· Dekonspirimi i aksionit për arrestimin e kokave të policisë është bërë nga Fatmir Xhafa me porosi të Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe veten. Fatmir Xhafa nuk e arreston Drejtorin e Policisë së Vlorës, sepse ai mbrojti për 4 vite vëllain e Xhafës në kërkim ndërkombëtar për trafikun e drogës.
· Faktet provojnë se Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë funksionuar si një organizatë e strukturuar kriminale. Veting jo vetëm për policinë, por edhe për Ministrinë e Brendshme dhe Qeverinë. Lufta kundër krimit të organizuar, pastrimi i qeverisë nga krimi është emergjencë kombëtare. Kjo nis vetëm me largimin e Edi Ramës.
· Inkurajoj Prokurorinë të çojë deri në fund hetimin. Arrestimi një orë e më parë i Saimir Tahirit dhe i kokave të policisë të përfshira në këtë aferë kriminale është edhe parathënia e një aksioni dhe operacioni për pastrimin e politikës nga krimi.
· Largimi i Edi Ramës është imperativ politik. Socialistët e ndershëm kanë në gjirin e tyre ish-kryeministra, ish-presidentë dhe kapacitete me integritet, të cilët mund të japin kontributin e tyre në një qeveri antimafia.
· Kryeprokurorin nuk mund ta emërojë as Edi Rama, as subjektet e hetimit Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Agron Xhafaj dhe as miqtë e tyre në Parlament.
Komunikimi me gazetarët i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha
Pyetje: Z. Basha, sërish Partia Socialiste përsëriti akuzat për përdorim të parave të pista për lobim me kompani offshore amerikane. Keni një reagim?
Basha: Është një shashkë e bazuar në mashtrime e cila nuk mund të largojë vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme të kësaj qeverie, as nga një skandal i madh i cili është vënë në vëmendjen e opozitës nga burimet e partnerëve dhe i cili po studiohet nga ekspertët tanë të sigurisë dhe të ligjeve.
Një gjë mund t’ju them me siguri se dekonspirimi i aksionit për arrestimin e kokave të policisë është bërë nga Fatmir Xhafa me porosi të Ramës për të mbrojtur këta njerëz dhe Saimir Tahirin.
Arsyeja e dekonspirimit është e qartë: Edi Rama nuk mund të lejojë arrestimin e njerëzve të cilët do të luanin rol në inkriminimin e drejtpërdrejt të Saimir Tahirit, të Fatmir Xhafës dhe të vetë Edi Ramës.
Si mund të pranojë Fatmir Xhafa të arrestojë drejtorin e Policisë së Vlorës i cili për 4 vite ka mbrojtur vëllain e Fatmir Xhafës, i cili edhe pse në kërkim ndërkombëtar për trafikun e drogës, i dënuar për trafikun e heroinës, bridhte dhe bredh i lirë në Vlorë.
Si mundet Fatmir Xhafa të firmosë një urdhër arresti ndërkombëtar për këta tre koka të policisë, të korruptuar, të lidhur me krimin, kur ka 4 vite që refuzon të zbatojë urdhrin ndërkombëtar të ndalimit për vëllain e tij.
Këto fakte dhe fakte të tjera të sjella në vëmendjen e opozitës të cilat pas një studimi të hollësishëm do t’i bëjmë shumë shpejt të njohura për publikun dhe median, faktojnë se Polica e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë funksionuar si një organizatë kriminale, me një kupolë kriminale në krye.
Emergjenca kombëtare është lufta kundër krimit të organizuar dhe dekriminalizimi i qeverisë. Është çështje e sigurisë kombëtare që kjo të nisë me vetingun, jo thjeshtë të policisë, por të Ministrisë së Brendshme dhe të Qeverisë. Që të ndodhë kjo, duhet një reformim tërësor i Ministrisë së Brendshme dhe i Policisë, të kryhet nga ekipe profesionale, me integritet, të pavarura dhe të mirëbesuara.
Natyrisht që kjo s’mund të ndodhë për sa kohë që proçesi diktohet dhe kontrollohet personalisht nga Edi Rama.
Ndaj hapi i parë është largimi i Edi Ramës nga kreu i qeverisë.
Hapi i dytë që do të ketë mbështetjen tonë të plotë dhe në rakordim me partnerët ndërkombëtarë, do të jetë një proçes i spastrimit të Ministrisë së Brendshëm dhe i Policisë dhe një veting i plotë i gjithë strukturës së lartë qeveritare për të pastruar këtë kancer që ka shtrirë tentakulat e veta në çdo ministri dhe deri në nivelet më të larta politike, natyrisht duke përfshirë edhe kryeministrin shqiptar.
Gjendja është alarmante. Veprimi i parë për të cilin inkurajoj Prokurorinë është, të çojë deri në fund hetimin që përfshin kokat e policisë në trafikun e drogës dhe në mbështetjen totale që i ka dhënë bandave kriminale. Arrestimi një orë e më parë i Saimir Tahirit dhe i kokave të policisë të përfshira në këtë aferë kriminale është edhe parathënia e një aksioni dhe operacioni për pastrimin e politikës nga krimi.
Rreshtimi është i qartë: Edi Rama do të bëjë gjithçka për të ndaluar arrestimin e policëve të korruptuar, siç bëri gjithçka për të ndaluar arrestimin e Saimir Tahirit. Në këtë përpjekje ai ka mbështetjen e Fatmir Xhafës, i cili ka bërë dhe po bën gjithçka për të ndaluar arrestimin dhe ekstradimin e Agron Xhafajt drejt Italisë.
Në këtë skandal është përfshirë drejtpërdrejt ideatori dhe zbatuesi i projektit të kanabizimit të Shqipërisë, përgjegjësi kryesor për ngritjen në detyrë, mbrojtjen, promovimin e Saimir Tahirit dhe kupolës së korruptuar të policisë dhe ky është Edi Rama.
Ndaj opozita dhe Partia Demokratike, parashtrojnë si domosdoshmëri, largimin e Edi Ramës për të nisur pastrimin e vërtetë të kupolës së lartë qeveritare nga krimi dhe për t’i dhënë shqiptarëve një luftë kundër krimit të organizuar si domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare.
Largimi i Edi Ramës është imperativ politik. Ne e kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë këtë me forcë. Ne kemi parashtruar dhe do të vazhdojmë të parashtrojmë këtë domosdoshmëri para shqiptarëve, para gjithë faktorit politik. Natyrisht para faktorit politik opozitar, por edhe para socialistëve të ndershëm të cilët kanë në gjirin e tyre ish-kryeministra, ish-presidentë dhe kapacitete të papërlyera dhe me integritet, të cilët mund të japin kontributin e tyre në një qeveri antimafia.
Një gjë është e sigurt, sa kohë Edi Rama është kryeministër, urdhër arrestet nuk do të ekzekutohen, policët e lidhur me krimin nuk do të arrestohen, Saimir Tahiri do të vazhdojë të bredhë në Shqipëri dhe në Gjermani e në Itali, në përpjekje për të mbuluar gjurmët e krimit të zbuluar nga antimafia italiane dhe krimi i organizuar shqiptar. Në bashkëpunim me Edi Ramën, do të vazhdojë të jetë faktori kryesor i krizës ekonomike, i shkatërrimit të besimit tek e nesërmja , i largimit të shqiptarëve nga atdheu i tyre dhe i të keqes që ka mbërthyer vendin prej fyti.
Ndaj emergjenca absolute është pastrimi i qeverisë meqenëse është dhe dita e pastrimit sot, pastrimi i qeverisë nga krimi. Dhe kjo nis vetëm me largimin e Edi Ramës.
Pyetje: Z. Basha ditën e enjte mazhoranca ka paralajmëruar shkarkimin e kryetarit të KQZ-së. A përbën ky një akt një vendim nga ana e opozitës për të mos marrë pjesë në reformën zgjedhore? A e cënon reformën zgjedhore, shkarkimi i kryetarit të KQZ-së?
Basha: Nuk ka asnjë mundësi kushtetuese që kryetari i KQZ-së të shkarkohet nga kjo mazhorancë. Çdo hap i tillë do të përbënte një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe do të marrë përgjigjen e merituar.
Pyetje: Z. Basha, si largohet Edi Rama? A do ta shfrytëzojë Partia Demokratike të drejtën për të kërkuar në Kushtetuese zgjatjen e mandatit të Llallës deri në krijimin e KLP-së?
Basha: Qëndrimi ynë për Prokurorin e Përgjithshëm është i qartë: Prokurorin nuk mund ta emërojë Edi Rama, Prokurorin nuk mund ta emërojë Saimir Tahiri. Prokurorin nuk mund ta emërojë as Vangjush Dako, as Qazim Sejdini, as Agron Xhafaj, as miqtë e tyre në Parlament.
Pyetje: Dhe për këtë ju mund të ndihmoni duke bërë një padi në Kushtetuese apo kërkesë?
Basha: Ne kemi një plan të plotë veprimi për të parandaluar në mënyrë ligjore dhe për t’iu përgjigjur çdo veprimi antiligjor antikushtetues të mazhorancës. Një gjë është e sigurt nuk do të pranojmë që Kryeprokurorin ta emërojnë subjektet e hetimit, që kryeprokurori të emërohet nga Edi Rama nga Saimir Tahiri dhe miqtë e tyre.
Faleminderit!