Basha: Edi Rama e ktheu Policinë e Shtetit në një organizatë të strukturuar kriminale.
Basha: Rama kriminalizoi policinë me trafikun e drogës për të blerë pushtetin në zgjedhjet 2017.
Basha: Rama pengesë kryesore për drejtësinë dhe luftën kundër krimit. Lufta e vërtetë nis me largimin e Edi Ramës.
Basha: Rama po kërkon të vendos nën kontroll drejtësinë. Me Prokurori të pavarur, Rama nuk i shpëton drejtësisë.
Basha: Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Sulmi ndaj prokurorëve lidhet me kërkesën për hetimin e Saimir Tahirit.
Basha: Kryeprokurori i emëruar nga Rama, Tahiri, Dako, Sejdini është fundi i hetimeve për kupolën kriminale.
Deklaratë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Ngjarjet e 24 orëve të fundit treguan qartë për të gjithë botën se Policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar, nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e policisë së rretheve dhe shefat e anti-drogës e të terrenit.
Edi Rama ka lejuar dhe bekuar me vetëdije të gjithë aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës dhe të kriminalizimit të plotë të policisë. Me autoritetin e kryeministrit ai ka ofruar mbështetjen e pushtetit për këtë aktivitet kriminal duke e kthyer Shqipërinë në zonë të lirë per krimin.
Për tre vite me rradhë, Edi Rama ndërmori një fushatë masive gënjeshtrash dhe manipulimi të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar për të mbuluar të vërtetën e krimit dhe për t’i dhënë krimit gjithë qetësinë dhe hapësirën e nevojshme për të lulëzuar.
E gjithë kjo organizatë shtetërore kriminale, bandat që ajo kontrollonte dhe paratë e drogës u përdorën nga Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ruajtjen e pushtetit të tij.
Krimi i organizuar është sot një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare të Shqipërisë, si dhe rrezikon të sjellë destabilizimin e thellë politik, shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Lufta kundër krimit, duke filluar nga dekriminalizimi dhe pastrimi total i qeverisë, policisë dhe i gjithë strukturave të shtetit nga kriminelët dhe individët e kriminalizuar, është sot prioriteti kryesor kombëtar.
Hapi i parë është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i vendit. Çdo ditë që kalon konfirmon se ai është pengesa kryesore për drejtësinë dhe luftën kundër krimit në Shqipëri. Qëllimi i tij i vetëm sot është mbajtja e pushtetit me çdo kusht.
Strategjia e tij për të mbajtur pushtetin ka tre elementë kryesorë:
Së pari, mbrojtja politike dhe shmangia nga drejtësia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij të përfshirë direkt në aktivitete kriminale, nga Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini deri tek kokat e policisë.
Liria e Sajmir Tahirit, dekonspirimi nga vetë Ministria e Brendshme i aksionit të djeshëm për arrestimin e kokave të policisë janë aktet dhe provat që konfirmojnë këtë fakt.
Fakti që Ministër i Brendshëm është vëllai i Agron Xhafajt, një prej kokave kryesore të trafikut të drogës në vend, dëshmon se politikisht Edi Rama është në mbrojtje të krimit.
Elementi i dytë është kapja e sistemit të drejtësisë, veçanërisht e organeve të hetimit dhe të prokurorisë, me qëllimin për të garantuar se nën kontrollin e Ramës këto organe nuk do të nxjerrin para drejtësisë kokat e mëdha të krimit dhe do të mbyllin të gjitha hetimet që rrezikojnë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Agron Xhafajn, Habilajt, grupin e heroinës së Elbasanit, e dhjetëra raste të tjera. Elementi i tretë, është manipulimi i opinionit publik vendas dhe të huaj me të njëjtën metodë që ai arriti të mbulojë dhe fshehë trafikun masiv të drogës drogës dhe krimin në Shqipëri për katër vite.
Banalizo gjendjen e krimit, banalizo të vërtetën, sulmo median, sulmo opozitën, përdor mercenarë shqiptarë dhe të huaj për të shtrëmbëruar të vërtetën.
Por këmbanat po bien për Edi Ramën. Ai e di se po i vjen fundi dhe po bën gjithçka për të vendosur nën kontrollin e tij të plotë edhe sistemin e ri të drejtësisë.
Me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Edi Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe.
Pyetje: Por zoti Basha mazhoranca ka vendosur që të zgjedhë një prokuror tjetër pasi Adriatik Llallës i përfundon mandati në fillim të dhjetorit. Deri tani PD ka heshtur mbi këtë nismë të PS-së, sikundër po hesht dhe për kërkesën tjetër të PS-së për shkarkimin e kreut të KQZ.
Basha: Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta: Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërmori këtë sulm të ashpër ndaj prokurorëve vetëm sepse kërkuan hetimin dhe arrestimin e Saimir Tahirit nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm, as deputetët e Partisë Socialiste që e mbrojtën duke i mbajtur imunitetin nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm. Nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm miqtë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit. Një prokuror i përgjithshëm i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin “Tahiri”, fund i hetimeve në rastin e “Dakos”, do të thotë fund i hetimeve në kupolën kriminale dhe do të thotë fushë e lirë për krimin. Ndaj nuk mund të emërohet nga Edi Rama Prokurori i Përgjithshëm dhe ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë. Për më shumë kjo bie në konflikt total me frymën e Kushtetutës dhe të reformës në drejtësi dhe për të kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimir ka të drejtë të votojë. Pra, i bie që një Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhet me votën e Saimir Tahirit dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë Saimir Tahirin.
Pyetje: Si do ta pengoni?
Basha: Me të gjitha mjetet dhe format. Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë emërimin nga Edi Rama të Prokurorit të Përgjithshëm.