“Nëse duam që gjërat të mbeten siç janë, gjërat duhet të ndryshojnë.”
Askush nuk i ka zbatuar më mirë se Edi Rama këto fjalë legjendare të sicilianit Xhuzepe Tomasi i Lampeduzës.
Ky që kur ulej me fshatarët i pyeste me vetëkënaqësi si shkonin me kanabisin, duke ju dhënë të gjithë shqiptarëve mesazhin shkatërrues se është mirë të kultivosh kanabis;
Ky që përkëdhelte Elvis Roshin para gjithë shqiptarëve duke e quajtur “krimineli im i dashur”, duke i dhënë cdo krimineli mesazhin se për ta ka vetëm dashuri;
Ky që Saimir Tahirin nuk e largonte nga krahu i tij i djathtë duke u thënë trafikantëve se policia dhe qeveria ishte e tyrja;
Ky që solli dhe strehoi në Kuvend e në krye të bashkive më shumë kriminelë të rrezikshëm se në burgjet e vendit;
Pikërisht ky, Edi Rama,
Sot po shfaqet nëpër të njëjtat tribuna dhe studio ku deri dje ulërinte se në Shqipëri nuk ka as kanabis dhe as krim.
Tani që e vërteta për kanabizimin e vendit dhe kriminalizimin e qeverisjes ka marrë dhenë, Edi Rama po përpiqet të ndryshojë çdo gjë në sipërfaqe, për të mos ndryshuar asgjë në thelb,
Duke provuar t’i mashtrojë edhe një herë, për të disatën herë, shqiptarët e ndershëm, shqiptarët e mjeruar nga krimi dhe korrupsioni, shqiptarët që zbatojnë ligjin e rregullat, shqiptarët që ende shpresojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.
Pasi i mashtroi me shëndetësinë falas; duke e privatizuar atë tek klientët;
Pasi i mashtroi me vendet e punës, duke i shtyrë të emigrojnë për bukën e gojës;
Pasi i mashtroi me drejtësinë, duke liruar kriminelët nga burgjet;
Pasi i mashtroi me rilindjen e Shqipërisë, të cilën e ktheu në rilindje të krimit dhe pasurimit privat dhe personal të një grushti pushtetarësh dhe oligarkësh;
Tani po mundohet të verë në skenë një mashtrim edhe më të madh.
Në një sallë luksoze, me ekrane të mëdhenj e drita të shkëlqyeshme, i rrethuar me policë që shërbejnë si figurantë, Edi Rama deklaroi se do ta çlironte Shqipërinë nga krimi.
Ata që bashkë me të, për katër vjet i gënjyen dhe i mashtruan shqiptarët për kanabisin, për Saimir Tahirin, për kriminelët e lidhur me Edi Ramën, duartrokitën. Me zor dhe me sytë poshtë.
Sepse tani njerëzit dinë dhe kuptojnë fare mirë se cfarë ka ndodhur. Tani të gjithë e kanë parë se Edi Rama është gjithmonë në krah të kriminelëve dhe jo të njerëzve të thjeshtë, është gjithmonë në anën e krimit dhe jo të ligjit.
Njerëzit e kanë provuar Ramën me dhjetëra herë. Prova e tij është Elvis Roshi. Prova e tij është Klement Balili. Prova e tij është Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, dyshja Dako-Cela, Qazim Sejdini. Për të mos folur për Ilir Beqajn, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn.
Edi Rama nuk do që të largohen ata, ai thjesht po përpiqet të gjejë çdo hile, çdo manovër çdo truk të mundshëm për të mos ndryshuar fatin e Roshëve, Tahirëve, Dakove dhe natyrisht fatin e tij. “Të ndryshojmë çdo gjë për të mos ndryshuar asgjë”, siç thotë siciliani i famshëm.
Ndërkohë krimi është fuqizuar dhe sofistikuar dhe ka evoluar në mënyrë të shpejtë.
Mijëra ton drogë e prodhuar në periudhën 2015-2016 në përmasa marramendëse, sot gjendet në tunele, depo, magazina dhe prej andej trafikohet çdo ditë drejt Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore.
Tani preferenca e krimit është bërë heroina dhe kokaina. Të fuqizuar me miliarda euro nga tregtia e kanabisit, duke shfrytëzuar të njëjtat rrugë, të njëjtën infrastrukturë dhe të njëjtat lidhje politike që krijuan me kanabisin, krimi i organizuar tani po ve nën kontroll trafikun dhe shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në të gjithë Europën.
Çdo javë, në Europë kapen sasi heroine dhe kokaine nga grupet kriminale shqiptare. Vetëm në Itali, gjatë vitit të shkuar janë kapur qindra kilogramë heroinë dhe kokainë kaluar përmes Shqipërisë. Ndërkohë që në Holandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar shqiptarët tashmë kontrollojnë shpërndarjen e heroinës dhe kokainës.
Por evoluimi më i rëndësishëm i krimit është kapja e ekonomisë. Aktivitetet kryesore kriminale në Shqipëri nuk zhvillohen më në parcelat mes maleve, por në sheshet e ndërtimit dhe bankat në qendër të Tiranës. Riciklimi dhe pastrimi i parave dhe kapja e ekonomisë është sot aktiviteti kryesor i grupeve kriminale që u fuqizuan dhe pasuruan në mënyrë marramëndëse nga trafiku i drogës.
Forma më e rrezikshme e krimit nuk është një grup kriminelësh me armë në dorë që grabisin me forcë apo transportojnë drogën, por kur bëhen bashkë krimineli, qeveritari dhe bankieri dhe bien në ujdi për të plaçkitur dhe kontrolluar një vend të tërë.
Kjo është faza ku ka hyrë krimi në Shqipëri.
Nuk është rastësi që paratë dhe dokumentat që nuk donte që t’ja kapte prokuroria, Saimir Tahiri ja dha në ruajtje një biznesmeni, të cilit i kishte dhënë më parë edhe tendera publikë.
Nuk është rastësi që Qazim Sejdini ka një agjensi doganore që po hetohet për trafik droge.
Nuk është rastësi që Elvis Roshi është ndërtuesi më i madh në zonën e Kavajës.
Nuk është rastësi që Vangjush Dako është njëkohësisht, kryebashkiak, biznesnmen dhe kryekapobanda i Durrësit.
Nuk është rastësi që familjarët e pushtetarëve duke nisur nga i pari i qeverisë e me radhë befas kanë pasion për bankat. Apo që gjysmën e ditës e kalojnë me kriminelë dhe gjysmën tjetër me bankierë.
Dhe nëse kjo vazhdon, nuk kemi parë gjë akoma.
Çdo gjë do të thellohet me Projektin 1 Miliardë, një projekt kriminal që do shkrijë në një, krimin, biznesin dhe politikën. Projekti 1 miliardë është rruga e konsolidimit të konsorciumit politiko-kriminal i cili ka për synim: të sundojë Shqipërinë për dekada.
Është formalizimi i trekëndëshit criminal: qeveri-sistem bankar-krim i organizuar. Është një projekt në të cilin do të riciklohen dhe do të pastrohen miliardat e drogës dhe të krimit duke përdorur autoritetin e qeverisë dhe paratë e buxhetit.
Justifikimi për projektin është diabolik. Pasi e ka shkatërruar ekonominë dhe vetë shtetin, Edi Rama deklaron se shteti nuk ka para. Dhe e vërteta e hidhur është se në të vërtetë sot vetëm krimi ka para.
Krimi është më i fortë se shteti dhe se bizneset e ndershme. Sepse këto katër vjet krimi është pasuruar, kurse Shqipëria është varfëruar.
Rrënimi ekonomik i vendit është avantazhi më i madh që ka sot krimi.
Ndërsa bizneset nuk kanë para për të investuar, krimi ka pafund. Ndaj krimi po sposton gradualisht bizneset e ndershme nga tregu dhe shumë shpejt e gjithë ekonomia e vendit do të jetë në duart e krimit.
Për të kuptuar këtë kontrast, mjafton një krahasim domethënës. 863 mijë eurot e Saimir Tahirit që u gjetën në makinën e ortakut të tij, janë gati sa i gjithë buxheti vjetor i Gjykatës Kushtetuese.
863 mijë eurot e Sajmir Tahirit janë sa 85 për qind e buxhetit të investimeve të Prokurorisë së Përgjtihshme. Kjo shumë është vetëm një thërrime nga paratë që ka sot krimi në Shqipëri.
Kanabizimi i vendit ka qenë një projekt i qëllimshëm anti-kombëtar i Edi Ramës. Në këtë projekt ai derdhi gjithë urrejtjen dhe mllefin që ka ndaj shqiptarëve.
Kriminelët me pushtet dhe droga ishte hakmarrja ndaj të gjithëve e një njeriu të dështuar, për të cilën ai fajëson këdo, familjen, shoqërinë, atdheun, por kurrë veten e tij.
Prandaj, të lesh fatet e vendit në duart e Edi Ramës do të thotë të lesh Shqipërinë në dorë të krimit dhe të shkatërrimit.
Edi Rama nuk duhet lejuar as të mashtrojë më popullin dhe as t’i shpëtojë më drejtësisë, siç po përpiqet të bëjë.
Po po. Dy ditë më parë, zëvendësi i Fatmir Xhafajt njoftoi se ata do të bëjnë arrestime. Në fakt ministri i brendshëm dhe zëvendësi i tij bënin arrestime dhe pushkatime në fazën e parë të karrierës të Fatmir Xhafajt, jo sot. Sot arrestimet i bën prokuroria.
Po pse deklaron zëvendës ministri politik se ata do të bëjnë arrestime? Sepse, kjo kupolë politike do që ti japë të drejtën të bëjë policin gjyqësor, prokurorin dhe gjyqtarin.
Shikoni! Është e njëjta kupolë politike që refuzoi t’i hiqte imunitetin skafistit me patentë 100 tonëshe, Saimir Tahirit të kapur gafil nga përgjimet e antimafias, e njëjta kupolë që e mbrojti Tahirin, që tani njofton aksione politike me arrestime.
Dhe nuk bëhet fjalë për të arrestuar Tahirin, apo Xhafajn (të voglin) apo Sejdinin apo dyshen Dako-Cela, apo politikanët e kriminalizuar dhe korruptur.
Jo! Synimi është që këta të mbrohen. Këta janë të paprekshmit. Këta janë peshkaqenët në oqeanin e krimit dhe të korrupsionit shqiptar. Këta duhet të mbrohen. Se ndryshe shkon steka lart. Te shefi i madh në Tiranë, sic thonë kriminelët në përgjimet e antimafias.
Kapja e drejtësisë ka qenë synim kryesor i Edi Ramës, sapo erdhi në pushtet. Partia Demokratike dhe opozita nuk e lejoi atë ta kapte sistemin përmes reformës në drejtësi.
Kjo ishte një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët dhe për vendin. Imagjinoni për një moment sikur opozita të mos kishte reaguar dhe të ishte krijuar Byroja e Hetimit në Ministrinë e Brendshme në varësi të Saimir Tahirit?! Në varësi të kryetrafikantit me pushtet ministri.
Do ishte rrezikuar jo vetëm rendi dhe siguria publike në Shqipëri, por edhe siguria e aleatëve tanë euro-atlantikë. Ndaj ishte arritje e madhe që Byroja e Hetimit do të jetë nën prokurorinë e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit.
Por tani që I kanë dalë petët lakrorit, tani që skandali Tahiri-Habilaj e ka ekspozuar para hetimeve që sapo kanë nisur, Edi Rama do që të krijojë prokurorinë e tij private. Nën drejtimin politik të Fatmir Xhafës, kjo do të ishte një mburojë për të dhe shpurën e tij dhe një mashë për të kërcënuar shantazhuar dhe persekutuar këdo që bëhet pengesë për të dhe kupolën e tij.
Nëse doni të dini si do funksionte kjo prokurori private e dyshes Rama-Xhafaj, mjafton të kujtoni shërbimin e kontrollit të brendshëm të ministrisë së Sajmir Tahirit. Ishin agjentët e hetimit të brendshëm ata që rrëmbyen në mënyrë mafioze në mes të natës Dritan Zaganin me urdhër politik, dhe e flakën në qeli pa asnjë akuzë, pa asnjë provë, pa asnjë fakt.
Krimin mund ta luftojë vetëm një polici e depolitizuar, një prokurori e pavarur dhe një gjykatë e ndershme. Krimin mund ta luftojë vetëm një polici që merr urdhra nga ligji dhe jo nga politika. Një polici që nuk i përkulet politikanëve dhe nuk u shërben politikanëve.
Heronjtë kundër krimit nuk janë figurantët që i mbledh si tufë kryeministri për t’u mbajtur fjalime delirante që ata i dëgjojnë në heshtje. Krimin nuk e luftojnë policët që bëjnë politikë, por profesionistët e papërkulur që e përndjekin krimin në rrugë, në sheshe, në laboratorë, në patrulla dhe aksione.
Në Shqipëri ka patur përherë, ka dhe do të ketë gjithmonë policë të zotë dhe të ndershëm që i shërbejnë ligjit dhe atdheut dhe jo krimit dhe politikës së lidhur me krimin. Ata dhe vetëm ata janë garancia për një të nesërme më të mirë.
Por që këta policë të bëjnë punën e tyre, duhet që qeverisja të çlirohet nga politikanët që i shërbejnë krimit. Njerëz si Saimir Tahiri e kanë vendin në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Brendshme. Këta njerëz duhet të kenë në duar prangat e drejtësisë dhe jo çelësat e pushtetit.
Kanabisi dhe krimi mori këto përmasa para së gjithash për shkak të lidhjes së këtij kryeministri dhe kupolës së tij me krimin. Kur krimineli arrin të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë, çfarë vështirësie ka që ai të mbjellë parcela droge në male, kodra apo edhe fushat e vendit.
Kur krimineli kontrollon Kryeministrin, ç’vështirësi ka ai që të blejë një doganier të kufirit, apo një polic, apo kryepolicët apo vetë ministrin e brendshëm. Nëse politika furnizohet me vota dhe para nga krimi, Shqipëria dhe Europa do të furnizohen me drogë.
Cdo trajtim i problemit të krimit të organizuar në Shqipëri thjesht si problem teknik nuk e ndihmon Shqipërinë. Çdo strategji teknike për luftën kundër krimit do të jetë dështim i sigurt. Krimi në Shqipëri është problem politik dhe zgjidhja e tij mund të fillojë vetëm nga politika.
Ditën që Edi Rama hyri në godinën e kryeministrisë, në Shqipëri erdhi krimi në pushtet.
Largimi i krimit nga pushteti do të fillojë vetëm ditën kur EdI Rama të largohet nga zyra e kryeministrit. Nëse ikën ai, pas tij do ikin të gjithë me rradhë, të gjithë politikanët e lidhur me krimin dhe e gjithë shpura e tyre kriminale.
Largimi i Ramës nga zyra e kryeministrit do të jetë akti më i madh anti-mafie dhe anti-krim që ka ndërmarrë ndonjëherë Shqipëria.
Çdo ditë që ai qëndron në pushtet është një ditë e mjeruar për Shqipërinë dhe një ditë e shkëlqyer për krimin.
Ndaj, sot është koha për të ngritur zërin të gjithë si shoqëri. Nëse duam të jemi një shoqëri europiane duhet të fillojmë të sillemi si një shoqëri europiane. Ansjë vend Europian, asnjë popull Europian nuk mund të pranojë politikanë të inkriminuar si Edi Rama.
Dy janë aleatët më të mëdhenj të krimit dhe të së keqes: heshtja dhe vetmia.
Ndaj së pari, nuk duhet të heshtim. Heshtja ndaj drogës, heshtja ndaj kriminelëve në Kuvend, heshtja ndaj Saimir Tahirit, është një nga arsyet që droga mori përmasa të jashtëzakonshme. Ndaj nuk duhet përsëritur më kurrë e njëjta gjë.
Siç këshillonte gjyqtari hero i luftës kundër mafias, Paolo Borsellino:
“Flisni për krimin. Flisni në radio, flisni në televizion, flisni në gazeta. Flisni kudo, por flisni. Flisni kundër tyre që heshtën. Flisni kundër atyre që u përpoqën të mbyllin gojët e ndershme. Flisni kundër atyre që u bënë vegla për mbrojtjen e drogës.”
Së dyti, nuk duhet të ndiheni të vetmuar, të shkëputur e të ndarë nga njëri-tjetri. Në shoqëri, në politikë qëllimi i të githë shqiptarëve që nuk janë përfshirë me krimin është një: një Shqipëri të cliruar nga krimi, ku sundon ligji, një Shqipëri ku ka drejtësi, ku ka liri dhe konkurencë të ndershme.
Ndaj pavarësisht ndarjeve që mund të kemi për shumë gjëra, në këtë betejë duhet të jemi bashkë, duhet të mbështesim njëri-tjetrin.
Që ta arrijmë këtë duhet së pari të pranojmë të vërtetën. Leonardo Sciascia që shkruajti kundër mafias thoshte:
“E vërteta është në fund të pusit: vështron në një pus dhe sheh diellin dhe hënën, por kur futesh brenda nuk ka më as diell dhe as hënë, kjo është e vërteta.”
Ju që deri më sot heshtët; ju që deri dje besuat tek Edi Rama; ju që deri më sot u joshën; duhet të shihni të vërtetën në fund të pusit.
E vërteta është e thjeshtë: në Shqipëri nuk do ketë as stabilitet, as rend, as drejtësi, as liri, as demokraci, as përparim me Edi Ramën në krye të qeverisë.
Shqipëria dhe politika shqiptare ka njerëz të ndershëm dhe të zotë. Vetë Partia Socialiste ka njerëz të ndershëm dhe të zotë. Ndaj për politikën shqiptare por edhe për vetë Partinë Socialiste është e pafalshme që ia kanë dorëzuar pushtetin Edi Ramës.
Sot është koha që shoqëria, politika por edhe vetë Partia Socialiste të shohin të vërtetën në sy dhe të kuptojnë se Edi Rama është simptoma e një kanceri në trupin e vetë shoqërisë tonë, i cili do t’i prekë, herët a vonë të gjithë njerëzit, demokratë, socialistë a çfarëdo preference politike apo jopolitike të kenë.
E vërteta tjetër e madhe është se e vetmja arsye pse Saimir Tahiri është i lirë dhe Edi Rama është ende në pushtet është se ne nuk kemi reaguar.
Kur ne të bëhemi të gjithë bashkë, mijëra shqiptarë të bashkuar përballë Edi Ramës, përtej ngjyrimeve politike, përtej paragjykimeve, atë cast pushteti i Edi Ramës merr fund. Dhe bashkë me të edhe pushteti i krimit.
Kjo ditë do të vijë. Shpejt.