me integrimin europian të vendit.
Në bashkëbisedimin e gjatë mes tyre nje vend të rëndësishëm zuri situata aktuale politike pas publikimit të provave për përfshirjen në trafik ndërkombëtar narkotikësh të bashkëpunëtorëve të afërt të Kryeministrit Rama, përfshirë ish – Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Basha dhe Hahn diskutuan rreth evoluimit të krimit të organizuar që, për shkak të përkrahjes nga qeveria Rama, po pastron paratë e pista dhe inkriminon segmente të tëra të ekonomisë, përfshirë ndërtimin dhe sektorin bankar.
Basha dhe Hahn ndanë të njëjtin mendim se integrimi europian i Shqipërisë duhet të jetë i bazuar në meritë dhe se vendi ka nevojë për prova të forta të zbatimit të paanshëm të reformës në drejtësi, si dhe për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që në Shqipëri të mos ketë më “të paprekshëm”.