Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Dhurata Çupi
Deputetja Elona Gjebrea, krahu i djathtë i Saimir Tahirit për katër vjet në krye të Ministrisë së Brendshme, ka disa ditë që shmang pyetjen e thjeshtë, nëse ka udhëtuar në Greqi me makinën e vëllezërve Habilaj.
Dje, ajo refuzoi me arrogancë t’u përgjigjet pyetjeve direkte të gazetarëve për këtë çështje. Arsyeja është e thjeshtë: Elona Gjebrea ka udhëtuar më shumë se një herë në makinën e drogës së Habilajve.
Prandaj Elona Gjebrea duhet që të sqarojë publikisht:
- Pse udhëtoi privatisht për në Greqi?
- Pse në këto udhëtime nuk mori makinën dhe shoferin e saj?
- Pse nuk udhëtoi qoftë edhe me makinën e saj private?
- Pse zgjodhi të udhëtojë me makinën e Habilajve?
Zonja Gjebrea duhet gjithashtu t’i përgjigjet pyetjes:
- A është takuar ndonjëherë me Habilajt?
- Nëse po, përse është takuar?
Zonja Gjebrea duhet gjithashtu të sqarojë opinionin publik:
- Si Koordinatore Kombëtare Kundër Trafikimit a ka qenë ajo e informuar për trafikun masiv të drogës dhe të armëve nga Shqipëria në Itali dhe Greqi?
- Cilët drejtues të lartë të shtetit ka informuar?
- Çfarë masash ka marrë ajo për këtë gjë?
Si deputete e Kuvendit të Shqipërisë ajo sot duhet të përgjigjet edhe për një pyetje tjetër:
- A ndjen kjo përfaqësuese e popullit ndonjë përgjegjësi morale dhe politike për lulëzimin e krimit dhe të drogës në Shqipëri gjatë katër viteve që ajo ishte numër 2 i Ministrisë së Brendshme?
Është koha që Elona Gjebrea të përballet me përgjegjësitë e veta. Krimi në Shqipëri lulëzoi, se me të u bë palë direkt apo indirekt e gjithë qeveria, përshi Elona Gjebrean. Cilado qoftë apo jo përgjegjësia penale e Elona Gjebreas, sot është dita që ajo t’i kërkojë falje popullit të saj dhe të bashkëpunojë me drejtësinë.