- Ndërtimi i 3 inceneratorëve është një aferë kriminale dhe korruptive. Ndërtimi i tyre për djegien e pakontrolluar të plehrave financohet nga nga buxheti i shtetit me 400 milionë euro.
- 3 inceneratorët, në Elbasan, Fier dhe Tiranë kontrollohen nga i njëjti person. Ai shërben për të fshehur pronarët e vërtetë, Arben Ahmetaj dhe Edi Rama.
- Për inceneratorin e Fierit janë dhënë 4.8 milion euro nga buxheti i shtetit akoma pa filluar punë. Skema e Ramës dhe Ahmetajt është për t’i paguar miliona euro privatit që ndërton pa marrë asnjë risk.
- KLSH dhe Prokuroria të nisin hetimin për këtë aferë mafioze, që dëmton shëndetin e shqiptarëve, që është kundër standardeve europiane, që cënon biznesin vendas.
- Ndërtimi i fabrikave të djegies së plehrave me 400 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe kanabizimi i vendit janë strategjia e Edi Ramës për Shqipërinë. Me kanabisin eksporton drogë drej Europës. Me incineratorët importon mbetje dhe e kthen vendin në kazanin e Europës.
Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Jam këtu bashkë me anëtarët tanë të Komisionit të Ekonomisë për të denoncuar një aferë të tmerrshme kriminale dhe korruptive, për të cilën Partia Demokratike ka ngritur zërin tash dy vjet.
Sektori i plehrave dhe mbetjeve është një nga sektorët kryesorë ku Edi Rama ka dashur t’u lërë dorë të lirë interesave kriminale.
Paralel me projektin e kanabizimit të vendit, ka ecur me këtë projekt të kthimit të Shqipërisë në një kazan plehrash për Europën. Mbani mend të gjithë përpjekjen e tij për të kaluar Ligjin për Importin e Mbetjeve, të cilin vetë e kundërshtoi kur ishte në opozitë.
Dhe, po kështu, e mbani mend që ishin qytetarët, Partia Demokratike, që e bënë të pamundur kalimin e këtij ligji.
Edhe pse ligji për lejimin e importit të mbetjeve u ndalua, për shkak të bashkimit të qytetarëve, për shkak të qëndrimit të qartë të opozitës dhe institucioneve të tjera, prapë Edi Rama po ecën me një strategji shkatërruese për vendin, që është strategjia e inceneratorëve, e djegësve të financuar nga buxheti i shtetit.
Pse është shkatërruese?!
Në rradhë të parë për njerëzit. Sepse është një politikë që bie ndesh me çdo standard, me normë europiane dhe me politikat europiane të trajtimit të mbetjeve, dhe këtë e keni parë edhe me qëndrimin e GIZ-it.
Së dyti, sepse është një politikë e rrezikshme për shëndetin publik, ndot ajrin dhe prodhon mbetje të rrezikshme në fund të proçesit.
Së treti, sepse nuk ndihmon as industrinë e riciklimit, që ishte një nga pretekstet për Ligjin e Importit, por mbi të gjitha projektet e inceneratorëve janë zbuluar si projekte dhe afera korruptive dhe kriminale.
Pse e themi këtë?!
Për momentin ka tre projekte për inceneratorë; është ai i Elbasanit, është ai i Fierit dhe ai i Tiranës.
Mediat kanë zbuluar tashmë dokumente dhe para publikut që të trija kontrollohen nga i njëjti person, i cili shërben si figurim për të fshehur pronarët e vërtetë. Duke patur parasysh shkeljet skandaloze të ligjit në ndërtimin e këtyre tre inceneratorëve, duket qartë që pronarët e vërtetë janë Arben Ahmetaj dhe Edi Rama. Sepse vetëm Arben Ahmetaj dhe Edi Rama mund të kishin guximin të jepnin 4.8 milion euro ndërtuesit të inceneratorit të Fierit, akoma pa filluar punë.
Vetëm këta mund të kishin guximin t’i jepnin 10 milion nga 11 milion euro që është buxheti i vitit, për mbetjet në Shqipëri, ku pra 10 milion i marrin vetëm këta të tre, Fieri, Tirana dhe Elbasani.
Në total sipas dokumenteve që ne disponojmë, bëhet fjalë për 400 milion euro që do të paguhen nga 7-30 vjet për ndërtimin e inceneratorëve dhe tarifat që do të paguajë taksapaguesi shqiptar.
Shikoni çfarë po ndodh.
Marrin privatin për të ndërtuar inceneratorin, kundër strategjisë europiane të ndërtuar nga gjermanët, dhe bëjnë një partneritet publik me privatin, ku privati nuk merr asnjë risk përsipër, përkundrazi merr lekë nga buxheti i shtetit, edhe kur nuk djeg plehra, siç është rasti i Fierit.
Dhe e bëjnë këtë për një periudhë 6, 7 dhe 30 vjeçare, me një kosto totale prej 400 milion euro.
Këto para në vend që të shkojnë për shkolla , në vend që të shkojnë për spitale po i jipen një privati, i një kompanie të vetme, e cila i fsheh pronarët e vërtetë , për të bërë një punë, e cila ndot mjedisin dhe prodhon mbetje të rrezikshme.
Kjo është një aferë kriminale.
Kjo është një aferë mafioze.
Ndaj thirrja ime është ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, të nisin menjëherë hetimin dhe të vërë pikat mbi “i”, për ata që po dëmtojnë shtetin publik të shqiptarëve nga njëra anë, dhe po grabisin fondet shtetërore, fondet e taksapaguesve shqiptarë nga ana tjetër.
Kjo është një aferë e përmasave kriminale dhe është faqja tjetër e medaljes së kanabizimit të Shqipërisë.
Me kanabizimin e Shqipërisë, Edi Rama eksporton drogë drej Europës, me incineratorët importon mbetje.
Dhe ndërkohë që bëhet gati të importojë mbetje, krijon një aferë ku përfundojnë miliona euro në vit në duart e një njeriu të vetëm, i cili natyrisht nuk është përfituesi i vërtetë, por pas të cilit fshihen Edi Rama dhe Arben Ahmetaj.
Thirrja ime, është nisja e menjëhershme e hetimeve për këtë skandal të rëndë, dëmton shëndetin e njerëzve, të fëmijëve shqiptarë, duke marrë lekët e shqiptarëve. Lekë që duhej të shkoni për spitale, lekë që duhej të shkonin për rrugë, lekë që duhej të shkonin për shkolla.
Shkollat, spitalet , rrugët po jepen me konçesion. Ndërkohë që privatët që marrin përsipër trajtimin e mbetjeve me teknologji aspak të pastër, paguhen me lekët që duhej të shkonin për shëndetin dhe arsimimin e shqiptarëve.
Kjo është afera që dua të denoncoj sot.
Ne kemi një studim të plotë të të gjithë dokumentave shtetërorë. Ditët e ardhshme ekspertët tanë, por edhe drejtuesit politikë të institucioneve përkatëse, do t’i bëjnë publike qëndrimet tona.
Ndërkohë ju si media, që sot, do të keni në dispozicion dokumentacionin e plotë që vërteton dyshimet dhe akuzat që opozita ka dy vjet që i bën publike dhe i denoncon për këtë aferë të tmerrshme kriminale.